Tenderët, KLSH: Dy rastet kur Ushtria abuzoi me ofertat

Dec 30, 2012 | 9:38
SHPËRNDAJE
Bujar Leskaj

Komisioni i Prokurimit Publik ka shkelur ligjin, duke skualifikuar ofertat më të ulëta të paktën për dy procedura tenderimi të zhvilluara nga Ministria e Brendshme, duke shkaktuar një dëm ekonomik qindra milionë lekë.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka dalë në këtë përfundim pas auditit të kryer nga stafi i tij në Ministrinë e Brendshme, për periudhën janar 2011 deri në gusht të vitit 2012. Dy prej procedurave që janë kapur me shkelje, kanë të bëjë me shërbime që Ministria e Brendshme ka blerë për dy reparte të saj. Fillimisht, në tender janë shpallur fitues operatorët me ofertë më të ulët, por operatorë të tjerë me oferta më të larta janë ankuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, i cili u ka dhënë të drejtë të dytëve, me ofertën më të lartë.

“Autoritetet Kontraktore kanë lidhur kontratat me operatorët ankimues, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm ekonomik në vlerën 225.6 milionë lekë, respektivisht 163.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit (Katering) për Repartin Ushtarak 1030, Poshnjë’’ dhe 61.8 milionë lekë në procedurën e prokurimit për “Shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit për Repartin Ushtarak 1001, Zall-Herr”, thuhet në raport. Duke gjykuar se anëtarët e Komisionit të Prokurimit kanë shkelur ligjin, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë edhe kallëzimin përkatës në Prokurorinë e Tiranës për kreun e këtij komisioni me inicialet E.S., si dhe për tre anëtarët e tjerë të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura