Tenderat e barnave spitalore, Beqja: Asnjë ofertë për 240 ilaçe

Apr 30, 2014 | 13:29
SHPËRNDAJE

Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja
Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar procedurat e prokurimit për blerjen e 525 barnave spitalore. Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, bëri të ditur se për 240 barna nuk ka pasur asnjë ofertë nga kompanitë farmaceutike, ndaj është hapur procesi i prokurimit për herë të dytë. “Midis këtyre 240 që nuk kanë ardhur, 178 janë barna të regjistruara. Me sa duket, ky është një tjetër ilustrim i faktit se kompanitë që kanë regjistruar barna nisen nga qëllimet e tyre të mirëfillta të biznesit. Në një bar ku ka vlerë të madhe, ka interes, ndërkohë që për 178 barna që janë të regjistruar nuk kanë interes”, tha Beqja. Ai shtoi se kjo është arsyeja se përse legjislacioni ia lejon ministrit të Shëndetësisë të drejtën që për nevoja spitalore të fusë barna me leje importi edhe kur ka të regjistruara. Duke u ndalur te lista e barnave të rimbursueshme, ministri garantoi se ilaçet e përfshira në të janë cilësore, edhe pse janë blerë me një çmim më të lirë. Për këtë, ministri solli shembuj të disa ilaçeve me përdorim të gjerë dhe kosto të lartë. “Bari Imatinib 100 mg tabletë. Këtë vit kemi 3 alternativa, nga Luksemburgu, nga Polonia, nga Zvicra. Vitin e kaluar kishte vetëm një alternativë dhe kushtonte për një njësi 3211 lekë. Këtë vit, i njëjti bar, i të njëjtit prodhues, kushton 2586 lekë. Nuk ka rritje të çmimit të asnjë bari në Shqipëri, por kanë hyrë edhe dy alternativa të tjera”, u shpreh Beqja. Gjithashtu ai sqaroi se skema rimburson 100% alternativën më të lirë, ndërsa për dy alternativat e tjera më të shtrenjta, qytetarët duhet të bashkëpaguajnë pjesën mbi çmimin e alternativës më të lirë. Këto deklarata Beqja i bëri dje gjatë analizës 8-mujore të punës së Qendrës së Kontrollit të Barnave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura