TEDxTirana Woman. Rrëfehen gratë

Dec 9, 2013 | 15:05
SHPËRNDAJE

Nga punimet e konferencës së zhvilluar nga “TEDxTirana Woman”
Paralelisht me 150 shtete të ndryshme të botës, për herë të parë iu bashkua edhe Shqipëria në aktivitetin e së premtes, organizuar nga TEDxTirana Woman. Kjo ngjarje, e cila u përcoll si një aktivitet ndryshe, duke sjellë si folës disa nga zërat më me ndikim në politikëbërje, por edhe shoqërinë civile tonën, arti, gazetaria bëri që përmes ligjërimeve dhe moderimit të hapur të kësaj konference, njëherësh edhe përmes përgjigjeve e pyetjeve  konkrete, të mund të evidentoheshin probleme që shqetësojnë femrën shqiptare, nga roli i saj në familje, punë, shoqëri etj. Një aktivitet që synoi të promovojë më shumë rolin e gruas në shoqërinë shqiptare, duke dëshmuar nëpërmjet eksperiencave personale se gruaja është një zë i rëndësishëm që mund të sjellë erën e ndryshimit në vendin tonë. Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, këngëtarja Elhaida Dani, Emanuela Pepkola, nëna e guximshme e një fëmije me sindromën Dawn, e cila e ka kthyer çështjen e saj personale në një kauzë shoqërore për të cilën punon çdo ditë, gjithashtu gazetarja Ilva Tare, e një tjetër femër pjesë e shoqërisë civile si aktiviste për personat me aftësi të kufizuara fizike, tetraplegjikja Suela Lala, e psikologia Anila Sulstarova treguan për eksperiencat e tyre në sferën profesionale e sociale edhe metodat përmes të cilave mund të shkohet drejt përmirësimit të dukshëm të figurës dhe rolit të gruas shqiptare në familje, shoqëri e gjetkë. Organizatorja e këtij eventi, Iris Xholi, u shpreh se “U zgjodhën këta emra, pasi janë jo vetëm femra të suksesshme në profesionet e tyre, por edhe përballë sfidave të ndryshme të jetës. Ato përcollën për publikun idetë dhe përvojat e tyre personale, që mund të shërbejnë si një shembull i mirë dhe frymëzim për ato qindra të tjera që i dëgjuan në sallë dhe nëpërmjet videove që do të postohen në internet. Ky event është një hapësirë e një karakteri multidisiplinor, ku zëri i femrave ngrihet fuqishëm dhe tregon se gratë mund të jenë arkitekte të ndryshimit po aq sa edhe burrat, në shumë raste edhe më shumë se ta. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse e sollëm edhe në Shqipëri si format”, u shpreh Xholi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura