Teatri, “se njerëzit e shtetit s’janë Shqipnia…”

Jun 15, 2018 | 11:10
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Tregon At Anton Harapi: “Kam ndodhë vetë aty kur nji shqiptar i vjetër, tue u ankue një ditë me At Fishtën për shpërdorime të disa nënpunsave të shtetit, gadi si i dishpruem i thotë: -Patër Gjergj, shporru Shqipniet, persé [sepse] Shqipni nuk ka! Fishta, i prekun prej shfrimit të plakut edhe i zemruem, por jo i trazuam, po don t’ia shpjegojë bashkëfolësit se njerëzit e shtetit s’janë Shqipnia… E atëherë plaku, për me i diftue se kishte mbetë i bindun, i thotë Fishtës: -Po na s’e kemi ditë mor zotni, veç prej jush e kemi mësue se shka asht Shqipnia… “1

Biseda e kahershme, që për mua u bë shtysë të shkruaj për të disatën herë për shembjen e Teatrit Kombëtar, është bërë në vitin 1923. Gati një shekull më parë. Kaq të tëhuajtura[të largëta] ishin bërë marrëdhëniet e njerëzve të shtetit me shtetasit, sa për shumicën e popullatës, lëshohej shfrimi i kobshëm: nuk ka mâ Shqipni…Edhe pse kishte kaluar vetëm dekada e parë që vendi i tyre, Shqipëria, ishte e lirë pas robërisë së gjatë. Tashmë me shtetin e vet, me Kuvendin dhe me qeverinë e vet e me zyrtarë shqiptarë.

Por ata, zyrtarët, njerëzit e shtetit pra, kaq shpejt ia kishin bërë borxh njerëzve mbarë të popullit sa “me t’u ndye vetja[këtu: neveritë], shfrenin ata e me të dalë ky gulç zemërimi e neverie për njerëzit e shtetit, tashmë jo të huaj e që ti i ke zgjedhë që të të administrojnë veten tënde, lirinë dhe pasurinë, mallin e gjënë dhe sigurinë e jetës. E mandej, në dëshpërim të thellë, njerëzia mbarë i drejtonin sytë tek ata të paktët shqiptarë të njëmendtë; te ata që e kishin provue para ndërgjegjes së kombit se punojnë për vendin, për Shqipërinë, për shqiptarët. Me punën e me veprën e tyre të njëmendtë. Këtë na e thotë historia, e shkuara jonë…

Po a nuk po ndodh kështu e gjithë ditën edhe sot ? Gati një shekull më vonë ? Rruga jonë e shtetformimit demokratik vërtitet në formë spiraleje dhe ngjitet thuajse hiç. Në krejt hapësirën demokratike që ne dëshirojmë ngjitja është astmatike. Asaj po i merret fryma prej të përpjetave të forta, të stisura. Edhe te kultura, gjithashtu. Tani, Kryeministri ka vendosë përfundimisht ta shembë Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Se nuk i pëlqen e nuk i intereson atij e diçka tjetër preferon të bëjë ai në vend të teatrit. Prishjen po kërkon ta rregullojë me ligj, që kështu ta taposë e ta bëjë të paprekshëm aktin e tij të rilindjes kulturore të Shqipërisë europiane.

Të ngritur “mbi gërmadhat e botës së vjetër”… E njerëzia, të habitur e të mpirë gjymtyrëve të mendjes, i kanë ngulitë shikimet e tyre në rrugën e ikjes. Të shporrjes prej këtu. Se…ky vend nuk bëhet (Se Shqipni nuk ka.) Bile duket se këtë ia kërkojnë edhe Mirush Kabashit e Robert Ndrenikës, të cilët me telat e shpirtit të ngritur deri në skaj të revoltës. E do pak të tjerëve si ata që kanë mbetur këtu në Shqipëri. Se ky vend nuk bëhet, thotë pikëllimi i tyre, (Se Shqipni nuk ka). Të ikin, duket sikur u thonë me apatinë e tyre, Mirushit, Robertit e atyre pak të tjerëve.

Njerëzve në shenjë në memorien e kombit, që me punën e veprën e vet na kanë treguar se e duan Shqipërinë më shumë se… njerëzit e shtetit. E duan teatrin e kulturën kombëtare shumë më shumë se ministresha e Kulturës. E se të tjerë ministra pararendës. Shumë më shumë se ata. “Sokrati” i Mirush Kabashit na ka bërë të ndihemi shumë më tepër shqiptarë se rituali i qokave të Kryeministrit tonë nëpër Ballkan e herë e herë në Europë. Dhe kur u pyet z.kryeministër pas protestës së parë të aktorëve se: a e ka dëgjuar Robert Ndrenikën, ai qe përgjigjur: “Unë nuk i dëgjoj ata që s’dinë se ç’kërkojnë …”

Kryeministri don pra me ngulm ta prishë teatrin. Teksa për t’u vënë në skenë “Gomari i babatasit” drama-satirë e Fishtës, prej veqilëve të tij drejtonjës atje, kërkohet që më parë të shihet (kontrollohet) teksti. Edhe pse e shkruar edhe ajo në vitin e largët 1923…E prapë kërkohet siguri se mos fshikullimi që u bëhet aty personazhit të kryeministrit e deputetit të marrë prej rruget e të sjellë në parlamentin e atëhershëm, do të “dogonisë” shefin e veqilit sot. Njësoj si atëherë…gati 100 vjet më parë.

1 “At Gjergj Fishta 1871-1940”, B. Dema 1941, fq. 51

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura