Teatri, një histori pa ngjashmëri me asnjë tjetër

Jul 28, 2018 | 20:06
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ Drama me shumë akte e Teatrit Kombëtar si histori, si ndërtesë dhe si truall, apo thënë ndryshe historia e përpjekjeve të një grupi të madh artistësh e qytetarësh për ta mbrojtur atë është e veçantë, e rrallë, e pangjashme, origjinale në shumë aspekte dhe rrafshe. Ajo po shkruhet e do të shkruhet si një betejë, ndoshta vendimtare, në barrikadën e vlerave dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Në këtë shkrim do të ndalemi vetëm të një prej pangjashmërive në fjalë: te ajo që ka të bëjë me kundërshtimet për shembjen e Teatrit në krahasim me kundërshtimet dhe përplasjet, që kanë shoqëruar disa prishje dhe ndërtime të mëparshme në qytetin e Tiranës. Nxitje për të bërë këtë krahasim apo sqarim më saktë, janë daljet e përditshme të palës qeveritare të kullave, që një e dy i mëshojnë ‘argumentit’ se ‘kështu kanë bërë këta edhe me parkun e lojërave për fëmijë të Liqeni, edhe me stadiumin ‘Qemal Stafa’, edhe me sheshin ‘Skënderbej’, edhe me Bulevardin e ri, edhe me Pazarin e ri”.

prec zogaj

Që kjo është një futja kot në debatin shumëplanësh për Teatrin e kupton kushdo që ka një minimum horizonti se çfarë është argument dhe çfarë është më the e të thashë në një debat të caktuar. Para se të thellohemi në këtë pikë, ia vlen të sqarohet se lista e shembujve është spekulative, e zgjatur me qëllim për t’u dukur sikur rastet janë shumë, pra, për të mbushur kacekun e trushpëlarjes progandistike, që është puna numër një e zotit Rama me shokë. Nuk di të ketë pasur një formë të organizuar kundërshtimi qoftë nga opozita, qoftë nga shoqëria civile kundër ndërtimit të Pazarit të ri, për shembull. Edhe në ka pasur ndonjë kundërshtim spontan, që unë nuk e kujtoj tani, jam i bindur se nuk ka marrë pjesë asnjë prej njerëzve që kundërshtojnë sot shembjen e Teatrit. Përkundrazi. Projekti i Pazarit të ri është lënë i gatshëm, si shumë projekte të tjera, nga bashkia e drejtuar prej Lulzim Bashës. E njëjta gjë edhe me projektin e Bulevardit të ri që dihet se u konceptua, u projektua dhe filloi se ndërtuari gjatë mandatit të Bashës. Kryebashkiakut të sotëm Erion Velia dhe administratës, që ai drejton, u ra shorti t’i finalizonin këto projekte dhe shumë të tjera më të vogla të mbuluara edhe me financimin e nevojshëm, siç ndodh gjithmonë me projekte të papërfunduara kur stafeta e drejtimit kalon nga një administratë në tjetrën. Debate ka pasur për dëmshpërblimin e familjeve të shpronësuara, jo për Bulevardin e ri si vepër. Pazari i ri është ndërkaq pikërisht shembulli që kërkohet të ndiqet edhe për Teatrin: restaurimin e traditës. Pra, krejt e kundërta me projektin e shembjes së Teatrit. Në vend që t’i përdorë sot pa sens si shembuj të kundërshtimit, kur nuk janë, zoti Veliaj do të kishte bërë mirë t’i kishte njohur, aq sa janë, si kontribute të paraardhësit. Në këtë mënyrë do të kishte investuar paksa edhe në kulturën e civilizmit, duke u distancuar nga sindroma e vitit zero e zotit Rama.

Kundërshtimin me të fortë opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile e kanë pasur për parkun e lojërave në parkun e Liqenit. Kundërshtimin dhe qëndrimet për projektin e ri të sheshit “Skënderbej”, që iu dha po firmës “Fusha”, opozita nuk e ka pasur shumë të thellë. Për stadiumin “Qemal Stafa” ka spikatur më shumë zëri kundërshtues i disa organizatave dhe individëve nga shoqëria civile. Nuk ia vlen të riprodhojmë debatin e zhvilluar dhe arsyet e palëve. Ajo që mund të thuhet sot, është kjo: këto projekte nuk kanë qenë as baste, as ushtrime matematike, as eksperimente, për të cilat si përfundim ka dalë se ka fituar qeveria. Kanë qenë thjesht zgjedhje të Ramës dhe të kryebashkiakut Velia. Ata i kanë mbrojtur dhe le t’i mbrojnë pa fund këto zgjedhje. Fakti që i kanë realizuar duke sfiduar kundërshtimet, i ka të dy anët e medaljes: ka edhe vendosmërinë, ka edhe arrogancën. Ata mund të mburren që nuk kanë marrë parasysh asnjë kundërshtim të opozitës apo shoqërisë civile për të bërë atë që kanë në dorë të bëjë. Por kjo nuk vërteton në asnjë rrethanë se e drejta ka qenë dhe është vetëm me ta. E drejta zakonisht shpërndahet, lëviz. Dhe është fat që ka debate, kundërshtime, alternativa të ndryshme. Drejtuesit me formim demokratik përballen me palën kundër me argumentet e tyre për të drejtën e tyre, por nuk diabolizojnë kurrë kundërshtimin. Përkundrazi, e konsiderojnë vlerë, e inkurajojnë. Vetëm mendjet e prishura mund ta trajtojnë e denigrojnë kundërshtimin në një mënyrë të tillë që të mos ketë kurrë kundërshtim. Siç po e shohim në përplasjen për Teatrin, ku pala e kullave e ka bërë “argumentin” kryesor atë që “kështu kanë kundërshtuar edhe për këtë, edhe për këtë, edhe për këtë”. Edhe po të jetë krejt e vërtetë – më lart provuan se lista nuk është krejt e vërtetë – ky nuk është fare argument. Edhe po të jetë Teatri një histori e ngjashme me projektin e stadiumit apo parkun e lojërave.

Por Teatri është në fakt një histori, që nuk ngjan me asnjë tjetër, një histori e arrogancës ekstreme e veshur me një paligjshmëri ekstreme në një periudhë kur është shfunksionalizuar Gjykata Kushtetuese. Që do të thotë se, ligjit pa precedent, që i hap rrugën shembjes së Teatrit për llogari të kullave të një firme private, e cila ka vetëm tre për qind të tokës aty, i është mohuar de fakto shansi i ankimimit. Të gjitha gjërat, që ka bërë qeveria për ketë aferë, janë kombinuar në mënyrë të tillë që ta padisin në sytë e publikut dhe ndërkombëtarëve si afera korruptive më flagrante e kohës që jetojmë. Edhe po të mos ishte. Që rezistenca për Teatrin është e pagjasë, e tregon edhe ky fakt: njerëzit që protestojnë, që flasin, që shkruajnë – artistë, intelektualë, qytetarë – nuk kanë marrë pjesë shumë prej tyre në protestat e mëparshme. Do të mjaftojë vetëm ky fakt që qeveria të heqë dorë nga mistrecllëku propagandistik “kështu kanë bërë edhe më parë” dhe pastaj nga gjithë projekti i uzurpimit të truallit të Teatrit dhe shembjes së tij. Por pala e kullave e vijon betejën me truke. Pala kundërshtare me rezistencë ballore. Dje u shpreh me dekret për ligjin e Teatrit Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta. Ai e ktheu ligjin për rishqyrtim, duke i dhënë një shans reflektimit të qeverisë. Presidenti mbajti një qëndrim ligjor që fiton një rëndësi të shtuar në kushtet kur nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Presidenti i dha rëndësi këtij vakumi për një ligj kaq të debatuar, që ka ndarë mbarë shoqërinë. Presidenti mbajti parasysh edhe zërin e artistëve. Madje, edhe të atyre që i kishin dërguar dje një peticion ku kishin kërkuar të mos preket asnjë centimetër e truallit. Nëse ka një pikë ku bashkohen të gjithë artistët është pikërisht kjo: të mos preket asnjë centimetër i truallit. Trualli i Teatrit është rreth gjashtë mijë metra katrorë. Ka pasur një dallim midis artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit dhe atyre, që janë dakord për një Teatër të ri pa prekur asnjë centimetër të truallit. Në këtë dallim të vogël, qeveria ka rrëshqitur kullat e saj. Këtu është luajtur truku. Tani artistët kanë mundësi të sqarohen për këtë pikë, të bashkohen pa dallime si të ndryshëm për truallin. Trualli të mos preket. Firma “Fusha” me treqind metrat e veta dhe bashkia me dymijë e ca të vetat të bëjnë ç’të duan. Problemi zgjidhet këtu. Ligji bie.

*Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura