Teatri, nga Rama te Veliaj të denoncuar, pedagogu Ervin Goci flet për rolin e drejtësisë

Jun 12, 2020 | 14:23
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar ditën e djeshme një tjetër kallëzim në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Ndër të paditurit janë edhe Kryeministri Edi Rama, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ky është kallëzimi i gjashtë që bëhet nga Aleanca dhe mban firmën e 12 qytetarëve dhe aktivistëve të angazhuar pranë saj, ku kërkohet ndjekja penale për personat në fjalë, për “Shkatërrim të pronës”, “Shkatërrim të veprave kulturore”, “Shpërdorim të detyrës”, “Korrupsion të lartë pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” etj.

Ervin-Goci-Aktivist-i-Teatrit-Tirane-17.05.2020-4_1

Kujtojmë se ndonëse ishin bërë 4 kallëzime nga Aleanca në Prokurorinë e Tiranës dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar para 17 majit, ato nuk e ndalën shembjen e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vetëm dy ditë para se autoriteti të thoshte fjalën e fundit përmes forcave policore dhe fadromave, u bë me dije se SPAK regjistroi kallëzimin penal, bërë nga AMT-ja në 6 maj, mirëpo përsëri pushteti lokal dhe ai qendror nuk u tërhoqën nga synimi për “asgjësim” të kompleksit historik teatror.

Pedagogu, gazetari dhe aktivisti Ervin Goci tregon se ekzistojnë një zinxhir shkeljesh ligjore, që janë bërë lidhur me vendimmarrjen për prishjen e objektit dhe për të vënë autorët përkatës përpara përgjegjësisë. Ata bënë këtë javë dy kallëzime, një në Prokurorinë e Tiranës dhe i fundit në SPAK.

Në kallëzimin e së hënës, Aleanca denoncoi të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që votuan për prishjen e kompleksit teatror, Këshillin Teknik që miratoi lejen për ndërtim duke tejkaluar kompetencat dhe drejtorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, Mariglen Qato. Qytetarët e angazhuar në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, prej 2 vitesh e 4 muaj, akuzojnë të sipërpërmendurit për “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim të pronës” dhe “Shkatërrim të veprave kulturore”. Ervin Goci, për “Panoramën”, tregon se për zbardhjen e veprimeve antiligjore në çështjen e Teatrit janë angazhuar disa nga juristët më të mirë.

“Nëse nuk merren vendimet e duhura, do të thotë se fatkeqësisht paligjshmëria ka marrë përmasa kaq gjigante, saqë ata nuk kanë guximin për të goditur njerëz që janë më lart dhe praktikisht, i gjithë procesi delegjitimohet”, shton ai. Si një nga dëshmitarët e 17 majit, Goci tregon edhe për dhunën e ushtruar gjatë atij mëngjesi. Pedagogu jep versionin e tij edhe për supozimet e përfolura, për prani lëndësh eksplozive atë natë në Teatër.

Këtë të hënë keni bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, në çfarë konsiston ky kallëzim dhe çfarë prisni më tej?

Ne po mundohemi të vendosim përpara përgjegjësisë edhe nivelin e dytë të administratorëve, që janë përfshirë në vendimmarrje për çështjen e Teatrit Kombëtar. Pra, bëhet fjalë për anëtarët e Këshillit Bashkiak, Këshillin Teknik që miratoi lejen, deri tek Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, që është ekzekutuesja e vendimit. Të gjithë këta janë bërë pjesë e një vendimmarrjeje të paligjshme dhe ndonëse janë në institucione të ndryshme, kanë bërë një shkelje në bashkëpunim. Ndaj, ne bëmë një kallëzim të përbashkët për ta. Shkeljet që janë bërë janë të shumta. Përmend këtu faktin se Këshilli Bashkiak nuk ka asnjë të drejtë ligjore për të marrë vendim për prishjen e Teatrit Kombëtar, pasi kjo nuk është në juridiksionin e tij. Flasim për një godinë që është institucion qendror dhe me të mund të merrej vetëm Ministria e Kulturës dhe sa i përket shembjes apo lejes së ndërtimit që ka dhënë Këshilli Teknik, këto do të ishin nën kompetencat e Këshillit Kombëtar të Territorit. Po aq antiligjore sa VKM-ja e kalimit të pronësisë nga Ministria e Kulturës bashkisë, është edhe fakti se një pjesë e territorit gjatë këtij vendimi mbetet jashtë. Pra, mbetet për t’u shtruar pyetja se si e mori vendimin për shembje të kësaj pjese Këshilli Bashkiak, kur sipas shkresave, kjo pjesë nuk i ka kaluar bashkisë.

Sipas asaj që kanë argumentuar, godina përbënte rrezikshmëri të lartë, por këtu harrohet se Teatri Eksperimental ishte një godinë e restauruar tërësisht. Atëherë është e paqartë se pse krahas Teatrit Kombëtar, shembën edhe Eksperimentalin.

Më 15 maj ju bëtë edhe një tjetër kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, për 3 nga inxhinierët që përpiluan aktekspertizën për prishjen e godinave teatrore kombëtare…

Po, ai ishte një kallëzim për “Shpërdorim detyre” për tre inxhinierë që firmosën ekspertizën, pasi ata nuk kishin targetin për ta kryer këtë procedurë. Inxhinierët që kanë firmosur i janë referuar aktit të 2018-ës së Institutit të Ndërtimit, të cilin ne e kemi kontestuar si të pavlefshëm. Kujtoj këtu se, tre nga pesë inxhinierët që kanë firmosur aktin nuk kanë qenë asnjëherë në objekt dhe kanë propozuar në bashki shembjen, pa bërë asnjë konstatim nga afër.

Ju, si Aleancë, keni bërë tashmë tre kallëzime në Prokurorinë e Posaçme SPAK, çfarë masash janë marrë deri më tani?

Ne dimë se dy kallëzime janë marrë në konsideratë nga SPAK-u. Pra, ata i kanë regjistruar dhe kanë nisur verifikimin. Nuk mund të them se ç’do të ndodhë më tej me këto çështje, nëse do të hapen apo jo. Ajo që mund të them me siguri, është se kallëzimi për 3 inxhinierët nga Prokuroria e Tiranës është marrë në konsideratë dhe kjo është e konfirmuar, pasi 3 inxhinierët janë thirrur në Prokurori. Ne presim që ata që shkelën ligjet, të vihen para përgjegjësisë. Nëse nuk do të kemi asnjë vendim, do të kuptohet se fatkeqësisht, paligjshmëria ka marrë përmasa kaq gjigante, saqë ata nuk kanë guximin për të goditur njerëz që janë më lart dhe praktikisht, i gjithë procesi delegjitimohet.

Në të njëjtën ditë që ju bëtë kallëzimin për 3 inxhinierët, u bë e ditur se SPAK-u nisi hetimet për kallëzimin penal që Aleanca bëri kundrejt kryetarit dhe nënkryetarit të bashkisë (si dhe marrjen e masës sekuestro preventive për truallin e Teatrit). Mirëpo, pavarësisht kësaj, 2 ditë më vonë Teatri u shemb. Si e shikoni ju koordinimin e institucioneve të drejtësisë me pushtetin lokal apo atë qendror?

Dua të qartësoj se ne në Prokurori mund të çojmë kallëzime për shkelje procedurale dhe jo për pozicionin tonë politik. Pozicioni ynë politik është se ne jemi dhunuar, pasuria kombëtare publike është dhunuar dhe kjo është bërë jo thjesht për aferën e kullave, që është e qartë si dielli, por edhe për të krijuar terror. Pra, është bërë për të krijuar frikë, për të thyer një rezistencë të paprecedent si kjo, prej 2 vitesh e 3 muajsh. Ajo që ndodhi ishte mbi të gjitha për të treguar se, “ata që vënë rregullat jemi ne”. Praktikisht, kjo është një lloj tiranie, është një lloj komunikimi ku ata të thonë: “Mos guxo të bësh gjë, se unë vij dhe të shpartalloj me 1000 a më shumë policë”. Pra, ky ishte mesazhi dhe ne këto nuk i denoncojmë dot në Prokurori, se këto janë pozicione politike.

A ishte e mundur, sikundër kemi dëgjuar të përflitet se nëse ju si Aleancë bënit një kallëzim 24 orë nga shembja, ekzistonte mundësia që mbetjet e Teatrit të ruheshin në një lloj forme, për t’u përdorur më pas për rindërtimin…

Nuk është e lehtë të bësh një kallëzim për 24 orë, pasi ka një sërë procedurash. Përpos kësaj, Prokuroria që e merr përsipër ka disa afate dhe është e vështirë që të pretendojmë se brenda 24 orëve mund të ishte bërë diçka. Nëse do të funksiononte kështu, ne denoncimet i kishim bërë më herët për aferën e Teatrit. Pra, nëse Prokuroria do të kishte vepruar, do t’i kishte ndaluar autoritetet që të bënin ndonjë lloj veprimi pa u sqaruar çështja e hetimit. Dhe ky është fataliteti, se e gjitha kjo do të thotë që në këto hetime Prokuroria nuk ka vepruar, sepse institucionet i kanë pasur denoncimet atje. Ne kemi bërë të paktën 5 denoncime për çështjen në fjalë.

Pas 17 majit dëgjuam nga autoritetet që kërkuan shembjen e godinës fjalë hipotetike, se masat e rrepta që u morën atë mëngjes ishin për shkak të një sinjalizimi se në Teatër mund të ndodhte diçka nga ata që ruanin godinën. U përfol deri edhe për lëndë eksplozive…

Mendoj se ka ardhur koha ta qartësojnë nëse erdhën për të liruar godinën, apo për të çmontuar eksplozivin e mundshëm, sepse këto janë dy operacione krejtësisht të ndryshme. Mirëpo, përderisa ende nuk e kanë ndarë mendjen as vetë, kuptohet që nuk kanë guximin që të qartësojnë opinionin publik. Çka do të thotë se ata erdhën për të ushtruar dhunë dhe pa pasur asnjë skenar në kokë e aq më pak letra procedurale. Thanë fillimisht se erdhën për të liruar godinën. Atëherë, në momentin që konsiderojnë se aty mund të ketë eksploziv, duhet të ndërmerrej një operacion për çmontimin e tij dhe neutralizimin e akteve terroriste. Sepse, nëse do kishte eksploziv, do ishte terrorizëm. Mirëpo, nuk u bë asgjë nga këto. Madje, ata i futën edhe vetë policët pa asnjë lloj mase mbrojtëse. Meqenëse janë shqetësuar nga një sinjalizim i mundshëm, ata duhet të mbronin jo vetëm policët, por edhe ne të tjerët. Kemi qenë afro 50 veta aty, nuk mund të kemi qenë të gjithë elementë të ndonjë organizate terroriste. Pra, ata duhet të na ruanin edhe ne dhe pasi të mbaronin operacionin për kërkimin dhe gjetjen e eksplozivit, të largoheshin, jo të shembnin godinën. Por mbi të gjitha, shtroj pyetjen: Nëse ata kanë pasur ndonjë të dhënë për eksploziv, atëherë përse nuk na kanë denoncuar?

Mëngjesin e 17 majit keni qenë në ambientet e Teatrit. Si e kujtoni ngjarjen?

Unë isha jashtë, derisa në një moment të caktuar futem brenda dhe po pushoja në një nga krevatet portative. Isha shtrirë, kur dëgjova të thërrisnin me të madhe: Policia! Policia! M’u desh pak të kuptoja se çfarë po ndodhte. Më pas u ngjitëm lart për të ruajtur godinën. Ishin rreth 7-8 veta që u mbyllëm në një dhomë dhe nuk po lëviznim prej aty. Kujtoj se Policia as që nuk bëri kontrollin e gjithë godinës. Ata ishin tërësisht të papërgatitur, ishin futur në operacion pa pasur asnjë hartë, asnjë lloj të dhëne. kjo është shumë shqetësuese, sepse aty në ato rrethana mund të ndodhte gjithçka. Në momentin që futen forca me automatikë për të bërë terror, dikush nga paniku mund të bënte ndonjë veprim dhe në atë errësirë totale mund të ishte vrarë ndonjë njeri. Mund të vrisnin, sepse edhe vetë polici, në një situatë të papritur, nga një lëvizje apo veprim tjetër, mund të shtinte. Nuk di ta shpjegoj se si u futën policët pa ndriçim, pa hartë, pa njohur strukturën e godinës, pa ditur se ku do lëviznin dhe çfarë do bënin.

Hasët akte dhune nga ana e forcave policore ditën e shembjes?

Akte dhune ka pasur. Mua vetë më kapën fillimisht dhe për të më shtyrë, më godisnin nga pas. Të gjithë personat që janë munduar të rezistonin pak fizikisht, janë tërhequr zvarrë në mënyrë të dhunshme. Për shembull, artisti Pleurad Xhafa është dhunuar shumë rëndë. Ai ka shkuar direkt në spital, sepse i kishin ndrydhur kaviljen në atë pikë, saqë nuk ecte dot. Pra, është e qartë se ka pasur akte force dhe dhune, që vazhduan edhe gjatë ditës, kundrejt atyre që protestuan. U dhunuan shumë të rinj. Kujtoj këtu se, përveç mëngjesit që ishte shumë agresiv, pasdite u ushtrua dhunë edhe ndaj studentëve të “Arteve”. I kemi parë pamjet, njërit i kanë çarë daullen e veshit dhe këto janë të vërtetueshme përmes mjekësisë ligjore. Ka pasur së paku 4-5 veta të dhunuar rëndë dhe kjo tregon se situata ka qenë shumë abuzive. Është thënë se ka pasur të dhunuar dhe nga ana e policëve, por nuk është dhënë asnjë informacion se cilët janë të dhunuarit që ata pretendojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura