Teatri Kombëtar, 22 projekte në garë për kalendarin e ri

Jun 25, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE


Shekspiri tragjik e komik, Eskili, Aristofani, por edhe Çehovi e Pirandelo… Këto janë disa nga përzgjedhjet e regjisorëve shqiptarë, që pretendojnë të jenë pjesë e sezoneve teatrore 2015- 2016 dhe 2016-2017. Janë 20 regjisorë me 22 projekte, që i janë përgjigjur thirrjes së Teatrit Kombëtar, për hartimin e kalendarit të ri artistik. Duke iu përshtatur edhe kërkesave e preferencave të institucionit, regjisorë të njohur e më pak të njohur nga Tirana, por edhe jashtë kufijve, kanë përzgjedhur autorë e vepra të mëdha, tragjedi e komedi. Ndër emrat konkurrues për këtë sezon janë Spiro Duni, Mehmet Xhelili, Kastriot Çipi, Altin Basha, Driada Dervishi, Sulejman Rushiti, Laert Vasili, etj.

Shpreh dëshirën për t’iu rikthyer regjisë, me gjithë barrën e drejtuesit të institucionit, Hervin Çuli, të cilin në sezonin që lamë pas e pamë në pozicionin e aktorit, në dramën “Vrasja e Maratit”. Synon regjinë edhe aktori Viktor Zhusti me një vepër të David Harrower. Ndër ta, vetëm Duni e Vasili paraqiten me nga dy projekte. PROJEKTET Në 22 projekte, vetëm dy janë vepra shqiptare, ndërsa të tjerat, të shkëputura nga dramaturgjia botërore. Ajo çka të bie në sy në listën e shpallur nga TK, është prania e dendur e veprave të Shekspirit. Regjisorë të ndryshëm kanë përzgjedhur si kalë beteje pikërisht Shekspirin, në profilin e tij tragjik e komik.

Kështu, regjisorja Elma Dorezi, e cila e ka konfirmuar disa herë suksesin e saj në zhanrin e komedisë, ka përzgjedhur “Zbutja e kryeneçes”. Një nga ato vepra që ka mbetur në mendjen e spektatorit përmes interpretimit të aktorëve Yllka Mujo e Artan Imami, në një vënie të Fatos Haxhirajt të vitit 1988. Klejd Kapexhiu ka përzgjedhur një nga tragjeditë e mëdha shekspiriane, “Makbethin”, Olta Çali “Tri magjistricat”, ndërsa Rozi Kostani ka përzgjedhur komedinë “Shumë zhurmë për asgjë”. Kanë preferuar antikitetin Spiro Duni e Laert Vasili, konkretisht me “Pushtetin e grave” të Aristofanit dhe “Persët” e Eskilit. Hervin Çuli kërkon të rikthehet me “Tri motrat” e Çehovit. Të tjerë autorë të përzgjedhur janë edhe O’Niell, Strindberg, Orton, Havel, etj.

Sa u përket veprave shqiptare, ato janë përzgjedhur nga Altin Basha, i cili i beson sërish një vepre të dramaturgut Stefan Çapaliku, “Made in Albania” dhe Saimir Gongo, sërish me një vepër të vetën, të titulluar “Rrjeta”. Nga këto projekte do të dalin edhe veprat që do të ngjiten në skenën e Teatrit Kombëtar gjatë sezoneve në vijim. Sipas drejtorit Hervin Çuli, pritet që bordi i TK të mblidhet në fillim të muajit korrik, për të marrë në shqyrtim projektet në fjalë. Më herët, Çuli është shprehur se me gjithë vështirësitë financiare me të cilat përballen institucionet shtetërore shqiptare, TK po përpiqet të stabilizojë repertorin e teatrit, duke përzgjedhur vepra dinjitoze të huaja e shqiptare, të ftojë emra të rëndësishëm të regjisurës shqiptare, gjithashtu t’u hapë derën edhe të rinjve të talentuar.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura