Të shpërdorosh mikpritjen e fqinjit

Nov 10, 2018 | 11:54
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

leonidha-mertiri-150x150Në një ceremoni mortore, si e pardjeshmja në Bularat, nuk mund të ndodhë kurrë ajo që ndodhi. Qëllimi ishte i qartë, sikurse u pa: Të kthehej kjo përcjellje në një shfaqje të hapur raciste nga të ardhurit nga Greqia, duke mos përfillur e nëpërkëmbur dhe kodin e vdekjes, pa folur për ndonjë farë respekti të vetë atyre ndaj viktimës. Dhe jo se nuk mund të pritej kjo. Por një shpërdorim i tillë i respektit ndaj fqinjit kapërcen çdo imagjinatë. I zoti i shtëpisë, sipas zakoneve tona të njohura tradicionale, i bën gjithë nderimet njeriut që largohet nga jeta, duke u hapur dyert tërë atyre, si në rastin konkret, që dëshironin të ishin në këtë përcjellje. Por e pardjeshmja në Bularat tregoi tjetër gjë. Të ardhurit nga vendi fqinj, Greqia, të përkrahur dhe nga vendës, minoritarë grekë, me kokë të nxehtë dhe ekstremistë si ata, e shpërdoruan tërë këtë respekt të palës shqiptare, i veshur i gjithë me një urtësi e tolerancë të paimagjinueshme.

Pavarësisht ç’ishin ata, MAVI-stë apo të “Agimit të Artë”, të gjithë i bashkonte i njëjti qëllim, kurrsesi respekti për të vdekurin, por ndezja e zjarrit të konfliktit midis dy vendeve tona. Qetësia, durimi i strukturave shtetërore vendase, edhe pse, sikurse është parë dhe këto ditë, shumë njerëz nuk janë dakord me këtë qëndrim, nuk pati asnjë ndikim tek abuzuesit e mikpritjes sonë. Përkundrazi. Me sa duket, përballë planeve të tyre ogurzeza, kjo sjellje është marrë për dobësi, inferioritet nga zjarrvënësit, për të shkuar dhe më tej, duke nëpërkëmbur ligjet vendase. Në mes të vatrës shqiptare, me ndërgjegje të njësuar dhe të stisur, trashën zërin dhe kërcënimet “për të çliruar dhe marrë Vorio Epirin grek”, “për të pirë gjakun e shqiptarëve”.

Kurrkush prej tyre nuk iu fal mikpritjes, madje, çuditërisht dhe vetë deputetët e Parlamentit shqiptar, Dule dhe Tavo. Si mund të duronin këta të fundit dhe t’u bashkoheshin thirrjeve të terroristëve të ardhur nga shteti fqinj, teksa britmat çjerrëse të tyre fanepsnin kasaphana ndaj vëllezërve të tyre shqiptarë, me të cilët ata, minoritarët e tjerë pjesëmarrës të komunitetit grek, farefisi, kanë ndarë së toku gëzimet dhe hidhërimet. Nga ana tjetër, a mund të përfaqësohen në këtë mënyrë nga deputetët e mësipërm interesat e zgjedhësve, të drejtat e tyre?

Një atentat real ky ndaj miqësisë midis dy vendeve dhe popujve tanë për të hedhur sa më shumë helm ndaj saj dhe dinjitetit të kombit. Pyetja, e cila me të drejtë është bërë dhe gjatë këtyre ditëve te ne, se a mund të bënin të njëjtën gjë në Greqi dhe njerëzit tanë, është krejt e qartë: Kurrë, edhe pse dhe te ne nuk mungojnë nacionalistët e çartur. Historia, edhe për këtë, e marrëdhënieve tona dypalëshe është dëshmitarja më konsekuente. Ndërkohë, nacionalizmi nuk mund të luftohet me nacionalizëm. Edhe shpura e nacionalistëve s’mund të ngatërrohet me masën e gjerë të njerëzve. Ekstremizimi, politizimi qysh më parë edhe nga disa qeveritarë grek i incidentit të Bularatit, nuk mund të mos i ndihmonte këto qarqe në tensionimin e situatës, për të cilën u ndalëm në këtë shkrim. Vështirë gjithashtu, që opinioni grek të pajtohej tërësisht me këto qëndrime. Qeveritë, diplomacia e të dyja vendeve gjithashtu, nuk mund të bëhen viktima të tyre. Cipras, Kryeministri grek, edhe pse në një situatë jo shumë të favorshme, duhet t’u japë më shumë jetë proceseve inkurajuese midis palëve, për të cilat është shprehur shumë optimist. Sikurse duhet të ndodhë kjo edhe me ne. Shtimi i kontakteve, bisedimet midis palëve, edhe më tej duhet të flasin për të kundërtën, pavarësisht tensioneve që shfaqen hera-herës, me dëshirën ndërkohë, për t’i parë gjërat në sy e me më shumë besim te njeri tjetri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura