Të moshuarve iu grabiten lekë dhe flori, i fshehën në jastëk

Aug 31, 2013 | 13:29
SHPËRNDAJE

Banesa e grabitur dje në Korçë
Grabitet në mes të ditës banesa e të moshuarve, autorët marrin 1.2 milionë lekë dhe bizhuteri floriri. Ngjarja është regjistruar të enjten në Lagjen 17, në kohën kur çifti Trimi ishte larguar për pak orë. Pasi janë kthyer në apartamentin e tyre, i cili ndodhej në katin e parë të një pallati 5-katësh, ata kanë gjetur gjithçka të shkatërruar, ndërsa në vendin ku ishin fshehur lekët dhe bizhuteritë nuk kishte më asgjë. Sipas të dhënave, personat kanë hyrë nga ballkoni i apartamentit, i cili ndodhej në katin e parë dhe rrethohej me gardh. Autorët kanë lëvizur kangjellat e ballkonit, kanë thyer njërën prej dritareve dhe kanë hyrë në banesë. Xheladin Trimi, 80 vjeç, mes tronditjes ka pohuar se atë shumë lekësh e kishin grumbulluar nga vajza, emigrante në Itali.
Si ka ndodhur ngjarja?
Kishim shkuar me bashkëshorten në shtëpinë e vajzës për t’u kujdesur, pasi ajo nuk jeton këtu. U larguam rreth mesditës dhe e kyçëm derën kur ikëm. Pasi bëmë disa punë të vogla atje, rreth orës 17:00 u kthyem në shtëpi. Hapëm derën me çelës, kur ç’të shohim. E gjithë shtëpia ishte përmbysur. Gjithçka ishte hedhur në tokë, raftet ishin zbrazur, dollapët, çdo gjë. Unë menjëherë i thashë bashkëshortes që të kontrollonim për lekët dhe florinjtë, por kur kontrolluam mes rrëmujës, pamë se ato mungonin.
Ku i kishit vendosur lekët dhe bizhuteritë dhe çfarë vlere kishin ato?
Kishim 12 milionë lekë të vjetër dhe një pjesë bizhuterish, që shkojnë rreth 4 milionë lekë, të cilat bashkëshortja ime i kishte futur në një portofol dhe i kishte vendosur në brendësi të një jastëku dhe më pas e kishte qepur. Një pjesë tjetër bizhuterish floriri i kisha unë në një dollap me çelës. Të dyja vendet ishin bosh, kishin marrë ç’kishin gjetur.
Pse mbanit gjithë këtë shumë në shtëpi?
Ne jemi të dy të moshuar, unë jam 80 vjeç, kurse gruaja ime 73. Me moshën kemi edhe problemet shëndetësore, ndaj dhe i kishim tërhequr nga banka këto lekë se nuk i dihet shëndetit tonë.
I kishit kursimet tuaja?
Ç’kursimet tona?! Me dy pensione do të bëheshin gjithë ato lekë?! Ishte djersa e vajzës sonë ajo që morën. Është emigrante në Itali. Na dërgonte sa herë kishte mundësi dhe ne i kishim grumbulluar që t’i kemi, por shiko si përfunduan. Ne kemi 6 fëmijë dhe sipas mundësive na kanë ndihmuar e i kemi ndihmuar, por kjo që na ndodhi ishte e rëndë. Nuk e di kush e ka bërë, askush nuk e dinte për lekët.

KORÇE/ DHORJELA ÇULE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura