Të huajt, një guidë fotosh në “Tiranën alternative”

Jun 30, 2011 | 11:05
SHPËRNDAJE
Disa nga fotografitë e ekspozuara në “Alternative Tirana”, hapur në galerinë “Zeta”

Nëse rrugës shohim një burrë a grua të ngarkuar me një mal bidonësh uji bosh, për ne kjo nuk përbën ndonjë pamje të rrallë.Fundja ne mund të jemi vendi me më shumë depozita uji mbi çatitë e shtëpive e pallateve, në të gjithë Europën. Por, për një të huaj, kjo është një pamje e çuditshme. Siç mund të jetë një shtyllë elektrike në mes të rrugës së makinave, bunkerët, të lënë si dëshmi e shpërdorimit ekonomik nga diktatura, apo pallatet me ngjyra, që së fundi janë bërë si të shpëlara. Në ambientet e galerisë “Zeta” është hapur ekspozita fotografike “Tirana alternative”. Përmes dy videoprojektorëve shfaqen njëra pas tjetrës qindra foto, që na ofrojnë vende, portrete, situata, sa të zakonshme, aq edhe të çuditshme. Kjo ekspozitë vjen në vazhdën e projektit “Arcipelago Balkani” ideuar nga Claudia Zanfi, në bashkëpunim me Zyrën e Kulturës së Komunitetit Europian, “Alterazioni Video” (Milano, Berlin, New York). Tirana ishte stacioni i parë. Ishte premiera e shfaqjes së një “Tirane alternative” (Alternative Tirana) përmes 500 shkrepjeve në polaroid, realizuar gjatë qëndrimit të fotografëve në Shqipëri, gjatë verës së vitit 2010.
Fotografitë
Ekspozita është kuruar nga Claudia Zanfi e artisti Edi Muka. Artistët pjesëmarrës janë Paololuca Barbieri Marchi, Alberto Caffarelli, Matteo Erenbourg, Andrea Masu dhe Giacomo Porfiri. Disa prej tyre kanë ardhur vërtet në Shqipëri, e kanë përshkuar atë, kanë vëzhguar realitetin, duke përfituar prej faktit se ata nuk janë vendës në këtë terren. Janë ndier si çdo turist. Bëhet fjalë për një gjendje të veçantë mendore të vëzhgimit aktiv dhe imagjinativ, në të cilin ndodhet çdo udhëtar apo turist në një vend të huaj. Ata mahniten nga realiteti që i rrethin, ndoshta pikërisht sepse nuk arrijnë ta kuptojnë dot deri në fund atë që shohin. Ndërsa të tjerët kanë përzgjedhur një tjetër mënyrë. Kanë “naviguar” më rrjetin social “Facebook” dhe kanë nxjerrë që aty lloj-lloj fotosh që vetë shqiptarët i kanë publikuar në faqet e tyre on line. Dhe, përveç një këndvështrimi të të huajve për Shqipërinë, është edhe ai i vetë shqiptarëve për të.
Bëhet fjalë për gjithçka, foto sheshesh, ndërtesash të ngjyrosura “a la Edi Rama”, ceremoni dasmash, fëmijë që luajnë në rrugët e pluhurosura, situata nga më të zakonshmet dhe intimet, ku tregohen shqiptarët në kontekstin ku jetojnë. Por në fokusin e artistëve nuk mund të jetë edhe simbioza mes të shkuarës dhe të ardhmes, e cila reflektohet qoftë në ngjyrat për të gjallëruar pallatet gri të ndërtuara në kohën e diktaturës, po një bunker i kthyer përmbys, i mbushur me dhe e ku gjelbëron një palmë. Arkitektura është një tjetër pikë ku janë drejtuar aparatet. Pallate e ndërtesa nga më të çuditshmet, sajesa ballkonesh e cepash në pallatet e vjetra, të cilat e bëjnë Tiranën një kryeqytet që nuk ka të dytë në Ballkan. Një hibrid në tentativë për të dalë nga grija e së kaluarës e për t’u përshtatur me ritmet e jashtëzakonshme të një sistemi 20-vjeçar.
Këndvështrimi
Ajo që të bie në sy është se mes atyre qindra fotove, nuk shihet ndonjë peizazh normal, pa ndonjë tabelë që të tregon ndonjë lavash, ku nuk ka një mbishkrim parkingu dhe një pulë që kalon aty pari, portrete të çuditshme, plazhe me bunkerë… Ulur në stolat e “Zetës”, teksa sheh foto e foto pa fund, pyet veten: vërtet unë jetoj në një vend kaq të çuditshëm?! Apo mos duhet të pyesim: kaq të çuditshëm iu dukemi të huajve?! E duket se qenka kështu, përderisa ky është materiali fotografik i ofruar, i cili ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të huaja, kryesisht atyre italiane, si “Corriere della Sera”, “Expresso”, që u kanë kushtuar hapësira në faqet e tyre.
LavaZh falas
Mund të lexohet me theks tek a-ja (festë) apo me theks tek i-ja fundore dhe të nënkuptosh parti politike. Kjo është loja e fjalëve dhe e kuptimeve, me të cilat operojnë organizatorët e “Tiranës Alternative”, të cilët përveç ekspozimit të fotografive në ambientet e galerisë private “Zeta”, ditën e hapjes së ekspozitës organizuan edhe një performancë, të titulluar “Lavazh special parti”. Nuk ishte gjë tjetër veçse një larje kolektive makinash në sheshin “Italia”. Autobote me ujë, sapunë e sfungjerë dhe makina që shkëlqejnë. Qëllimi nuk ishte thjesht të lanim ca makina. Fundja për këtë nuk na zë shumë meraku. Ishte një lloj metafore sensibilizuese për një ambient më të pastër (nuk mungonin edhe parullat: “Për një Shqipëri të pastër”), por jo thjesht në kuadrin ekologjik, por edhe politik. Duket se ka ardhur koha që edhe politika apo partitë politike veç e veç t’i nënshtrohen një pastrimi, për të larguar nga vetja gjithë zhulin dhe ndotjen, me të cilin është ngarkuar, sidomos muajve të fundit. Pjesëmarrja ishte e konsiderueshme. Ja njerëzit po bëhen më aktivë në grumbullime të tilla sensibilizuese, ja kishin nevojë për një lavazh falas të makinave. Gjithsesi, mesazhi përçohet. E gjithë performanca u regjistrua dhe shfaqet në ambientet e galerisë, ku është hapur ekspozita fotografike.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura