Të drejtat e autorit, gjendja si tre vjet më parë

Feb 16, 2012 | 12:17
SHPËRNDAJE

U mbyll projekti për forcimin e kapaciteteve të ZSHDA

Projekti u mbështet nga Bashkimi Europian me 1,8 milionë euro. Sequi: Gjendja kritike.

Në fund të këtij muaji përmbyllet projekti për “Asistencë teknike për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit”, i mbështetur prej Bashkimit Europian me një shumë prej 1,8 milionë eurosh. Një projekt me kosto jo të vogël, i cili ka nisur prej vitit 2008. Me këtë rast, dje u zhvillua edhe një takim përmbyllës, ku merrte pjesë ambasadori i Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, drejtoresha e ZSHDA-së, Nikoleta Gjordeni, por edhe drejtues institucionesh e OJF-sh. Qëllimi i projektit të financuar nga BE ishte forcimi i kapaciteteve të institucioneve që merren drejtpërdrejt me çështjen e së drejtës së autorit, çka do të sillte detyrimisht edhe në një përmirësim të situatës në këtë sektor. Kjo do të thotë forcim të monitorimeve, parandalim të piraterive dhe respekt për punën e gjithë artistëve e krijuesve shqiptarë, të cilët shpërblehen pak për punën e një jete të tërë. Në përfundim  të projektit, situata në terren është po ajo e tri viteve më parë.
Situata në terren
Që milionat e BE-së nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret, këtë e dëshmojnë vetë përfundimet e analizës vjetore të Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit, për vitin që sapo lamë pas. Sipas këtyre të dhënave, numri i gjobave ndaj subjekteve që kanë shkelur Ligjin “Për të drejtat e autorit” ka qenë rreth 170, ndërkohë që gjatë operacioneve të inspektimit për vitin 2011 janë konfiskuar 2259 copë CD dhe DVD. Gjatë kësaj analize, vetë drejtoresha e ZSHDA-së, Nikoleta Gjordeni, do të evidentonte “një nivel të pandryshueshëm të statistikave për këto tri vite (numri i gjobave është afërsisht i njëjtë), ndërsa në terren janë informuar, zyrtarisht dhe drejtpërdrejt, monitoruar e rimonitoruar, më

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

shumë se tri herë subjekte, problematika ka qenë po e njëjta, që nga viti 2008, kur ndryshoi ligji për procedurat tatimore dhe ekzekutimi e vjelja e gjobave mbeti dhe mbetet problemi kyç i zbatimit të LDA”. Madje dhjetëra gjoba të vendosura përgjatë muajve të verës mbi subjekte të ndryshme si disko e pub-e, nuk arritën të ekzekutohen për shkak se subjektet e ndëshkuara kishin mbyllur aktivitetin, por edhe për shkak të mungesës së bashkëpunimit të duhur me organet tatimore rajonale. Piratimi dhe monitorimi i medias elektronike radio-tv-platforma dixhitale, vazhdon të mbetet shumë problematik dhe inspektorët janë ndeshur në terren me probleme nga më të ndryshmet, që nga mosgjetja e adresave të lëna nga subjektet, tek konfrontimi me punonjësit e tyre. Pra, nga sa shihet nga analiza e vetë institucionit, paratë e shpenzuara për trajnime e takime nuk kanë sjellë rezultate konkrete. Edhe ambasadori Sequi e konsideroi çështjen si kritike dhe vuri theksin në faktin se progres-raporti i vitit 2011 tregoi se përmirësimi i ligjit ekzistues është një domosdoshmëri, por më së shumti zbatimi i tij. “Janë disa aspekte që kanë ndikuar nw krijimin e kësaj gjendjeje midis të cilave mund të përmend mungesën e gjyqësorit, çështje të pakta të denoncuara dhe ndërgjegjësim i ulët i shoqërisë”, tha Sequi. Në një kohë që zbatimi i të drejtave të autorit është një ndër pikat kyçe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Ndërgjegjësimi
Megjithëse prej vitesh diskutohet për çështjen e të drejtave të autorit, ndonëse nuk jemi në ato vitet e “vjedhjeve” të mëdha e të hapura, kjo çështje vazhdon ende të mbetet problematike. Ndaj edhe takimin e djeshëm, drejtoresha e ZSHDA-së, Nikoleta Gjordeni, e shfrytëzoi për të bërë edhe një thirrje sensibilizimi. “Ne prej kohësh kemi ndërmarrë një fushatë për ndërgjegjësim të shoqërisë, por edhe intelektualëve për pronën e tyre që të jenë më kërkues dhe të reagojnë. Nga ana tjetër, në përfundim të këtij projekti, kemi tanimë një ligj të mirë, i cili u përafrohet standardeve europiane dhe për këtë na duhet një bashkërendim i mirë me ministritë e linjës, ku më të rëndësishmet janë Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave”, tha ajo.
Ndërsa ambasadori Ettore Sequi theksoi nevojën për të rritur përpjekjet për përmirësimin e legjislacionit dhe mekanizmave zbatuese, siç janë inspektoratet. Sipas tij, disavantazhi historik që Shqipëria ka në lidhje me drejtat e autorit, krahasuar me vendet anëtare të BE-së, mund të tejkalohet përmes vizionit dhe vullnetit të politikëbërësve dhe bizneseve. “Mund të ekzistojë një paragjykim se në Shqipëri ka çështje shumë më të rëndësishme për t’u zgjidhur sesa e drejta e autorit, por më duhet të them se kjo nuk është më pak e rëndësishme. Na duhet të themi se kjo frazë është e Kadaresë, kjo poezi e Mimoza Ahmetit, ky kompozim i Çesk Zadesë dhe kjo pikturë e Zef Shoshit. Kjo do të thotë t’u njohësh të drejtën për ta përdorur e për të përfituar nga krijimtaria e tyre, por edhe respekt për punën që bëjnë jo vetëm nga këndvështrimi etik, por sepse mungesa e këtij respekti e ‘vret’ kreativitetin. Ky respekt dhe kjo e drejtë janë shëndet i plotë i intelektualëve dhe shoqërisë. Këto nuk janë më pak probleme se të tjerat për shoqërinë edhe në kohë krizash ekonomike dhe ka një lidhje tepër të qartë për të mirën private dhe publike në këtë çështje diskutimi për të drejtën e autorit. Vlera, rregulla, standarde, kjo është kryefjala e të drejtës së autorit”.
Projektligji
Tashmë përmirësimi i legjislacionit është në rrugë të mbarë, ndërkohë që zbatimi i tij do të dojë edhe shumë kohë. Projektligji i ri, i cili mbush ato mangësi të ligjit ekzistues, u ka shkuar të gjitha palëve të interesit. “Projektligji i ri për të drejtën e autorit e përafron plotësisht legjislacionin shqiptar me atë të BE-së. Ai merr në konsideratë të gjithë situatën aktuale dhe kërkon zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare, të cilat kanë qenë efikase në vende të tjera”, tha ministri i TKRS-së, Aldo Bumçi. Ai vuri në dukje vështirësinë që haset jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vende të tjera për zbatimin e tij dhe, nga ana tjetër, jo vetëm në vendin tonë por edhe ne vende të tjera. “Aktualisht, projektligji i ri për të drejtën e autorit u është dërguar ministrive të linjës dhe përfundimi i kësaj skeme ligjore institucionale dhe fushat e ndërgjegjësimit na japin garanci që Shqipëria në një periudhë afatmesme të arrijë standardet e vendeve të Europës”. Por ministri Bumçi shkon edhe më tej, tek penalizmi i shkelësve. “Përveç projektligjit, ka dhe hapa të tjerë që duhet të ndërmerren në nivel horizontal dhe vertikal, si për shembull ndryshimet në Kodin Penal dhe të Procedurës Penale dhe reforma e inspektorateve si pjesë e një reforme të përgjithshme të qeverisë shqiptare”, tha ministri Bumçi.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura