Të arratisurit: Do të shkonim në Janinë

Nov 30, 2013 | 10:28
SHPËRNDAJE

Gjatë arrestimit në Greqi të Reiz Haxhirajt

Rrëfehen Toma, Lulo e Haxhiraj: Na priste një miku ynë.

“Kishim për qëllim të shkonim në Janinë. Aty na priste një i njohuri ynë, i cili na kishte premtuar se do të na ndihmonte që të pajiseshim me dokumente false identifikimi”. Kështu kanë deklaruar për Policinë greke tre shqiptarët e arratisur nga Burgu i Drenovës. Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduart Lulo po qëndrojnë në qeli të veçuara nga njëri-tjetri. Ndërsa siç mësohet, Toma ka pësuar edhe lëndime si pasojë e përleshjes me policinë greke dhe po merr trajtim mjekësor. Në sajë të dëshmisë së dhënë nga të arrestuarit, të cilët policia greke i cilësoi si persona që përbënin rrezik serioz për popullsinë, janë zbuluar detaje në lidhje me lëvizjet e të shumëkërkuarve. Drejtori i Policisë së Kosturit, Ilia Stefani, bëri të ditur të enjten se tre shqiptarët e shumëkërkuar kishin në plan të udhëtonin drejt Janinës. Sipas Stefanit, nga marrja e tyre në pyetje rezulton se ata kishin një bashkëpunëtor në Janinë që u kishte premtuar se do t’i pajiste me dokumente identifikimi të falsifikuara. Në sajë të dëshmisë së dhënë nga tre të arratisurit, ata do të ecnin përgjatë kufirit shqiptaro- grek për të dalë në fshatrat e Janinës e më pas do të futeshin në qytet. Nuk konfirmohet se si ata kishin arritur të komunikonin me bashkëpunëtorin e tyre. Por, policia greke po kryen veprime hetimore mbi dy telefonat celularë që iu gjetën në momentin e arrestimit Gëzim Tomës e Reiz Haxhirajt. Sipas dëshmisë së dhënë nga të arratisurit, pasi kanë mundur të kalojnë kufirin e gjelbër, ata kanë hyrë në rajonin e Kosturit përmes fshatit Monopulo. Për t’i shpëtuar policisë, lëviznin vetëm gjatë natës, ndërsa ditën gjenin strehë nëpër stane. Policia greke është e paqartë në deklaratën e saj nëse ka pasur shkëmbim zjarri mbrëmjen e së enjtes, apo nëse Gëzim Toma ishte plagosur si pasojë e përleshjes me policinë. Sipas saj, ai ka tentuar të qëllojë me armë, por, falë ndërhyrjes së shpejtë, është neutralizuar. Sipas të dhënave, Gëzim Toma dhe Reiz Haxhiraj sapo konstatuan praninë e policisë, bënë gati armët e zjarrit, të cilat i  fshihnin poshtë xhupave. Por mesa duket i zuri paniku e nuk mundën të qëllonin.  Në këtë moment, Haxhiraj e Lulo janë larguar me vrap për t’u arrestuar disa orë më pas. Ndërsa Toma qëndron në vend. Po sipas
Policisë greke, pranë tij është afruar një oficer i Antidrogës së Kosturit, por i arratisuri ka tentuar të ngre armën dhe e ka shënjestruar.

Shpresa Dine/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura