TAP nis asfaltimin e 8.5 km rrugë në Fier, përfitojnë 14 fshatra

Apr 11, 2018 | 13:23
SHPËRNDAJE

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka filluar rehabilitimin e rrugës që lidh qytetin e Fierit me plazhin e Darzezës dhe Parkun Arkeologjik të Apolonisë.

fier tap

Bëhet fjalë për një segment rrugor prej 8.5 kilometrash, që aktualisht ndodhet në gjendje të amortizuar dhe që rikonstruksioni i tij do të lehtësojë lëvizjen e banorëve të më shumë se 14 fshatrave përreth kësaj zone. Por, përveç tyre, kjo rrugë do të lehtësojë lëvizjen e turistëve drejt Parkut Arkeologjik të Apolonisë dhe plazheve të Semanit dhe Darzezës.

Në bashkëpunim me pushtetin vendor është bërë vlerë- simi paraprak i gjendjes së rrugës dhe nisi puna për sistemimin e saj, financuar nga TAP dhe kontraktori Spiecapag. Me përmirësimin e kushteve atmosferike, ka nisur tashmë hedhja e shtresës së asfaltit me qëllim që rruga e re të jetë gati përpara nisjes së sezonit turistik për të pritur fluksin e pushuesve.

Rruga e Dermenasit nuk është investimi i vetëm i TAP-it në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Bashkinë e Fierit. TAP ka ndërtuar në këtë bashki rreth 8 km rrugë krejtësisht të reja. Kujtojmë që TAP ka rehabilituar rreth 33 kilometra rrugë ekzistuese, prej të cilave 10 km janë asfaltuar nga TAP dhe 6.5 km të tjera nga Bashkia e Fierit. Gjithashtu janë përmirësuar një sërë rrugësh të brendshme në disa fshatra.

Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në projekte të tjera në infrastrukturë dhe investime sociale dhe mjedisore. Duke bashkëpunuar me qeverinë dhe autoritetet shqiptare, gjatë fazës së parë të rehabilitimit të rrugëve dhe urave ndihmëse në Shqipëri, TAP rehabilitoi afërsisht 58 km rrugë, ndërtoi dy ura të reja dhe përmirësoi 40 ura ekzistuese. Ndërsa nga faza e dytë rreth 87% e punimeve për përmirësimin e 120 km infrastrukturë rrugore tashmë kanë përfunduar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura