Taksisti që informon Kryeministrin

Jul 8, 2015 | 12:14
SHPËRNDAJE

MARK MARKU

    Ka qenë tepër bindës Kryeministri Rama në motivet dhe argumentet, që e paskëshin frymëzuar për hartimin e projektligjit të arsimit të lartë, që qeveria e drejtuar nga ai ka dërguar në Parlament. Po e citoj në ligjëratë të drejtë atë që ai tha në tryezën për arsimin e lartë para specialistëve, profesorëve dhe funksionarëve të institucioneve arsimore (kryesisht private), edhe pse citimi është tejet i gjatë: “Isha në Ministerialin e Rajonit dhe thashë se prej shumë kohësh unë ruaj një zakon, që një herë në çdo stinë marr një taksi pas mesnate dhe i them taksistit ec dhe fol. Kjo është mënyra më e mirë për të kuptuar pulsin e vendit ku jeton. Asnjë raport i Bankës Botërore apo i OSBE-së nuk ta jep pamjen e vendit tënd, siç ta jep një taksist pas mesnatës, nëpër rrugët e Tiranës. U bënë vite që unë nuk gjej një taksist pa diplomë Juridiku. Ju tregova historinë e një taksisti që kishte marrë masterin. Ata e dinë që unë nuk pranoj të më bëjnë xhiro falas, ndaj më tha “e ke nga unë sot, se jam bërë me master në Juridik”. Ku e gjen kohën, e pyeta. “Nuk ka nevojë,” – më tha, – “në mëngjes marr fëmijët e pronarit të universitetit i çoj në shkollë dhe një herë gruan për shopping.

Ky është sistemi që krijuam ne. Imagjinoni se ç’kërkim shkencor mund të ketë brenda këtij sistemi, të atillë që të mund t’i themi vetes se ne po financojmë kërkimin shkencor dhe me këto para vërtet po bëhet shkencë në Shqipëri. Përjashto disa nukle të vogla që kanë mbetur në xhunglën e arsimit tonë të lartë, si ai ushtari japonez që nuk e dinte që kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore, pjesa tjetër janë para të hedhura në lumë. Më mirë të bësh çerdhe e shkolla me ato para, sesa kështu siç janë katandisur”.
Ja, pra, u zgjidh enigma që na mundon prej kohësh për projektligjin çorbë, që i ofrohet arsimit të lartë në Shqipëri: Kryeministri del në mesnatë, bisedon me taksistët, merr informacione për gjendjen e arsimit të lartë dhe bën ligjin. Nuk e di si janë ndier funksionarët e Ministrisë së Arsimit pas këtij zbulimi që bëri Kryeministri Rama.

Ata prej gati një viti rreken të na mbushin mendjen se projektligji është model i frymëzuar nga një analizë e thellë e sistemit, se për këtë kanë mobilizuar ekspertizën më të mirë, se janë konsultuar përvojat më të mira botërore, se është marrë x apo y model, se është ngritur një komision me specialistët më të mirë e kështu me radhë. Paskan gënjyer: projektligjin e ka bërë Kryeministri Edi Rama, në bisedë me taksistin, në mesnatë.
Ne, profesorë, studentë, departamente, këshilla fakultetesh, senate, që jemi përfshirë prej një viti në një debat për cilësinë e projektligjit dhe kemi tentuar më kot të gjejmë referime për modele të ngjashme që na ofron bota universitare perëndimore, jemi ndier disi të lehtësuar. Kemi kuptuar më në fund se çudia jonë nuk ka qenë e kotë. Kemi marrë më në fund përgjigjen për pyetjen që i kemi bërë vetes dhe njëri-tjetrit: Si ka mundësi që ky ligj është kaq rrëmujë, kaq i panevojshëm, kaq i dëmshëm? Si ka mundësi që askush nuk të jep një përgjigje të arsyeshme për problematikën që paraqet projektligji? Si ka mundësi që njerëz të arsyeshëm dhe që kanë një përvojë kaq të gjatë mësimdhënieje në universitetet e vendit dhe të huaja, si anëtarët e komisionit të hartimit të ligjit, nuk kanë fuqi për ta përmirësuar projektligjin?

Ne e morëm përgjigjen: projektligji është produkt i bisedave filozofike për arsimin që Kryeministri i vendit, Edi Rama, bën me taksistin e tij të orës së vonë. Ai është i justifikuar nga informacioni që Kryeministri ka marrë nga taksisti për gjendjen arsimore në vend. Dhe kaq mjafton për projektligjin. Tani të kalojmë te Kryeministri.
Që Kryeministri bisedon me taksistin e natës nuk ka ndonjë të keqe. Edhe unë i kam shumë për zemër taksistët. Sidomos taksistët shqiptarë. Ndryshe nga taksistët që ndesh qyteteve europiane, janë inteligjentë dhe komunikues. Europianët, të akullt, madje dyshues, ndërkohë që tanët të duken si kushërinj që në rastin e dytë kur u futesh në taksi. Kanë informacion, sepse gjatë kohës që rrinë në taksi, lexojnë gazetat, ndjekin radiot, dhe regjistrojnë mjaft detaje nga bisedat me njerëzit që udhëtojnë me ta. Shkurt janë tipa simpatikë, të këndshëm dhe më vjen mirë që m’u dha rasti ta shpreh këtë edhe përmes një shkrimi gazete.

Problemi qëndron te mënyra se si e përdor informacionin që të japin taksistët. Nëse je mjek, nuk mund ta përdorësh informacionin që merr prej tyre për të shëruar klientët në spital. Nëse je peshkatar, nuk mund ta përdorësh informacionin që merr prej tyre për të zënë më shumë peshq. Nëse je ministër, nuk mund ta marrësh informacionin e tyre si bazë për një politikë në një fushë të caktuar. Dhe sidomos nëse je kryeministër, nuk mund ta përdorësh informacionin e tyre si bazë për njohjen e gjendjes së vendit.
Kryeministri ka mijëra instrumente për të marrë informacionin që i duhet. Ka këshilltarët, administratën e çdo dikasteri shtetëror apo publik, mediat, madje ka në dispozicion dy institucione që, njëri në mënyrë të hapur dhe tjetri në mënyrë diskrete mund t’i ofrojnë gjithë informacionet e mundshme dhe të duhura. Kryeministri tha se taksisti të informon më shumë se INSTAT-i dhe Banka Botërore! Po, si kështu?

Kjo do të thotë se Kryeministri, duke marrë informacione nga taksisti dhe duke shpërfillur institucionet e specializuara në shërbime e informacione, ka informacion ta zëmë se si x në rrugicën y shkon me gruan e komshiut, por mund të mos e dijë, ta zëmë, se sipas statistikave të këtyre institucioneve të ardhurat nga tatimet dhe doganat shënuan për periudhën janar-mars një mosrealizim prej 8.6 për qind në krahasim me planin e këtij viti dhe 2 për qind më pak krahasuar me planin e një viti më parë ose, e përkthyer në para, 110 milionë USD. Ja pse është shqetësues pohimi i sinqertë i Kryeministrit dhe aq më shqetësues bëhet ai kur kemi parasysh faktin se po i njëjti kryeministër deklaroi një vit më parë publikisht se nuk i lexonte gazetat e vendit të tij. Nuk i kemi dëgjuar ndonjëherë prej ndonjë Kryeministri deklarata të tilla.

Janë pikërisht këto deklarata, që na shpjegojnë edhe ligjërimin e çuditshëm të Kryeministrit. Ai flet përditë për rritjen e punësimit, ndërkohë që papunësia shtohet çdo ditë. Ai flet çdo ditë për rend, ndërkohë që nuk ka ditë që nuk vriten njerëz rrugëve të qyteteve dhe fshatrave shqiptare. Ai flet përditë për suksese ekonomike, ndërkohë që të ardhurat kanë rënë, çmimet janë rritur, bizneset falimentojnë, njerëzit u sulen porteve dhe aeroporteve për të braktisur Shqipërinë. Të jetë vallë informacioni që merr nga taksisti i natës burimi i kësaj mospërputhjeje të thellë mes fakteve të realitetit shqiptar dhe realitetit ligjërimor që na ofron Kryeministri?
Duke iu kthyer edhe një herë konsideratës për taksistët, më duhet të them se janë vërtet simpatikë dhe të dobishëm. Por, meqenëse Kryeministri ka vendosur të informohet prej tyre, do t’u lutesha shumë të bëjnë kujdes të mos ia thonë Kryeministrit pakënaqësitë që më shprehin mua përditë për rritjen e taksave dhe mijëra hallet që kanë, sepse Kryeministri nuk do të hipë kurrë më në taksitë e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura