“Taksimi, e vetmja diferencë mes së majtës e së djathtës”, Analiza e Valentina Leskajt: Ligjërimet dallojnë nga masa e sharjeve! Në Shqipëri ende…

May 18, 2021 | 12:51
SHPËRNDAJE

Mungesa e debatit politik apo nevoja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme tregojnë se Shqipëria mbetet një vend ku ende diskursi politik vërtitet rreth demokracisë minimale. Kështu shprehet në librin e saj “Politika si ide”, Valentina Leskaj, ish-nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale në vitin 2002 në qeverinë Nano, deputete e disa legjislaturave.

valentina-leskaj-politika-si ide

Me përvojën e gjatë në politikë dhe si një përfaqësuese e spikatur e shoqërisë civile, zonja Leskaj i bën një skaner të plotë nivelit të demokracisë në shoqërinë dhe politikën shqiptare, ndërsa nënvizon dhe dallimet ideologjike mes krahëve politikë. Majtas apo djathtas, apo përtej së majtës dhe së djathtës, kanë qenë tezat e debatuara shumë në politikën shqiptare deri disa vite më parë.

Por mes së majtës dhe së djathtës në Shqipëri, zonja Leskaj mendon se “ka disa diferenca që i dallojnë si, për shembull, mund të përmendja rastin e taksave ku njëra palë, PD-ja, ka adoptuar taksën e sheshtë dhe tjetra, PS-ja, ka adoptuar taksën progresive, që ka një efekt në zbutjen e pabarazive në të ardhura, e që është më shumë një politikë e majtë edhe pse nuk është se ndodh gjithmonë kështu, që e majta të zbatojë taksën progresive dhe e djathta atë të sheshtë”.

VALENTINA LESKAJ

Si e keni parë ju politikën shqiptare në këto vite?

Në fakt, politika në Shqipëri është pak më komplekse sesa shpesh mendojnë. Është më komplekse jo për arsye të mirëfillta politike, jo për shkak të diferencave ideologjike, majtas apo djathtas, po në radhë të parë për shkak se jetojmë në një shoqëri ende të pamësuar për të respektuar rregullat e lojës dhe këtu përfshihet edhe politika, po natyrisht që veç të tjerash edhe për shkak të kufizimeve lidhur me vetë konceptin për politikën, për demokracinë dhe përballjen e argumenteve pro dhe kundër së ndryshmes. Jemi një vend ku ende diskursi politik vërtitet rreth demokracisë minimale, siç e quan atë Karl Poper, ende pas gati 30 vjetësh kemi mbetur te debati për mungesën e dialogut politik, apo ai për zgjedhje të lira e të ndershme, unë besoj se kjo që ndodh rëndom në rastin tonë, duke krijuar një situatë disa herë edhe bllokuese, bën që shumë elemente të tjera, që e bëjnë një politikë serioze e një shoqëri me demokraci funksionale, të mbeten periferike.

E vërteta është se po të ndjekësh ligjërimin politik gjatë fushatave elektorale, ku normalisht përvijohen edhe diferencat, vështirë të gjesh vija ndarëse të mbështetura në parime apo ndarje ideologjike; në fakt më shumë ligjërimet dallojnë nga sasia e premtimeve, përjashtuar diferencën lidhur me taksimin që ka qenë më e qartë, për të mos thënë që ligjërimet shpesh dallojnë nga masa e sharjeve dhe kjo është pjesa më banale e saj.

Duke mbetur te pjesa e politikës, që ka të bëjë me ndikimin e diferencave ideore, mendoj që përveç interesave elektorale të radhës, këtu ndikon edhe fakti që nuk ka një traditë e kulturë të konsoliduar politike për të majtën dhe të djathtën, megjithëse të dyja kanë ndryshuar dhe nuk përfaqësojnë më të njëjtin koncept. Por ne nuk jemi të vetmit në këtë gjë, edhe pse në mënyra dhe nivele krejt të ndryshme. Ka ndodhur dhe në shumë vende të tjera të zhvilluara e me traditë të gjatë të shoqërive pluraliste ku shpesh partitë politike tentojnë të adoptojnë politika apo qasje që nuk kanë qenë në ADN-në e tyre ose dhe që kanë qenë të kundërshtuara prej tyre më parë, ka ndodhur edhe aty ku e djathta apo e majta socialdemokrate kanë pasur një ndarje të qartë, të gjatë e të qëndrueshme, që i dallonte në doktrinë, sot dallimet janë bërë të diskutueshme dhe mjaft të debatueshme.

Mario Monti, ish-Kryeministër i Italisë, në fushatën elektorale të vitit 2013 fliste për zhdukje të dallimit mes së majtës dhe të djathtës, ndërkohë që sociologu britanik, Anthony Giddens, është kundër kësaj teze, ai beson në ndryshimin e tyre dhe për këtë ai i referohet filozofit shumë të njohur italian, Norberto Bobbio. Giddens, në artikullin e botuar në gazetën “La Repubblica”, me titull: “E djathta dhe e majta ekzistojnë ende”, citon Norberto Bobbio-n, i cili thotë se: “Kuptimi i së majtës dhe i së djathtës ndryshon vazhdimisht dhe nuk ka dyshim se sot që të dy termat nënkuptojnë diçka të ndryshme në krahasim me të shkuarën. Por pavarësisht kësaj, mbeten dy koncepte politike thellësisht të ndryshme që vijojnë të kenë një vlerë specifike edhe në botën e sotme të globalizuar. E djathta tradicionale në Europën e ditëve tona dhe në tërësi në Perëndim beson te tregu i lirë, në një shtet më pak ndërhyrës e të përmbajtur, në një konservatorizëm shoqëror dhe në sferën private. E majta beson te një qeveri aktive më shumë se tek etatizmi, në një rregullim më të madh të tregut, në liberalizmin shoqëror. Dallimet mes dy ndarjeve janë dukshëm të qarta, megjithëse nuk janë më kaq të ndara sa dikur”. Në fund, Giddens e mbyll: “Dhe të besojmë se e djathta dhe e majta kanë ende diçka për të thënë”.

Në fakt, në rastin tonë kjo nuk është kaq e ndarë, po gjithsesi ka disa diferenca që i dallojnë si, për shembull, mund të përmendja rastin e taksave ku njëra palë, PD-ja, ka adoptuar taksën e sheshtë dhe tjetra, PS-ja, ka adoptuar taksën progresive, që ka një efekt në zbutjen e pabarazive në të ardhura, e që është më shumë një politikë e majtë, edhe pse nuk është se ndodh gjithmonë kështu, që e majta të zbatojë taksën progresive dhe e djathta atë të sheshtë. Rasti i Francës, i Holandës, por edhe vende të tjera që kanë prirje të taksimit progresiv, e konfirmojnë këtë, edhe pse nuk qeverisin të majtët. Megjithëse mendoj se kjo ndarje ka të bëjë më shumë me ndryshime në instrumente të përdorura sesa me ideologjinë.

Natyrisht, kur flitet për vende të zhvilluara perëndimore, aty mbeten shtyllat kryesore, të cilat dallojnë për doktrinat që kanë në themel dhe për qasjet ndaj tyre, përfshirë diferencat në modelet e kapitalizmit dhe qëndrimin ndaj çështjeve të sipërpërmendura. Ndërkohë, besoj se një gjë është e dukshme, prirja drejt një modeli, që i ndikuar nga nevoja e votës, ka sjellë ndryshime që shpesh reflektohen në një retorikë politike, e cila përdoret kryesisht për vota, por kjo shpesh nuk ndryshon thelbin.

Në rastin tonë dallimet që spikasin më shumë janë ato politike, që kanë më shumë si bazë të shkuarën, si qëndrimin ndaj Luftës Nacionalçlirimtare etj., sesa ato që kanë të bëjnë me çështje të tjera, që lidhen me thelbin e së majtës dhe së djathtës si, qëndrimi ndaj tregut, pronës, rolit të shtetit në ekonomi etj. Në disa nga këto të fundit, e majta ka qenë më pranë koncepteve të së djathtës, kryesisht asaj neoliberale.

Në vendet me një histori të gjatë të komunizmit, skepticizmi ndaj së majtës është ndoshta më i lehtë sesa ndaj së djathtës. Sa e ka penguar e shkuara të majtën shqiptare dhe si e shihni zhvillimin e saj në raport me të?

Ky është një skepticizëm që ndodh me të gjitha vendet që kanë jetuar komunizmin. Edhe pse kanë kaluar gati 30 vjet qysh nga rënia e murit të Berlinit, ende e majta, edhe për shkak të kompleksit nga e shkuara komuniste, sidomos në vendet e ish-bllokut, ka lëvizur drejt qendrës ose me raste edhe djathtas, ndërkohë që e djathta ka adoptuar disa nga idetë dhe qasjet e majta, për të tërhequr një pjesë të elektoratit, sidomos atë pjesë që përbën fashën gri. Ndërkohë që në vendet me emigracion të lartë, vitet e fundit ka hyrë në mes edhe çështja e emigrantëve, retorika politike, sidomos përpara fushatave, e konsideron komunitetin e emigrantëve në varësi të peshës që ata kanë dhe nevojës që ka vendi për krahun e tyre të punës, natyrisht që atje ku emigrantët votojnë kjo bëhet edhe për votën e tyre po gjithsesi e majta ka qenë koherente në qëndrimin e hapur ndaj emigrantëve ndërkohë që një pjesë e së djathtës, madje edhe nga ato forca që kanë qenë qartësisht kundër, ka ndryshuar qasje ndaj tyre.

Në Francë, për shembull, metamorfoza e Marine le Pen, kryetare e Frontit Nacional, është e dukshme. Madje, filozofi shumë i njohur francez, Bernard-Henri Levi, e ka quajtur Far right with a human face (E djathtë ekstreme me fytyrë humane). Vështirë të thuhej kjo vite më parë e sidomos kur Frontin e drejtonte babai i saj. Në fushatën e fundit presidenciale përballë Macron-it, Marine le Pen, braktisi disa nga politikat që e identifikonin Frontin Nacional, retorika e saj politike bënte një diferencë të qartë jo vetëm krahasuar me babanë e saj, por edhe me vetveten, me qëndrimet e saj të mëparshme, për këtë arsye ajo është quajtur se e ka tradhtuar të atin me politikën e detoksifikimit të Frontit Nacional, madje ka shkuar edhe më larg me qëndrimet për çështje shumë të ndjeshme si ajo e emigrantëve. Dhe ky ndryshim, siç treguan rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, iu përkthye në vota.

Të njëjtën taktikë përdori David Cameron-i përpara zgjedhjes së tij me mesazhin për lëvizjen më të gjelbër në botë për të thënë se e djathta e tij nuk ishte aq e djathtë sa ajo e Thatcher-it dhe ky nuk ishte ndryshimi i vetëm, ai shkoi edhe më tej për çështje që për konservatorët anglezë ishin tabu.

Mund të themi të njëjtën gjë për vende të tjera si rasti i Hungarisë; Kryeministri Viktor Orban, metamorfoza e të cilit është kalimi nga një liberal tipik, në vitet e fillimit të angazhimit politik (viti 1988), në një konservator, madje në një nacionalist populist par exellence. Braktisjen e doktrinës së liberalizmit të Viktor Orbanit, Gellért Rajcsányi dhe autorë të tjerë e lidhin më shumë me kalkulime reale të politikës aktuale në Hungari dhe me ndryshimet që kanë ndodhur në të, sidomos në raportet mes së djathtës dhe së majtës.

Në fakt, ai bëri të kundërtën krahasuar me dy rastet e përmendura më sipër, duke i qëndruar fort, madje duke çuar dhe më tej qasjen ndaj politikës antiemigracion, duke ashpërsuar retorikën e tij politike përpara zgjedhjeve, po gjithsesi nga e njëjta perspektivë, nisur nga kalkulime pushteti, pas një vlerësimi të rrënjëve dhe traditës së Hungarisë si dhe të qëndrimeve të opinionit publik të momentit, pavarësisht se bëhej fjalë për zgjedhje të Parlamentit Europian dhe qëndrimi i Europës për këtë çështje ishte i kundërt me qëndrimin e Orbanit.

Në kulmin e krizës së refugjatëve dhe përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian, kur flitej për solidaritet e zgjidhje të përbashkëta, Orban mbajti të njëjtin qëndrim kundërshtues ndaj reformës për emigracionin dhe azilkërkimin, duke ndjekur një politikë të linjës së ashpër bllokuese, madje duke dalë edhe kundër grupimit të tij politik, Partive Popullore Europiane (EPP), e duke pranuar edhe sanksione nga BE-ja, po jo ndryshim në qëndrimin ndaj emigrantëve. Vetë grupimi i djathtë, i Partive Popullore Europiane (EPP), dhe kreu i saj, Manfred Weber, madje edhe Sebastian Kurz, një i djathtë par exellence, i njohur për politikat e tij strikte ndaj emigracionit, ndihmuan në sigurimin e votës për të nisur procedurat për sanksione ndaj Hungarisë, ndërkohë që Orban deklaroi se: “Do t’i rezistoj çdo reforme të gjerë emigracioni, që do të mund të propozohet përpara zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Shumë vende të BE-së janë ende të vendosura të plotësojnë nevojat e tregjeve të tyre, duke lejuar qindra mijëra emigrantë të hyjnë në Europë çdo vit”. Duke aluduar që Europa po e bënte këtë për nevojat e veta të brendshme, pra, të tregut të punës, e jo për emigrantët. Edhe pse kjo qasje duket e kundërt me politikat për një treg të hapur, sepse, siç thotë Anthony Giddens kur flet për të djathtën dhe të majtën lidhur me qëndrimin e tyre ndaj emigracionit: “Nuk mund të ketë një treg të hapur me një mbyllje të kufijve për emigrantët”.

Natyrisht, në rastin tonë, dhe përgjithësisht për vendet e ish-bllokut komunist, që u futën në rrugën e transformimit të madh të tranzicionit, një pjesë e qëndrimeve më shumë sesa me ideologjinë e majtë apo të djathtë kanë të bëjnë me nevojat integruese, me reforma standarde, kanë të bëjnë edhe me marrëdhëniet dhe detyrimet që burojnë nga reformat integruese të NATO-s, BE-së apo me ndikimin në disa reforma themelore, sidomos në ato që lidhen me ekonominë, tregun, financat, politikat sociale etj., nga institucione ndërkombëtare si FMN-ja, Banka Botërore etj., që shpesh kushtëzojnë edhe mbështetjen e tyre.

Në Shqipëri shpesh reformat kanë qenë donor driven, pra, kanë ndjekur modelet e donatorëve dhe kanë pak pronësi lokale, çka bën që në disa raste nuk janë në koherencë me kontekstin apo me nevojat e vendit dhe me përkatësitë ideologjike të maxhorancave që janë në qeverisje. Ndërkohë, nuk duhet harruar që globalizimi dhe ndryshimet e mëdha që e shoqërojnë, i vë qeveritë përballë zgjidhjeve jo të lehta duke e bërë të vështirë, në mos të pamundur, për qeverisësit që t’u qëndrojnë disa angazhimeve që lidhen me parimësi të përkatësive djathtas apo majtas.

Shpesh edhe këtu te ne, partitë politike akuzohen për devijime apo shmangie nga ideologjitë përfaqësuese majtas apo djathtas, nga ajo që quhet vija ndarëse, në fakt kjo ka ndodhur si nga krahu i majtë, edhe nga ai i djathtë. E djathta, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, u prezantua me disa teza e me një program të djathtë, liberaliste, edhe pse ndonjëherë kaotike, të cilat u devijuan rrugës, megjithëse nga mënyra si filloi lëvizja demokratike ishte më shumë si një front, çka ishte normale dhe e domosdoshme në fillimet e ndryshimeve për përmbysjen e sistemit të diktaturës.

Po mungesa e traditës, nevoja për të mbajtur një pjesë të militantëve të partisë, për të cilët koncepti i demokracisë ishte fare minimalist, e po ashtu për nevojën e reformave të tregut, madje dhe vetë konceptin e lirisë, pse jo të papërgatitur edhe për të pranuar sakrificat e nevojshme, që kërkonin disa reforma, e vështirësonin tranzicionin normal e pa deviacione për të kaluar nga një diktaturë në një sistem demokratik me ekonomi tregu dhe me një formacion të orientuar nga një doktrinë e qartë liberale, pavarësisht nga orientimi i një pjese të lidershipit të saj. Nuk duhet harruar se kapitalizmi u paraqit si një sistem i pasurimit të lehtë e që të huajt do të na sillnin çdo gjë.

Nga ana tjetër, pavarësisht nga rrethanat specifike që lidhen me trashëgiminë e saj, PS-ja si përfaqësuesja e së majtës në Shqipëri, ka qenë e angazhuar në një proces reformizmi të dyfishtë; nga njëra anë për të reformuar veten në një parti të modelit socialdemokrat perëndimor, dhe besoj ia ka dalë me sukses që ta transformojë atë nga një parti të vjetër të regjimit komunist në një parti socialdemokrate, ndërkohë që nga ana tjetër u dëshmua si një forcë politike reformiste në procesin për tranzicionin e vendit drejt reformave të tregut, një pjesë e të cilave janë më tipike për të djathtën. Në udhën e saj drejt reformizmit PS-ja solli shumë elemente të reja në procesin e demokratizimit të vendit dhe ndryshime progresive në çështje që kanë të bëjnë me reformat e tregut të lirë, me një politikë të hapur e gjithëpërfshirëse, me konceptin e meritokracisë, konceptin e mirëqenies dhe barazive sociale, madje deri në atë pikë saqë barazia sociale në disa raste ka prevaluar edhe mbi liritë individuale, p.sh., diferencat në çështje të pronës, të shpërndarjes së të ardhurave etj. Por çështja barazi sociale – liri individuale, është një debat më i gjatë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura