Taksa e makinave, Bode: Pse po paguajmë më pak

Sep 30, 2011 | 10:29
SHPËRNDAJE
Ministri i Financave, Bode, dje në Parlament

Taksa e re e makinave është bërë dje objekt i interpelancës së ministrit të Financave, Ridvan Bode, thirrur nga deputetja socialiste Mimi Kodheli. Ministri ka theksuar në fjalën e tij se taksat që paguhen sot për mjetet nuk janë ndryshuar me synimin e mbledhjes së më shumë të ardhurave në buxhet, por për të vendosur një raport të drejtë mes qytetarëve. Dekurajimi i përdorimit të makinave të vjetra, rinovimi i parkut të mjeteve dhe vendosja e një raporti të drejtë të parave që paguan një qytetar dhe masës që ai dëmton rrugën, kanë qenë disa nga argumentet që solli ministri.
Bode për taksat
Ministri sqaroi dje përfitimet që ka qytetari nga riorganizimi i taksave për mjetet. Kështu, deri dje, çdo qytetar që kishte në pronësi një makinë, paguante 7500 lekë për një makinë me benzinë dhe 10 mijë lekë për një makinë me naftë si taksë qarkullimi. Ndërsa taksa e regjistrimit ishte 2400 lekë për të gjithë llojet e veturave. Me ligjin që është sot në fuqi, makinat nuk do t’i paguajnë këto taksa fikse, por taksa e qarkullimit do të mblidhet përmes karburantit, i cili deri në fund të këtij viti do të taksohet me 5 lekë për litër më shumë dhe nga janari i 2012-s me 7 lekë për litër. Ministri e cilësoi këtë taksë si një taksë të drejtë, pasi ai që qarkullon më shumë harxhon edhe më shumë karburant dhe, rrjedhimisht, do të taksohet më shumë se ai që qarkullon dhe e përdor infrastrukturën rrugore më pak. Gjithsesi, ministri Bode nuk e quajti sistemin e ndërtuar perfekt dhe la të hapur mundësinë e ndryshimeve. Ajo që nuk ndryshoi në qëndrimin e ministrit ishte cilësimi i taksave të reja si taksa që favorizojnë familjet. “Barra fiskale nuk ka të bëjë me një produkt të vetëm, por ka të bëjë me tërësinë e taksave që paguan një familje urbane dhe një familje rurale që paguan një biznes për aktivitetin që ushtron. Në tërësinë e tyre kemi të bëjmë me një ulje të kësaj barre fiskale. Ndryshimet u bënë për të thjeshtuar procedurat për mbledhjen e taksave në projektimin e tyre”, tha Bode.
Kodheli
Krejt në të kundërt ka qenë, në fakt, qëndrimi i opozitës, e cila i cilëson taksat e reja për mjetet si një barrë më shumë për qytetarët dhe akcizën për lëndët djegëse si një barrë për biznesin. Për deputeten Mimi Kodheli, e cila kishte thirrur interpelancën me ministrin e Financave, taksat janë rritur për të rritur të ardhurat në buxhet. “Qeveria po e aplikon taksën e re me justifikimin e rregullimit të tregut dhe pakësimin e ndotjes, por që sigurisht, i ‘rregullon’ asaj së pari financat në kurriz të shqiptarëve, kurse për reduktimin e ndotjes mbetet për t’u parë”, tha deputetja Kodheli lidhur me rritjen e taksës te karburantet.

Debati Bode-Kodheli
Taksa e makinave

Kodheli: Sa është përfitimi i qeverisë nga kjo taksë?
Qytetarët duhet të dinë se nëse vendosja e kësaj takse të re bëhet për të kompensuar heqjen e doganës për automjetet, atëherë përfitimi i qeverisë duhet të ishte pak a shumë i njëjtë, pra njerëzit të nxjerrin nga xhepat, për shkak të taksës së re, po aq sa nxirrnin kur nuk e paguanin këtë taksë, por paguanin doganë për automjetet.
Bode: Taksa nuk ka asnjë efekt më shumë në buxhet. Deri dje taksa e qarkullimit jepte një efekt 4.3 miliardë lekë, taksa e gjelbërimit 0.8 dhe taksa e shitjes së mjeteve të përdorura 3 miliardë lekë, gjithsej 8.1 miliardë. Me këtë ndryshim pritet që nga taksa mbi qarkullimin e mjeteve që vendosëm mbi karburantet të mblidhen 4.4 miliardë lekë, taksa për makinat e përdorura 2.7 dhe 0.7 taksa e karbonit, që shtrihet në llojet e tjera të karburanteve.
Barra te qytetarët
Kodheli: Ju, nga taksa mbi automjetin merrnit në vit rreth 32 milionë USD. Vetëm nga taksa e qarkullimit do të merrni, për po të njëjtin konsum, (rreth 840 milionë litra naftë dhe benzinë) 78-80 milionë dollarë, ose dy herë e gjysmë më shumë nga çfarë nxirrnit nga xhepat e shqiptarëve më parë. Pra, ju zotëri, vetëm me taksën e qarkullimit mbi karburantin po i taksoni shqiptarët mbi 2 herë e gjysmë më shumë.
Bode: Barra fiskale te qytetari ulet dhe unë do të të jap rastin e një qytetari që përdor një makinë me cilindrat deri në 1900 kubikë. Deri sot ka paguar në mënyrë të përvitshme taksë qarkullimi rrugor 10 mijë lekë. Taksa e regjistrimit, 2400 lekë në vit. Taksën e importit e amortizuar për 10 vjet me makinë, 23 mijë 750 lekë në vit. Gjithsej, 36 mijë 150 mijë lekë në vit. Me taksën aktuale, 19 mijë 500 lekë, pra paguan gjysmë për gjysmë me atë që paguan sot.
Akcizat
Kodheli: Të dhënat tregojnë se krahasuar me vitin 2005, qeveria i ka rritur taksat mbi karburantet me mbi 20 lekë/litër. Kjo është rritje direkte, pa përfshirë të ardhurat shtesë që shteti merr nga rritja e çmimit. Vetëm në akcizë, që nga viti 2005 është ndërhyrë 4 herë. Në vitin 2005, akciza paguhej në nivelin mesatar 22 lekë/litër, ndërsa sot, me ndërhyrjet që ju keni bërë në ligj, është fiksuar në 37 lekë/litër.
Bode: Të ardhurat nga akciza u rritën nga 15.8 miliardë në 2005-n, në 39 miliardë. Rritja e të ardhurve nga akcizat është 25 miliardë lekë, sepse ju keni zhdoganuar 275 mijë tonë karburant dhe tani zhdoganojmë 450 mijë tonë karburant, pra është dyfish. Ju keni tregtuar 320 mijë tonë karburant, tani tregtohen 650 mijë tonë karburant. Janë këto arsyet pse të ardhurat e buxhetit nga akcizat janë rritur, dhe jo rritja e akcizave, siç pretendoi ju.
Biznesi
Kodheli: Kjo rritje do të vazhdojë të ndikojë negativisht jo vetëm në rritjen e çmimit të hidrokarbureve për konsumatorët që thjesht disponojnë një makinë, por do të ketë efektet e saj negative në industri (në atë fasoniste p.sh.), në bujqësi, peshkim, transport publik, ngrohje etj. Kjo mbingarkesë e barrës fiskale do të ndikojë në rritjen e çmimit të transportit ndërkombëtar, pjesë e kostos së mallrave të konsumit që importohen.
Bode: Sigurisht që do paguajnë një pjesë e industrive dhe është mënjanuar për të mos dhënë efekt në sektorin e industrive që përdorin karburantet. Nga ana e qeverisë dhe e ligjit janë marrë disa masa. Nga viti 2008 bëhet rimbursimi i akcizave për të gjitha industritë, prodhimin bujqësor, sera, prodhimin energjetik, prodhimin e tullave dhe kudo që përdoren karburantet si lëndë të para apo ndihmëse. Vitin e kaluar janë rimbursuar 350 milionë lekë. Në ligjin që sapo lakuam është parashikuar rimbursimi i menjëhershëm qoftë dhe nga taksa të tjera, në mënyrë që një industrie mos t’i krijohet asnjë lloj problemi.

Perplasja me Shembujt
Shembulli i Kodhelit

Deri tani, një individ që zotëronte një automjet të përdorur, paguante:
– Taksë vjetore për qarkullimin rrugor 7500 lekë
– Taksë vjetore regjistrimi 2500 lekë
Pra, gjithsej, një individ që zotëronte një automjet paguante çdo vit 10 000 lekë detyrime për taksat.
Sipas ndryshimeve të fundit, një individ që zotëron një automjet të përdorur sot paguan:
– Taksë vjetore për mjetet e përdorura 17 000 lekë
– Taksën e re të karburantit (9 lekë/litër) 10 800 lekë
Për rritjen e çmimit të karburantit është marrë për bazë një konsum mesatar mujor prej 100 litrash (100 x 12 muaj x 9 lekë litri taksë qarkullimi dhe TVSH-në e taksës së karbonit).
Pra, një individ që zotëron një automjet të përdorur sipas ndryshimeve të fundit do të duhet të paguajë gjithsej 27 800 lekë detyrime taksash në vit. Pra rritja e detyrimeve të çdo qytetari është mbi 2.7 herë.

Shembulli i Bodes
Marrim shembullin e një qytetari që përdor një makinë me cilindratë deri në 1900 kubikë.
Deri më sot ka paguar në mënyrë të përvitshme:
– Taksë qarkullimi rrugor, 10 mijë lekë.
– Taksa e regjistrimit, 2400 lekë në vit.
– Taksën e importit e amortizuar për 10 vjet me makinë, 23.750 lekë në vit.
Gjithsej, 36.150 lekë në vit.
Me taksën aktuale ai paguan 19.500 lekë, pra paguan gjysmë për gjysmë me atë që paguan sot.
Po kështu, një makinë 15-vjeçare që ka paguar 48.250 lekë, sot paguan 29. 300 lekë. Pra, familjet përfitojnë në një masë nga 40 deri në 50 për qind në krahasim me atë që paguanin me sistemin e mëparshëm.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura