Takimet dhe marrëveshjet

Mar 31, 2014 | 13:14
SHPËRNDAJE

TRITAN SHEHU

  Marrëveshjet, kontaktet, shkëmbimi i mendimeve janë tiparet kryesore të politikës demokratike. Unë personalisht, në çdo pozicion politik që kam pasur, edhe si kryetar i PD jam përpjekur të mos u shmangem komunikimeve në forma të ndryshme me “kundërshtarët”. Kjo ka ndodhur edhe në momentet më të acaruara, të mprehta e të vështira të ecurisë së vendit. Kam biseduar disa herë me ata edhe gjatë gjithë ngjarjeve të 1997. Jam takuar me Mejdanin, Doklen, Ruken dhe Gjinushin pikërisht në mesnatën e 28 shkurtit të 97, kur u sulmua ShIK-u në Vlorë. Kontaktoja dhe në ato periudha të vështira me Pëllumbin, Hajdaragën, Metën, Majkon, Finon, Zenelin etj. Jam takuar disa herë me Nanon mbasi doli nga burgu, kam komunikuar e negociuar me atë, kemi realizuar marrëveshje të rëndësishme. Për mendimin tim, komunikimi është thelbësor, i domosdoshëm edhe në momentet e “ndarjeve” të mëdha. Nuk ka rrugë tjetër, kjo është e vetmja rrugë e tejkalimit të përplasjeve, arritjes së marrëveshjeve, paqes e zhvillimit.
Para 48 orësh, Obama e Putin patën një bisedë telefonike me njëri- tjetrin, e disata në kulmin e krizës së Ukrainës, që të kujton “luftën e ftohtë”. Pra, ata dialogojnë dhe kur duket se janë më të ndarë se kurrë. Kështu gjenden rrugët e afrimit. Shembull më i mirë emancipimi për mentalitetin tonë nuk ekziston.
Po ne? Te ne, për një bisedë midis Bashës e Ramës komentohet në media e opinion sikur duhet të tunden e të afrohen malet, duke i “mistifikuar” e vështirësuar artificialisht gjërat. Nuk është kështu. Kontaktet formale apo informale, shkëmbimet e mendimeve janë pjesë e jetës normale, jo gjithmonë evenimente madhore. Në një shumicë të rasteve ato nuk kanë nevojë për mediatizim, për njoftime paraprake në emisione televizive, ato janë aktiviteti i përditshëm. Në fund të fundit, ata duhet t’i kenë dhe numrat telefonikë të njëri-tjetrit!!!
   A mund të thotë dikush se sa herë ka kontaktuar Berluskoni me Renzin deri sa ranë dakord për modelin e ligjit elektoral? Asnjë nuk e di. Dhe nuk ka pse ta dijë. Kjo është përbërëse thelbësore e veprimtarisë politike të tyre.
Po kështu, Berisha është takuar jo pak me “kundërshtarët” e tij. A  nuk erdhi marrëveshja shpëtimtare e 9 marsit si pasojë e ftesës që ai u bëri atyre atë natë “të egër” për t’u takuar ne Presidencë, pa asnjë njoftim paraprak publik? Ky është normaliteti që duhet stimuluar. Ashtu si nuk është dobiprurëse që Z.Rama të deklarojë në media se po i dërgon një letër për një takim formal Bashës, përpara se ajo të ketë arritur në destinacion. Kjo duhet të evitohet se e “rëndon së tepërmi” eventin, mund të krijojë efektin e kundërt, të japë një mesazh të kundërt.
Pra, takimet e kontaktet midis personaliteteve më të larta politike, qoftë edhe larg vëmendjes së opinionit, janë një domosdoshmëri rutinë e duhet të jenë të tilla edhe për ne.
Arritja e marrëveshjeve konkrete është diçka tjetër, veçanërisht kur këto janë të rëndësishme e kanë nevojën e involvimit të Parlamentit për miratimin e tyre. Kjo mund të kërkojë përgatitje e diskutime paraprake. Sigurisht kjo kërkon garanci të qarta për finalizimin pozitiv në Parlament, të atij materiali mbi të cilin probabilisht bihet dakord.
Në vitin 1997, unë kam pasur disa negociata jo të lehta me Nanon, në Romë dhe Tiranë. Në përfundim të tyre kemi arritur marrëveshjet përkatëse. Në Romë (Sant Egidio) vendosëm për modalitet e fushatës elektorale, që më shumë ishin deklamative. Në Tiranë realizuam marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor e Ligjin e Lustracionit. Mbas shumë debatesh dhe në prezencë të mediatorëve, ramë dakord për një draft, që do t’i paraqitej Kuvendit me urgjencë, gjë për të cilën kisha dhe përkrahjen e Berishës. Diskutimi ne Kuvend filloi menjëherë, pa ndonjë përgatitje paraprake për shkak të termave kohorë. Befasisht u ndodha para disa kundërshtive serioze nga disa deputetë të PD. Në këto kushte i komunikoj kryetarit të Grupit Parlamentar, z.Spahia, e më tej dhe atyre deputetëve tanë se, në qoftë se marrëveshja që unë kisha arritur dhe firmosur me Nanon nuk do të votohej pa asnjë ndryshim, unë do të paraqisja menjëherë dorëheqjen si kryetar i PD.  
    E përmenda këtë fragment pikërisht për të argumentuar se sa pak bindës e inkurajues më duket qëndrimi jo i qartë i z.Rama kur nuk jep siguri të plota që konsensusi, mundësisht i arritur midis tij dhe Bashës e, më tej, probabilisht i kthyer në nene të Ligjit për Ndarjen Territoriale në Komision, do të respektohet katërçipërisht edhe në Kuvend. Ose, ndryshe që po ato rregulla loje të aplikuara në Komision do të përdoren pikërisht të atilla dhe në seancën plenare. Në fund të fundit, ajo që ka vlerë këtu, është votimi në Kuvend. Aty finalizohen ligjet. Një marrëveshje e tillë e arritur në parim, qoftë dhe si modalitete midis dy kryetarëve e, më tej, e konkretizuar mbi këtë bazë me punën e komisionit, është e detyrueshme për t’u votuar integralisht në Kuvend, së paku për t’u përdorur dhe aty të njëjtat modalitete. E kundërta jo vetëm që nuk ka kuptim dhe dobi, por krijon veçse situata shumë të vështira dhe të komplikuara. Që kjo të mos ndodhë, duhen dhënë të gjitha garancitë e nevojshme që në fillim të procesit. Është detyra e përgjegjësia më tej e secilit kryetar partie të evitojë të “papriturat” nga grupi i tij parlamentar. Këto janë rregullat e lojës.
Për këto arsye në tërësi, unë i jap krejtësisht të drejtë Bashës në vullnetin e tij të hapur për takim e dialog. Por gjithashtu unë i mirëkuptoj dhe kërkesat e tij, propozimet e tij në lidhje me premisat e një dialogu të tillë, që ka si objektiv konkret arritjen e marrëveshjes për Ligjin e “Ndarjes Territoriale”. Miratimi i këtij ligji përfundon veçse mbasi ai votohet në Kuvend dhe jo vetëm po u shkrua ne Komision, apo u ra dakord midis atyre të dyve.
Pra, në kushtet që jemi, për rëndësinë që ka, interesat që prek, konsensusin që kërkon, i gjithë ky proces i miratimit të ligjit në fjalë, duhet perceptuar si një i tërë. Ai fillon në komision e mbaron në sallën plenare me po ato rregulla loje. Dakordësia mbi këtë kolonë i hap rrugë këtij procesi konsensual, që mund të iniciohet nga një takim publik formal Basha-Rama. Në qoftë se ata të dy e konsiderojnë të nevojshëm një komunikim paraprak, direkt e informal midis tyre, nuk ka asnjë arsye pse të hezitojnë. Për këtë ka shumë “mjete e mundësira” sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura