Tahiri në Lapardha, qytetarët dorëzojnë armët: Rrezik më keq se droga

Jan 27, 2017 | 21:09
SHPËRNDAJE
Në kuadër të procesit të çarmatimit dhe dorëzimit vullnetar të armëve, Ministri Tahiri ishte sot në Lapardha të Beratit, ku dhjetëra qytetarë sollën vullnetarisht armët që mbanin në mënyrë të paligjshme në shtëpi që nga vitit 1997.
Me këtë rast u dorëzuan rreth 50 armë zjarri të ndryshme, kryesisht automatikë e pushkë por edhe municione e mjete të tjera luftarake.
Tahiri-12
Në momentin e dorëzimit të armatimeve, nuk munguan as batutat e humorit.
Ministri Tahiri duke iu drejtuar banorëve të Lapardhasë, tha :
“Unë dua t’ju falënderoj dhe besoj që shembulli juaj është i mjaftueshëm për cilindo në Shqipëri që ka varrosur apo fshehur diku në shtëpi ndonjë armë. Eshtë rrezik i madh ndërkohë jo vetëm për fëmijët, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Ndaj është mirë që fëmijët tanë, fëmijët tuaj, që nesër të jenë më të sigurt, t’i dorëzojnë që të gjithë armët”.
Një shtetas pjesëmarrës në këtë takim, duke folur edhe në emër të komunitetit si kryeplak i zonës,  tha:
“Z. Ministër, ju faleminderit për ardhjen këtu në Lapardha. Dorëzimi i armës është mirëqenie. Kemi një polici të shkëlqyer. Pardje filloi shefi i komisariatit, që e falënderojmë bashkë më gjithë policët e tjerë. Kjo nismë do të vazhdojë shtëpi më shtëpi. Unë jam kryeplak dhe komunikoj me të gjithë njerëzit të sjellin gjithë çfarë kanë, edhe fishekë, edhe të tjera, t’i dorëzojnë.
Ministri Tahiri, duke falënderuar një nga banorët e Lapardhasë që dorëzoi armën, tha:
“Ju thatë një fjalë të mençur, arma në shtëpi, më së pari është rrezik për fëmijët, edhe më keq se droga. Unë të falënderoj shumë, nuk je i vetmi që ke dorëzuar armën, por shembulli yt është i mjaftueshëm që të gjithë qytetarët në të gjithë Shqipërinë që t’i dorëzojnë armët.
Vetëm në Berat dje janë mbi 30 armë të dorëzuara. Nuk është shumë, por nuk është as pak.
Eshtë aq sa për të treguar dhe për të bindur cilindo që ka një armë që e mban që nga vitit 1997 në shtëpi, ta dorëzojë!”
Qeveria ka nxjerrë akte ligjore që çlirojnë nga akuza shtetasit që dorëzojnë armët e paligjshme deri në datë 30 prill 2017.
Mbas kësaj datë hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore që janë shtrënguar sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura