Tahiri flet për Arben Frrokun: Pasi u shpall i pafajshëm, s’kishte ndalim ligjor të largohej nga Shqipëria

Jul 3, 2015 | 11:30
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i është përgjigjur sot akuzave të opozitës lidhur me çështjen Frroku dhe largimin e tij jashtë vendit dhjetë ditë para se Apeli ta shpallte fajtor për vrasjen e kryekomisar Lamajt dhe ta dënonte me burgim të përjetshëm. 

Ministri Tahiri ne Kuvend

Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Tahiri theksoi se “pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë, që shtetasi ishte i pafajshëm, zotëria nuk kishte ndalim ligjor nga askush për të lëvizur brenda e jashtë vendit”.

Tahiri sqaroi se “Në pikën kufitare në kufin shqiptar, ky shtetas është rregjistruar si të gjithë shtetasit e tjerë, në regjistër manual për shkak se sistemi TIMS nuk funksiononte prej disa orësh. Rregjistri është aty, mund të shihet nga të gjithë, e në qoftë se PD-ja ka ankesë për këtë, mund t’i drejtohet Prokurorisë duke ia kursyer edhe vetes mundimin e deklaratave tërësisht spekulative”.

Tahiri ka ftuar opozitën të bëjë verifikimin në regjistër, nëse Frroku është regjistruar apo jo.

“Policia ka bërë verifikimin e statusit të shtetasit dhe pasi është verifikuar, është lejuar të udhëtojë. Po kështu është bërë ndalimi edhe në një pikë të kalimi kufitar jashtë Shqipërisë, ku policia e atij shteti ka komunikuar me Interpol Tiranën, e cila pas komunikimit me Prokurorinë e Përgjithshme dhe pas verifikimit, është lejuar edhe atje të kalojë”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura