Tahiri dhe shokët e tij

May 4, 2018 | 11:20
SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Saimir Tahiri la mandatin e deputetit me një fjalim më shumë apolitik se të gjatë, paçka se edhe i gjatë ishte boll. Për faktin se ishte apolitik, brenda tij strehoheshin edhe disa të vërteta, të cilat thuhen me vonesë nga ana e tij dhe nën trysni, e cila sa vjen e shtohet kryesisht nga faktori ndërkombëtar.

Do të konsiderohej një akt mora dorëzimi i mandatit dhe fjala e së enjtes nëse do të kryheshin në kohën e duhur, kur nga Italia mbërriti dosja e Skandalit. Nuk e bëri. U mbrojt politikisht dhe hyri në një skemë komunikimi mafioz. Sot me “kokën” e Saimir Tahirit bëhet politikë gjithandej. Nuk mund të themi me siguri sa, si, kur është i përfshirë në çështje për të cilat përflitet pa u gjykuar dhe pa u marrë një vendim për të.

Por nuk ka fëmijë në Shqipëri që nuk e di se, përsa kohë ai ishte ministër i Brendshëm, ne u shndërruam në Republikë të Kanabisit, nuk ka njeri në faqe të dheut të besojë se Policia dhe Shteti ishin jashtë kësaj historie. Ka mbërritur deri në ditët tona jehu që mbreti Ahmet Zogu, kaq i urryer nga socialistët me 300 xhandarë, e kontrollonte gjithë territorin e jo më sot kur “Mbreti” aktual ka 12 mijë policë, ushtri, radarë që fiken e ndizen, shërbime sekrete të vendit e të huaja, aleate të NATO-s, spiune vullnetare, media etj., etj..

Saimir Tahiri, në mes të tjerash kishte një fjali kyçe “Më kanë këshilluar të them se Edi Rama ishte në krye të kësaj pune, por nuk e bëra”, por kjo s’do të thotë se në ditët që vijojnë nuk do ta bëjë. Nuk ka mbetur person me zë publik, ambasade, opozita, pa ia thënë këtë problem që kur u rrëzuan avionët. Kryeministri nuk reagoi. Ai humbi një rast të artë për të përputhur fjalët me aktet. E humbi këtë shans.

Do t’i kishte kursyer andralla pa fund vendit, vetes, pse jo edhe Tahirit që pushteti pa kufi e rrasi në ngasje dhe arrogancë pa kufi. Kanabisi, koncesionet, korrupsioni, mungesa e investimeve dhe zbrazja demografike janë pesë problemet e mëdha të qeverisë Rama. Kanabisi ishte më i dukshëm, i prekshëm, e dinin të gjithë dhe mospranimi i këtij fakti u konsiderua si dhënie statusi politik për fenomenin. Mund të ndodhin magji dhe mrekulli, por zor se Saimir Tahiri mbetet i pafaj në këtë histori.

Mund të ndodhë shpëlarje e trurit, mund të bëhet çfarëdolloj propagande, akuze, spostim vëmendjeje, por edhe Kryeministri e ka të vështirë të mbetet duar jashtë në këtë histori sepse do të thyhej çdo sistem logjik, çdo etikë politike dhe publike. Një proces i tille kanabizimi i vendit nuk mund të lidhet veç me Saimir Tahirin. Edi Rama, i cili ka kërkuar falje disa herë për gjëra të ndryshme, kësaj teme i është rrotulluar pa i hyrë në thelb. Ai e di që falja në këtë rast nuk mjafton as pranohet sepse kur duhej ndërhyrja, ne morëm si dhuratë arrogancën.

Përgjegjësia politike bie mbi atë kryekëput. Shpesh akuzohet opozita pse e politizon këtë çështje. Në fakt, opozita meriton të akuzohet për paaftësi për të rrëzuar qeverinë pikërisht për këtë çështje. Tahiri nuk e dorëzoi mandatin nga presioni i shoqërisë shqiptare në shenjë respekti për të, siç thuhej sot në ligjëratën e tij. Përkundrazi, me shpresën se çudia tri ditë zgjat, ai nuk pyeti për të. Një gjë të tillë nuk ia kërkoi as Kryeministri e as partia e tij. Tani, kur në çdo takim zyrtar a jo me të huajt shtrohet ky problem, nuk mbetej rrugë tjetër. Dorëzimi i mandatit ngjan si kompromisi i radhës, i cili, në thelb, ia le atë vullnetit të lirë të personit, kur kështu nuk është.

Tani gjithçka është në duart e sistemit të drejtësisë, një sistem ky në anarki të plotë. Saimir Tahiri “kokë turku” nuk i shërben për asgjë Shqipërisë veçse mbush bulcinjet e ndyrë të politikës shqiptare me bukën e përditshme. Ndërsa një hetim dhe gjykim i vërtetë që nxjerr të gjitha përgjegjësitë e tij, të vartësve dhe të eprorëve, po qe do ishte emancipues për të gjithë. Kjo në Shqipëri zor se ndodh, kur edhe vetingu pilotohet si ndëshkim apo tolerim.

Në Bibël është një moment kur Maria Magdalena, e zënë në faj, rrethohet nga turma, e cila, sipas traditës, duhet ta gjuajë me gurë derisa të japë shpirt. Pyesin Jezusin dhe ai u përgjigjet, kush është i pafaj, le të gjuajë gurin e parë. Në fakt, askush nuk pat guxim të hidhte gurin e tij. Nuk jemi nën shtetin e Biblës, por të së drejtës, për më tepër, në Shqipëri, por ajo që bën përshtypje pa relativizuar aspak skandalin “Tahiri”, është sesi kohorta me hajdutë, me batakçinj, dylme e fytyrëshollë të çdo kategorie marrin anën e virtytit kundër vesit. Të paktën, të kishin miradine me heshtë. E vërteta është e vërtetë, edhe kur e thotë Saimir Tahiri, i cili, me gjasë, ka gënjyer jo pak këta muaj.

Do të ishte naivitet të mendonim se po na pengon Saimir Tahiri integrimin në Europë. Ai është pika që derdhi gotën, po veç kaq, pa ia hequr për asnjë çast njollën 28 mije km katrorë të kanabisit, që e ndjek nga pas. Saimir Tahiri nuk është vetëm në këtë pengesë. Mjafton për të vërejtur Shqipërinë nga avioni dhe menjëherë do të shohim shëmtinë urbane, vepër e korrupsionit. Shqipëria e lirë u bë një Shqipëri e korruptuar. Korrupsioni ka filluar në pallatin e Kryeministrisë dhe shtrihet tash 28 vjet në mënyrë kapilare nga Vermoshi ne Konispol.

Çdo zaptim i pronës publike, çdo shtë- pi kulture e kinema të privatizuara, çdo pallat nga periferia në qendër ka nga pas një histori të shëmtuar. Duke filluar nga viti 1992, mjafton të hulumtosh kurbën e jetës së çdo kryetari komune bashkie, të çdo ministri të majtë e të djathtë, të shikosh shtëpitë, dyqanet, shkollimin e fëmijëve, të shikosh vilat e tyre në Mal të Robit, në Gji të Lalzit, në kodrat përreth Tiranës, në Voskopojë e Dardhë, Velipojë e Vlorë, për të kuptuar se çfarë i kanë punuar këtij vendi shumica e tyre, një frote e ndyrë rriqnash. Integrimi në Europë është penguar ditë pas dite, vit pas viti, vjedhje pas vjedhjeje, shkelje pas shkeljeje të ligjit.

Politikanët shqiptarë i ka zënë halli, si ata të maxhorancës, si ata të opozitës, me procesin e integrimit. Në fakt, nuk e duan, por s’e thonë dot. Kësisoj, e pengojnë me mënyrat e tyre, të cilat kanë fytyrën, buzëqeshjen dhe leksikun e tyre si vulë e firme. Si mund të prodhojnë demokraci tri partitë shqiptare, të cilat funksionojnë si pronë private, ku statusi i idiotit vlen më shumë se ai i çdo intelektuali? Teorikisht, demokracia prej tyre duhet të burojë. Europa, s’e di këtë? Mendojnë matrapazët surratqerepe, që na qeverisin prej dekadash vetëm se veshin një kostum firmato dhe të shtrenjta se janë partnerët e Europës.

Injorantë dhe hajdutë, më e keqja racë, këta janë thjesht Esat Pasha-t e rinj, që duan një pashallëk për vete e fëmijët e tyre. Por krusma e banalitetit si në këtë Parlament, ngado që të shohësh, si nga pushteti, ashtu nga opozita, s’ka qenë kurrë e tillë. Një garë e madhe për të gënjyer, për t’u shtirur… një garë për t’u dukur sa më debil, për t’i pëlqyer shefit.

Në këtë pikë, Saimir Tahiri qe i ndershëm. Problemi nuk është Saimir Tahiri vetëm, por ai dhe shokët e tij bashkë në PS, në PD, në LSI, të cilët ashtu grumbull i kanë shndërruar shqiptaret në një shoqëri të degraduar ku çdo të drejtë e kërkojnë si favor, ku pas çdo favori servilosen dhe shiten pastaj kur e kuptojnë se kanë gabuar, marrin valixhet e ikin dhe përfundojnë në kampe emigrantësh për të marrë gjellën në kazan. Saimir Tahiri mbase nuk është as më i korruptuari, as më i pasuri nga kolegët e tij. Tranzicioni shqiptar, kjo kohë urdi e hajdutëve, nuk mund të gjykohet siç duhet, nëse si tapë i vëmë kokën e Saimir Tahirit, i cili nuk është më “turk” se të tjerët.

 

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura