Tabloja kushtuar Lezhës së vjetër

Dec 4, 2020 | 9:00
SHPËRNDAJE

PASHK PËRVATHI

pashk-pervathi-300x242

Lezha e ka vazhduar jetën e saj qytetare pa ndërprerje, që nga themelimi në vitin 285 p.e.s. e deri në ditët e sotme. Mund të kishte pasur fizionomi të ndryshme arkitekturore më parë, por në shekullin e 18-të e mbrapa ishte po ai qytet që të gjithë e kemi njohur përmes fotografive të Marubit e Picit. I shtrirë rrëzë malit të kalasë e buzë Drinit, me shtëpi të vjetra dykatëshe, përshkuar nga një rrugicë mes përmes, e cila e ndante qytetin në dy pjesë. Ngjyra e bardhë e mureve të shtëpive dhe çatitë në umbra dhe okra të ngrohtë, e bënin peizazhin tejet piktorik. Por erdhi një ditë që qyteti i vjetër e pushoi frymëmarrjen e tij. Tërmeti i 15 prillit 1979 e shkatërroi plotësisht atë. Një peizazh i realizuar nga unë vetëm një vit para rënies së tërmetit, pati bërë jehonë te lezhjanët. Kishte prej tyre që e porositën t’ua realizoja, për ta pasur në shtëpinë e tyre si zbukurim, por edhe si dëshmi të ekzistencës së qytetit të vjetër që nuk ishte më. Aty kishin pasur shtëpitë, historitë e fëmijërisë e të moshës së rritur, aty ishin dashuruar e bërë me fëmijë. Ditët e muajt mbas tërmetit, në vendin e rrënojave, nxitimthi u ndërtuan 5-6 pallate mediokër dhe pjesa tjetër u la për gërmime arkeologjike.

Në qershor 2020, plot 41 vite më vonë, pata një telefonatë nga kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu. Më ftoi në mjediset e bashkisë dhe aty më tregoi një sipërfaqe bosh në murin përballë hyrjes, duke më thënë: “Kjo është në dispozicionin tënd. Na thuaj çfarë mendon se i shkon më tepër këtij vendi”. Nuk mora kohë për t’u menduar gjatë. “Lezha e vjetër”, i thashë. Pashë që ndihmësi i tij kishte dëshirë që të realizoja “Kuvendin e Lezhës”, por unë këmbëngula përsëri për “Lezhën e vjetër”. “Kjo ka ndjeshmëri për qytetarët. Këtë e di mirë prej kohësh”, përfundova unë. Ndërhyri kryetari, duke më thënë se do të bëhet siç thua ti. “Na realizo bukur Lezhën e vjetër, pasi ne po bëjmë rikonstruksionin e përgjithshëm të këtyre mjediseve dhe këtu do jetë ekspozuar vetëm kjo vepër arti. Pjesën tjetër do ta kemi me artefakte”.

Lezha e vjetër ishte vetë lagjja “Skënderbeg” e sotme. Kaq kishte qenë qyteti historikisht. Unë e kisha realizuar shumë herë në pikturë, por tani kishte ardhur një moment ku duhej ta mbyllja këtë cikël. Duhet të bëja veprën më të mirë dhe më të përafërt me qytetin që nuk ishte më. Si motiv për veprën e re do të më shërbente edhe piktura e parë që kisha realizuar në vitin 1978. Motivi i hershëm do të zgjerohej, duke përfshirë pjesën më të madhe të qytetit të vjetër dhe vetë kalanë. Agostin Cini dhe Petrit Sela më ndihmuan me material fotografik. Tani më vlenin edhe foto që kishin vetëm një fasadë ndërtese apo formë çatie, sepse peizazhi im i hershëm ishte impresionist dhe i pakonkretizuar në detaje. Po kërkoja maksimumin e vërtetësisë. Më dukej se do t’i hyja në hak po t’i lija gjë mangët atij realiteti të zhdukur.

Dimensioni i pikturës për një peizazh ishte i madh, 180×110 cm. Pata shumë emocion te kjo vepër. U ktheva në kohë. Pikturoja e mendoja për rrugicat, shtëpitë, njerëzit e kësaj lagjeje. Përbri sheshit kryesor, në qendër, majtas, ishte ish-shtëpia e madhe e Sykajve, ndërtesë tipike e të pasurve të viteve ‘30-të, me fasada të dekoruara me bordura dhe ornamente. Regjimi i kohës e pati kthyer në mapo tregtare. Aty punonte Harapi nga Shkodra e unë ruaj një kujtim të dhimbshëm nga fëmijëria. Në moshën 6 vjeç i pata kërkuar me ngulm e duke qarë tim ati të më blinte një top futbolli që e shihja në vitrinën e sipërme të MAPO-s, por unë nuk dija e as e kuptoja pamundësinë e tij për të ma plotësuar dëshirën. Edhe sot më dhemb pamundësia e tij. Përbri MAPO-s ndodhej Libraria. Punonjëse e saj ishte Sofia nga minoriteti, që nuk di se për çfarë arsye kishte përfunduar familjarisht në Lezhë. Përkarshi librarisë ishte shtëpia e poetit të ri Rudolf Marku. Asokohe kishte botuar dy vëllime poetike, “Rruga” dhe “Shokëve të mi”. Rrugica kryesore e hyrjes në qytet fillonte pikërisht këtu dhe përfundonte në fund të lagjes tek Ura e Drinit. Në të djathtë të rrugicës hyrëse gjendej ndërtesa ku të gjithë i thoshin “bilardoja”, emër i cili i mbeti edhe kur u mbyll si e tillë disa vite para rënies së tërmetit, duke e konsideruar si shfaqje e botës mikroborgjeze. Kjo ishte ndërtesa më në ballë të lagjes. Në katin e dytë të saj, si në një krah të shtrirë nga ana e rrugicës, ishte vendosur në të ora e madhe e qytetit. Kur po e pikturoja, u kujdesa që të kem edhe Qazimin, lustraxhiun historik, tek lustronte këpucët në cepin djathtas derës së bilardos, gjithnjë i shoqëruar nga djemtë çapkënë të lagjes. Më kishte bërë gjithnjë përshtypje portreti i tij tejet ekspresiv. E kujtoj dhe sot tek thërriste në stadium me zë të lartë, “Rring Qazo”, por historia përsëritet. Kur po vrojtoja këpucarin dhe lustraxhiun e sotëm që është afër kryqëzimit tek Ura e Drinit, për ta pasur si model të Qazimit të dikurshëm, befasohem kur më thotë se ishte vetë djali i tij. Ngjitur me bilardon ka qenë një shtëpi dykatëshe e bukur. Unë nuk e kam njohur kurrë të zotin e saj, por kur po e pikturoja më treguan se shtëpia kishte qenë e Pjetër Hilës. Ndërtesa kishte shërbyer si infermieri fillimisht e më vonë si restorant. Në të djathtë, rrethuar me avlli dhe me pak oborr të vogël, ishte shtëpia e Mustaf Shemës. E dija këtë fakt, se vetë Mustafa, rreth vitit 1994, më kishte porositur t’i realizoja peizazhin e Lezhës së vjetër, duke më treguar se ajo ishte shtëpia e tij. Më tej vazhdohej me shtëpinë dykatëshe të hoxhës së qytetit. Afër themeleve të shtëpisë së hoxhës, pati qenë rrapi i madh shekullor, i cili pushoi se jetuari, kur filluan gërmimet arkeologjike fill mbas tërmetit. Përveç pjesës ballore që përmenda, u kujdesa të spikateshin në pikturë dhe objekte të tjera kryesore të lagjes së vjetër, si ndërtesat e Kultit, Konvikti, Furra e Shaqir Smajës, Shtëpia e Kulturës, Muzeu, ish-Komiteti i Vjetër, dhe kalaja mesjetare. Në sheshin kryesor vendosa figura njerëzish që shkonin e vinin, prej tyre edhe me kostume kombëtare, për të theksuar karakterin tipik të zonës sonë. Sot mund të them, se nga gjithë ky rrënim që iu bë lagjes së vjetër, një e mirë doli në pah. Kur u bënë gërmimet arkeologjike mbas tërmetit, nën shtëpitë e sipërpërmendura dolën muret rrethuese me blloqe gurësh ciklopikë dhe portat kryesore të qytetit të lashtë 2400-vjeçar të Lissusit. Unë ato i konsideroj pasuritë më të mëdha historiko-kulturore që ne trashëgojmë sot.

Kur po i afrohesha fundit të pikturës, pata mysafirë në studio. Luca, një specialist i vaditjes bashkëkohore me pika, mbasi përfundoi impiantin e vaditjes së luleve në tarracën e shtëpisë, erdhi edhe në studio. I kisha thënë se po pikturoja Lezhën e vjetër. E vrojtoi pikturën me vëmendje pastaj u shpreh: “Pashk, unë nuk marr vesh nga piktura, veç një gjë di me ta thënë. Mua më duket sikur po futem në lagjen e vjetër, kaloj përbri dyqanit të Ymer Dashit, përbri fotografëve, dal te mallrat e zhvleftësuara, kthehem nga katedralja, shkoji te furra e Shaqir Smajes, për të vazhduar deri në fund të lagjes. Piktura ka një thellësi që më çon deri në Shkodër. Kaq mund të them unë”. Luca kishte thënë gjithçka. Fjalët “më duket sikur po hyj në lagjen e vjetër” ishin shumë domethënëse. Kisha arritur vërtetësinë që i kisha vënë synim vetes. Ftova dhe kolegun Nikolin Ivanajn për ta parë. Edhe Nikolini më tha: “Kjo është tablo, jo thjesht një peizazh. Lezhës i ke bërë një shërbim të madh”. Nga ky moment, pikturën e quajta të mbaruar dhe njoftova porositësit për ta parë. Mora falënderimet nga kryetari i Bashkisë dhe mbas disa ditësh piktura u vendos në vendin e parashikuar.

Këtë vepër e vlerësova shumë për disa arsye. Po ringrija imazhin e një qyteti që nuk ishte më, por ekzistonte veçse në memorien e banorëve të saj. E dija se lezhjanët kishin nostalgji për qytetin e vjetër. Aty kishin rrënjët, kishin lindur aty. E vlerësova mundësinë që m’u dha, t’ua ktheja brezave më të rinj imazhin e vërtetë të qytetit që nuk e kishin mbërritur, por e njihnin nga kujtimet e prindërve të tyre. E kjo, mendoja unë, do të transmetohet brez pas brezi. Edhe në shpinë të tablosë, vizatova mbi kanavacë të gjithë lagjen, duke realizuar dhe legjendën, me emërtimet e të gjitha shtëpive apo objekteve kryesore që përmenda më sipër. Arsyetova se koha ikën, por këto shënime mbeten. Mendoj se nuk realizova vetëm një tablo për qytetin, por më duket sikur kreva një mision ndaj tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura