Tabela/ Zbardhet vendimi, sa do të rriten pagat dhe pensionet

Jul 23, 2016 | 14:03
SHPËRNDAJE

Qeveria ka miratuar vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve, fondet për shpronësimin e pronarëve dhe kompensimin e ish-të përndjekurve, që do të përdoret në 3 vitet e ardhshme.

Pensionet

“Panorama” shkruan se rritja e pagave të punonjësve të administratës do të nisë në 2017-n. Për pensionet, politika të reja rritjesh janë programuar në vitin 2019. Për këtë vit, për kategorinë e pensionistëve, sipas reformës së pensioneve, qeveria ka parashikuar indeksim më shumë se norma e inflacionit, që është 1.2 për qind.

“Panorama” zbardh vendimin e buxhetit afatmesëm për periudhën 2017-2019, me zërat për fondet e rritjes së pagave dhe pensioneve. Sipas vendimit, qeveria ka programuar rritje të ardhurash në buxhet për çdo vit, rritje të shpenzimeve të përgjithshme dhe shpenzimet për investime kapitale.

Për 3 vitet në vazhdim, nga ana e qeverisë është programuar rritja e fondit të politikave të reja të pagave, duke nisur nga viti i ardhshëm. Për pensionet, politika të reja rritjesh, përveç indeksimit që bëhet çdo vit, parashikohen të nisin në vitin 2019. Në programin e buxhetit afatmesëm parashikohen rritje të fondeve për shpronësimin e pronarëve dhe kompensimin për ish-të përndjekurit.

PAGAT E PENSIONET

Rritja e pagave për punonjësit e administratës do të nisë nga 2017-a. Në vendimin e buxhetit afatmesëm të miratuar në fletoren zyrtare, për 3 vite rresht qeveria ka programuar fonde për politika të reja të rritjeve të pagave. Fondet që qeveria do të përdorë për rritjen e pagave do të kenë rritje 500 milionë lekë çdo vit.

tabela

Në programin e buxhetit afatmesëm fondi që do të përdoret për rritjen e pagave në 2017-n do të jetë 1 miliard lekë. Për vitin 2018, për rritjen e pagave qeveria ka vendosur të përdorë fondin në shumën 1.5 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2019, fondi që do të përdoret do të jetë me vlerë 2 miliardë lekë. Programi i buxhetit afatmesëm përcakton se fondi për politikat e reja të pensioneve do të nisë zbatimin në 2019-n.

Për rritjen e pensioneve fondi që do të përdoret do të jetë me vlerë 1.4 miliardë lekë. Për kategorinë e pensionistëve qeveria ndjek çdo vit politikën e indeksimit të pensioneve, sipas ligjit për reformën e pensioneve. Indeksimi parashikohet të jetë mbi 1.2 për qind, pra, më i lartë se inflacioni. Vendimi pritet që të kalojë brenda muajit korrik në qeveri, për të nisur zbatimin në muajin gusht.

PRONARËT E ISH-TË PËRNDJEKURIT

Për 3 vitet në vazhdim, qeveria ka parashikuar rritje të fondeve për shpronësimin e pronarëve dhe ish-të përndjekurve. Për shpronësimet, fondi për 2017-n do të jetë 4 miliardë lekë. Për 2018-n, fondi i buxhetit për këtë kategori është parashikuar 5 miliardë lekë. I njëjti fond do të përdoret edhe në vitin 2019.

Fondi i buxhetit për këtë vit për këtë kategori është 3 miliardë lekë. Rritje do të ketë edhe fondi për kompensimin e ishtë përndjekurve. Në programin e buxhetit afatmesëm është përcaktuar që në 2017-n fondi i buxhetit për këtë kategori të jetë 2 miliardë lekë, i njëjtë me fondin që buxheti ka në dispozicion këtë vit për këtë kategori. Rritja e fondit do të nisë në 2018-n me vlerë 2.1 miliardë lekë dhe për vitin 2019, vlera e tij do të jetë 2.2 miliardë lekë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura