Surprizon Çelsi, Terri e Çeh gati për Atletikon

Apr 30, 2014 | 14:35
SHPËRNDAJE

Peter Çeh u dëmtua në ndeshjen e kaluar kundër Atletikos dhe u detyrua që të zëvendësohet nga 41-vjeçari Mark Shvarcer. Hoze Murinjo pranoi publikisht që gardiani çek e ka humbur sezonin. Xhon Terri gjithashtu pësoi një dëmtim dhe u vu seriozisht në dyshim për ndeshjen e sotme. Gjithsesi, riaftësimi i tyre mund të cilësohet mrekulli, ose edhe një rreng i teknikut portugez. Të dy futbollistët kanë marrë pjesë në stërvitjen e djeshme të bluve të Londrës, duke kryer seancë të plotë, si shokët e ekipit. Një tregues që ata mund të jenë të gatshëm për ta nisur ndeshjen si titullarë. Por, nuk janë të vetmit. Samuel Eto dhe Eden Hazard gjithashtu mund të luajnë që nga minuta e parë, edhe pse kanë pasur probleme fizike dhe nuk janë stërvitur ditët e fundit. Dje kanë treguar se nuk kanë më shqetësime, madje janë në një formë të kënaqshme fizike. Duket se “speciali” do hedhë në fushë të gjithë yjet e tij, pa Lampardin dhe Obi Mikelin që janë të pezulluar prej kartonëve. Eto mund të mbështetet nga Oskar, Hazard, por edhe Shyrrle, që në fakt është në balotazh me Uillianin. Stërvitja e plotë e katër yjeve të Çelsit mund të përdoret edhe si shpërqendrim nga ana e Mout. Ai mund të fusë në dilemë Simeonen dhe të luajë me futbollistë të tjerë, si Shvarcer apo Torres në repartin e avancuar. Madje, edhe Hazard mund ta nisë nga stoli. Te madrilenët, këtë herë mund të ketë një modul disi më mbrojtës, ndryshe nga ai i ndeshjes së parë. Diego Kosta do jetë sërish i vetëm në repartin e avancuar, por pas krahëve pritet të ketë Raul Garsian. Lajmi i mirë për spanjollët lidhet me riaftësimin e Arda Turanit, që do jetë i gatshëm për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë. Ndërkohë, vendin e kapitenit Gabi, i cili është i pezulluar, pritet ta zërë Tiago.

Mourinjo: E meritojmë kualifikimin
Trajneri i Çelsit, Hoze Mourinjo, nuk e ka fshehur aspak dëshirën dhe mbivlerësimin për skuadrën e tij, duke theksuar se Çesli i tij do të kualifikohet. “E meritojmë që të shkojmë në finale. Kemi bërë një edicion shumë të mirë dhe besojmë se është momenti ynë. Kemi humbur në të shkuarën disa ndeshje në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni, por besoj se këtë herë fati do të na buzëqeshë dhe do të kualifikohemi. Mungesat? Do vendos nesër (sot) për formacionin”.

Simeone: S’jemi në presion, duam finalen
Trajneri i Atletikos, Diego Simeone, ka pohuar se skuadra e tij nuk ndihet nën presion, po ashtu edhe portieri Kortua, i cili është në pronësi të Çelsit, por i huazuar te spanjollët. “Nuk jemi nën presion. Jemi përgatitur më së miri për këtë ndeshje dhe do tentojmë me çdo kusht të arrijmë finalen. Kurtua? Kam folur me atë dhe ndihet i qetë. Do jetë ndeshja e tij e parë në Londër, por besoj se do arrijë që të durojë atmosferën e zjarrtë”, ka pohuar dje Simeone.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura