Sulmet ndaj Bashës janë domosdoshmëri, por nuk mjaftojnë

Nov 1, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

 

FITIM ZEKTHI fitim_zekthi_47317-1

Një literaturë mjaft e gjerë e shkencave politike përpiqet të shpjegojë arsyet pse votojnë dhe mënyrën se si votojnë njerëzit. Autorë të ndryshëm japin shpjegime të ndryshme. Profesori i Psikologjisë i Universitetit të Berkley-it, Kevin Lanning, që ka studiuar prej vitesh psikologjinë e zgjedhësve në fushata të ndryshme, sheh tek egocentrizmi një pikë kyçe. Ai thotë se njerëzit duan të shprehen, të pohojnë veten, të thonë “unë jam” etj. Disa njerëz votojnë se mendojnë që vota e tyre mund të bëjë diferencën etj. Në përgjithësi, studiuesit janë të mendimit se votimi më së shumti ndikohet nga faktorë të tillë si zemërimi, ankthi, frika, krenaria etj.

Një rol kyç ka ajo që Joseph Nye i Harvardit e quan inteligjenca emocionale, aftësia e kandidatëve, e liderëve në garë për të arritur te ndjenjat e njerëzve. Gjyqtari legjendar i Gjykatës Supreme, Oliver Wendell Holmes, i cili nuk e duronte dot Presidentin Roosvelt (për shkak se i dukej shumë majtist), tha pas takimit me të se ai ishte një intelekt i nivelit të dytë, por një karakter i nivelit të parë. Shumica e historianëve ia atribuojnë në fakt suksesin e Roosvelt-it natyrës së tij të mirë, dashamirësisë, dhembshurisë etj. Presidenti Truman rrëzoi çdo lloj sondazhi që e nxirrte humbës dhe fitoi bindshëm pikërisht për shkak të karakterit të tij. Ai shihej nga njerëzit si një prej tyre. Presidenti Reagan e dërrmoi plotësisht Presidentin Carter, pikërisht për shkak të mënyrës se si ai arriti te ndjenjat e njerëzve.

Në analizë të fundit, njerëzit ditën e zgjedhjeve do t’u përgjigjen domosdo dy pyetjeve. “A e duan ata edhe për një mandat Kryeministrin apo Presidentin që është në detyrë” dhe e dyta, “A duan që sfidanti, kryetari i opozitës të jetë Kryeministri apo Presidenti i ardhshëm”.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në garën e parë për Kryeministër në vitin 2009 u përpoq t’u ofrohet njerëzve si e reja, si “politika e re”, si “përtej së majtës dhe së djathtës”, u përpoq të prekë zemrat e njerëzve duke folur për varfërinë dhe mjerimin, për korrupsionin 20-vjeçar, për nevojën për t’i dhënë fund tranzicionit. Në fakt, Rama dhe partia e tij morën 66 mandate, nga 140 gjithsej. Pavarësisht akuzave të tij për manipulime, ishte e qartë se ai nuk kishte rezonuar me njerëzit, është e qartë se me inteligjencë emocionale njerëzit nuk e kishin parë Ramën si kandidatin më afër tyre, si kandidatin që kuptonte hallet dhe shqetësimet e tyre, si “natyrë e mirë, dashamirëse dhe i dhembshur”.

Në vitin 2013, kryetari i Partisë Socialiste ,Rama, ndoqi një taktikë të re. Tashmë ai nuk kërkoi më asfare të prekë zemrat e njerëzve, të ndërtojë një profil si njeriu që është më afër tyre, por u fut në koalicion me një pjesë të qeverisë, me LSI-në. Ai mori pak a shumë të njëjtat vota si në vitin 2019. Ai e ndërroi plotësisht qasjen e “politikës së re”, e politikës “përtej së majtës dhe së djathtës”. Edhe në këto zgjedhje, ai u nuk pa nga njerëzit si ai që kuptonte hallet dhe shqetësimet e tyre, si njeri me “natyrë të mirë, dashamirëse dhe i dhembshur”.

Në vitin 2017, Kryeministri Rama, duke e pranuar se kishte dështuar të realizonte premtimet në ekonomi, në punësim, në shëndetësinë falas, në legalizimet falas, në rend, në luftën ndaj korrupsionit dhe drogës, ia vuri fajin koalicionit dhe sidomos LSI-së, e cila në fakt e kishte sjellë në pushtet. Rama kërkoi nga njerëzit që t’i jepnin mundësinë, “timonin”, që të qeveriste i vetëm në mënyrë që të shkrinte “tepsinë” e korrupsionit, që vinte nga LSI-ja. Pra, pas dy dështimesh, nga “politika e re” e 2009-ës te koalicioni me LSInë (e vjetra) në 2013, mbërriti te “besoni te mua i vetëm, sepse kështu do të bëj ato që thamë në 2013-ën”.

Është e tepërt të flasim me detaje për këto zgjedhje, por mjaftojnë përgjimet e gazetës “Bild” për Durrësin për të kuptuar se Rama në mënyrë kirurgjikale drejtoi procesin zgjedhor, në mënyrë që të merrte më shumë se 71 mandate për të formuar qeverinë. Me gjithë këtë manipulim kirurgjikal, Kryeministri nuk mori dot më shumë sesa 48% të votave ose 761 mijë vota, nga mbi një 1 milion e 550 mijë gjithsej. Sigurisht që Rama as këtë herë nuk u pa nga njerëzit si njeriu më afër tyre, apo si ai me “natyrë të dhembshur dhe dashamirëse”. Tashmë, ai as vetë nuk e kërkonte më këtë gjë.

Pas vitit 2017, qeveria Rama ra në kolaps të plotë. Ajo që ishte ngritur në katër vite nga thirrja e krimit në politikë, nisi të gërryejë qeverinë. Një përgjim i bërë ndaj një grupi kriminal në Itali zbuloi se ish-ministri i Brendshëm, Tahiri, gjendej në bisedat e mafies si bashkëpunëtor i saj. Ministri që kishte qenë zemra e propagandës së “sukseseve” të qeverisë u akuzua nga Prokuroria për trafik ndërkombëtar droge.

Më vonë nisën protestat e studentëve, që zbuluan dështimin në arsim. Shpërtheu skandali Xhafaj, ku dyshohej se vëllai i ministrit të Brendshëm ishte i përfshirë në trafik droge. Opozita nisi protestat dhe kërkonte zgjedhje me qeveri tjetër. Kryeministri shkoi me forcë në zgjedhje në mënyrë të njëanshme. Më vonë doli rasti Pjetri, rasti Kajmaku. Ekonomia është në gjendje dramatike dhe dëshpërimi i njerëzve i lartë. Dështimi është kudo. Nuk ka një fushë të qeverisjes, në të cilën të flitet për sukses. Besueshmëria e Kryeministrit dhe e qeverisë u shkatërrua plotësisht. Asnjë mbështetës i verbër nuk e sheh më Ramën si njeriun më pranë njerëzve, që kupton hallet e tyre apo siç tha Holmesi, me “natyrë të mirë, dashamirëse dhe i dhembshur”.

Në këto kushte, Rama, i cili nuk i ka bindur njerëzit se është më afër tyre, se kujdeset për shqetësimet e tyre, se i jetonin si të tijat dhe hallet e tyre në vitin 2019, në vitin 2013, në vitin 2017, e ka të qartë se nuk do ta bëjë dot kurrë më. Rama është tmerrësisht i konsumuar nga 21 vite në politikë dhe nga 19 vite në pushtet. Veç faktit që ai nuk arrin të prekë inteligjencën emocionale të njerëzve si njeriu më afër tyre, ai është edhe i izoluar. Ai nuk ka më në koalicion as LSI-në, PDIUnë dhe disa parti të tjera. Opozita sot ka koalicionin më të madh të krijuar ndonjëherë në Shqipëri. Të gjitha partitë e vogla domethënëse, që kanë pasur elektorat vazhdimisht janë në koalicion me PD-në.

Ky koalicion është aq i madh, sa po të hynte bashkë në zgjedhje në vitin 2017 përballë partisë së Kryeministrit Rama, ai do ta rrezikonte ta mundte edhe atëherë Ramën, me gjithë manipulimet.

Në këto kushte, Rama ka vetëm një taktikë për të ndjekur. Të bëjë që pyetjes së dytë njerëzit t’i përgjigjen negativisht, të bëjë që pyetjes nëse “e doni Bashën për Kryeministër të ri”, njerëzit të mos i përgjigjen në shumicë me “Po”. Rama e ka të qartë se pyetjes nëse “e duan Ramën edhe një mandat të tretë”, njerëzit do t’i përgjigjen masivisht kundër. Ai shpreson që duke i dekurajuar njerëzit me kandidaturën e Bashës, të mund të fitojë. Pa dyshim që për këtë i duhet edhe mekanizmi gjigant i manipulimit (por atë ai e ka).

Për këtë arsye, që nga dita e parë Rama vazhdimisht sulmon Bashën. Në mënyrë industriale, tërë ekipi i Ramës në politikë dhe në media është përpjekur të konstruktojë, të fabrikojë si perceptim për njerëzit një Bashë të dobët, që nuk i besohet, që nuk drejton partinë, që është i korruptuar, që ndikohet nga familja etj. Kjo është aq industriale, sa Rama në çdo fjalim do të thotë patjetër diçka mbi Bashën si lider i dobët, si njeri që ka hallet personale, që drejton SHQUP-in si drejtor kopshti etj. Kjo është e menduar hollë, sa Erion Veliaj gati në çdo fjalim do të flasë për Bashën si njeri që nuk punon, që sheh punët e veta, që i lë kauzat përgjysmë (pra, Veliaj do që Basha ta çojë kauzën në fund dhe të mundë Veliajn), që fle gjumë etj. Kjo është fabrikuar me kujdes, sa të gjithë njerëzit në media të Ramës gjithnjë, çdo ditë, nxjerrin diçka për Bashën sikur ai ka shtëpi këtu e atje, sikur ai dha leje këtu e atje, sikur ai apo familja ikën në Holandë, sikur e shoqja kështu e ashtu, e akuzojnë pse bëjnë biznes të afërmit. Aq talent dhe mjete është përdorur për këtë gjë, sa helmi i kësaj propagande ka mbërritur në çdo kafe, madje edhe në çdo zyrë të PD-së. Po të shohësh atë që bën Rama dhe ekipi i tij në politikë dhe media me figurën e kryetarit të opozitës, do të mendosh se Shqipëria te Basha ka politikanin më të keq, më të rrezikshëm që ka pasur ndonjëherë, më të keq jo vetëm sa Rama dhe Ruçi, jo vetëm se Tahiri apo Ahmetaj, por edhe sesa Kadri Hazbiu apo Ramiz Alia.

Dhe është e kuptueshme për shkak të krizës së thellë të profilit të Ramës dhe të qeverisë. Po t’i kërkoje një kompanie të huaj strategjistësh zgjedhorë ose ekspertësh të shkencave politike, të cilët nuk e njohin Shqipërinë, se cilin politikan dhe kryetar partie do të zgjidhnin për t’i bërë fushatën, strategjinë e fushatës midis Ramës dhe Bashës, do të tronditeshe. Po t’u thoshe atyre (se ç’perceptim ka shoqëria mbi Ramën, gjë ata e kanë pyetje të parë) se Rama drejton qeverinë prej gati shtatë vitesh me dështimet që thamë më lart, se ai vjen nga nomenklatura e lartë e Partisë Komuniste, se ai është arrogant dhe fyes me shtypin dhe njerëzit, është piktor në profesion, se ka 21 vjet në politikë, se (ata duan detaje nga jeta personale) se Rama është shumë miqësor me lëvizjen gay, se është përçmues i fesë, ata do të zhyteshin në hezitime.

Po t’u thoshe se kundërshtari i tij Basha është kryetar i opozitës prej 7 vitesh, se njihet si familjar i mirë dhe korrekt, se ka dy vajza me të cilat shihet shpesh edhe në publik, se akuzohet në shtyp për mefshtësi në drejtimin e bashkisë, është shumë i komunikueshëm dhe nuk fyen kurrë mediat dhe politikanët e tjerë, është konstitucionalist i shkolluar në Holandë, nuk promovon axhendën gay, është për shtet të vogël, nuk vjen nga familje e lidhur me komunizmin, nuk ka lidhje me drogën etj., do të vëreje se çdo strategjist do të zgjidhte Bashën. Dhe kjo, vetëm për shkak rezultati. Strategjistët zgjedhin kandidatin që mund të fitojë.

Për këdo, Rama nuk mund të fitojë, ai do të ishte një kandidat humbës. Nuk mund të ndërtohet për Ramën kurrë në një vend të lirë një profil i një njeriu që është afër njerëzve, që i kupton hallet e tyre dhe që është më afër me moralin dhe kulturën e tyre, që është i dhembshur dhe dashamirës. Mirëpo, propaganda aq e hollë, me mjete pa fund, aq e fuqishme e Kryeministrit Rama dhe e njerëzve të tij në shtyp, ka bërë që për Bashën të ketë një pranueshmëri publike që nuk e kalon ose e kalon shumë pak atë të Ramës. Një fokus kaq gjigant ndaj kundërshtarit politik nuk gjendet në asnjë vend demokratik, ose gjendet vetëm në ato vende ku kundërshtari nuk mundet dot me votë.

Lideri i republikanëve në Kongresin e SHBA-ve, Kevin Mccarthy, u tha demokratëve dje se ju kërkoni impeachment (shkarkim) për Presidentin Trump, se nuk e mundni dot. Është hera e tretë, tha ai, që ju kërkoni shkarkim në këto tri vite. Edhe Rama nuk garon dot me çfarë është dhe me çfarë ka bërë dhe kërkon të garojë duke shkatërruar Bashën.

Mirëpo, ka një limit e gjithë kjo sjellje, të gjitha këto sulme ndaj kundërshtarit kanë një kufizim, ato nuk prodhojnë dot vazhdimisht të njëjtin efekt. Rama është i detyruar ta thellojë luftën ndaj Bashës, si taktikë e vetme e tij, por tashmë kjo është e kotë. Kurdo që të mbahen zgjedhjet, Rama do të humbë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura