Suela Bako: Të gjithë në film, si familje

Mar 31, 2014 | 14:23
SHPËRNDAJE

Posteri i filmit, “Darka”
Sapo ka rrokur çmimin e filmit më të mirë në Festivalin e Gjakovës me “Darkën” e saj. Filmi, i cili mban firmën e saj regjisoriale dhe atë të skenaristes, është një subjekt i huazuar nga realiteti shqiptar, aty ku pleksen bashkë fije delikate të marrëdhënieve njerëzore e familjare…

Duket sikur ngjarjet më të mëdha kanë ndodhur pikërisht në vaktet e darkave, nga piktura e fundit e Leonardo Da Vinçit te “Darka e gabuar” në librin e Ismail Kadaresë. Qasja e regjisores Suela Bako është deri diku e ngjashme, për mënyrën se si sendërtohen ngjarjet në “Darkën” që ajo ka ndërtuar në filmin me të njëjtin titull, por subjekti është i një natyre tjetër, me nota më realiste. Në dukje i ngjan atij portretit familjar, në të cilin ngjizen gjithfarësoj problematikash e revoltash ndjesore, paçka se leksioni që të gjithë gati e dimë përmendësh për jetën, është ai i të qenit i fortë për të përballuar sfidat, të panjohurat me të cilat na bie radha të ndeshemi përditë.

Kasti i aktorëve protagonistë në filmin me metrazh të shkurtër “Darka”
Prindërit, fëmijët, njerka, të afërmit janë ata individë me të cilët ndërtohen marrëdhëniet më direkte, e në rastin konkret e gjithë historia vërtitet rreth protagonistëve jo të sajuar, por të vërtetë. E kur thamë në krye të herës, portret familjar, e kishim fjalën për bashkëshortin dhe vajzën e regjisores Suela Bako, e cila e ka përfshirë artistikisht familjen e saj në filmin më të fundit, me të cilin u vlerësua edhe në festivalin e pak ditëve më parë të organizuar në Gjakovë. Si regjisore dhe skenariste e “Darkës”, në filmin me metrazh të shkurtër aktorët janë familja e saj, dhe kjo nuk ishte një gjetje e zakonshme. Domethënia ekziston pas profileve të dy personazheve kryesore, Romir Zalla dhe Kaltrina, mbi të cilët ngrihen problematikat atërore, dhe më pas ato me gruan që do të zëvendësojë nënën biologjike të Kaltrinës, njerkën pra… e cila do të prezantohet si e tillë pikërisht në darkën që ato kanë përgatitur me duart e tyre… Kjo është edhe pikënisja e ngjarjeve që do të pasojnë rrjedhën normale të kësaj familjeje, një subjekt me të cilin regjisorja është diplomuar në degën e masterit për regji filmi dhe televizioni.

Çmimi përmes temës së diplomës

Suela Bako, regjisorja e filmit në momente xhirimi të sekuencave me të shoqin,
Romir Zallën.
Kur fillimisht e ideoi në kokën e saj subjektin me të cilin do të fuste në xhep diplomën e masterit, nuk e kishte menduar se filmi me metrazh të shkurtër “Darka” një ditë do të dilte jashtë kornizës së asaj letrës së varur në mur… Ishte shtysa e regjisorit Mevlan Shanaj, i cili edhe në cilësinë e pedagogut në lëndën e Regjisë në fakultet, dhe mandej të anëtarit të jurisë në “Gjakova Film Festival” t’ia “shtinte në vesh” Suela Bakos çështjen e pjesëmarrjes në këtë garë, në të cilën konkurruan 27 filma nga 12 shtete të ndryshme të Europës. Trofeu i çmimit më të mirë për filmin “Darka” është vlerësim jo vetëm për punën e Suelës, e cila fillimisht e tentoi këtë subjekt si gjetje artistike për të dalë përpara pedagogëve të masterit ditën e dhënies së diplomës. “Pa dyshim që do të thotë shumë ky çmim. Ndihem e vlerësuar, e motivuar, me fat, dhe më e rëndësishmja ndihem më e gatshme dhe optimiste për projektin e radhës. Unë jam kritike ndaj vetes dhe më duhet shumë mund për të besuar se kam realizuar një punë të mirë. Ky çmim i bën mirë vetëvlerësimit tim, e rrit atë. Tashmë besoj se kam shumë për të eksploruar e për të dhënë në fushën e filmit”, shprehet Bako. Ajo që e bën edhe më stimuluese çështjen e çmimit është fakti se tema e trajtuar në filmin “Darka” është pjellë e realitetit. Marrëdhënie të vështirë, sidomos kur në skenë futet njerka, një rol i cili në filmin me metrazh të shkurtër interpretohet nga aktorja Eri Shuka. Bëhet fjalë për përplasje ndjesish, revolta të fëmijëve që e kanë të vështirë të pranojnë gruan e re, të panjohur që do të zëvendësojë vendin e
Suela Bako, regjisorja e filmit në momente xhirimi të sekuencave me të bijën Kaltrin.
nënës biologjike, e cila ka ndërruar jetë pak vite më parë. “Filozofia dhe mesazhi i filmit është se njerëzit duhet të përballen me vështirësitë dhe të papriturat e jetës dhe të dinë t’i sfidojnë ato me forcë dhe besim. Jeta është një e panjohur e madhe, neve na mbetet veç ta pranojmë e të mësohemi, duke treguar anën tonë më të mirë. Batuta kyçe e filmit është:”…do të mësohemi” dhe i gjithë subjekti flet për mënyrën se si një grup njerëzish të afërt përpiqen të ndërtojnë ura komunikimi me njëri-tjetrin dhe t’ia dalin mbanë ta njohin më mirë dhe ta pranojnë tjetrin pa kushte…”, thekson regjisorja e filmit.

Portreti familjar në film
Përfshirja e familjarëve në këtë film ka qenë një zgjedhje e mirëmenduar nga ana e regjisores së “Darkës”. Të punuarit në kushte të njohura, me individë me të cilët të lidh jo vetëm subjekti në fjalë, por kryesorja lidhja e gjakut, bën që situatat të rrjedhin më natyrshëm, më të çlirëta, edhe pse sipas Suelës ndonjëherë të punuarit me familjarët e tu nuk është gjithmonë e lehtë. I shoqi, Romiri në rolin protagonist të babait dhe Kaltrina në rolin e vajzës së vogël të familjes janë dy nga shtyllat kyçe mbi të cilat mbahet subjekti i filmit me metrazh të shkurtër “Darka”. “Kaltrin, vajza ime, ka rolin me të njëjtin emër. Kjo është zgjedhja ime që në skenar, unë e kam shkruar rolin duke pasur parasysh atë dhe askush nuk mund ta bënte më mirë. Është një nga karakteret e spikatura në film dhe jam e lumtur për këtë. Të punosh me familjarët e tu, e për më tepër me bashkëshortin dhe vajzën, ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ana pozitive është fakti që ti i “njeh” ata, si veten dhe karakteret dalin të ravijëzuar drejt që në skenar, po ashtu raporti babë e bijë është i vërtetë, realist. Por, ama ka edhe vështirësinë që të duhet të bësh “regjisoren” me njerëzit e dashur dhe këtu nuk ka kompromis”, përfundon ajo.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura