Studioja e Gazmend Lekës, mitra ku mbruhet arti

Oct 31, 2018 | 18:43
SHPËRNDAJE

AGIM JANINA/ Në jetë qëllon të hysh në studio artistësh. Studio është kult. E shenjtë. Frymë. Studio vjen nga mugëtira e shekujve, ku në brendësinë e shpellave, njeriu krijoi studion e parë të madhe dhe bëri incizimet e para, si dëshmi artefakte të mrekullueshme. Pa studio nuk ka krijim. Aty është tharmi i krijimit, vuajtja, kërkimi, gjetja e vetvetes, ku artisti ngre ëndrrën, veprën e ardhshme, monumentin e vetes. Çdo vepër është pjesë e ashtit, shpirtit, të asaj çka është, të asaj që regjistron me krijimin…

gazmend leka111

Lasgush Poradeci shprehej se poeti kur krijon, duhet ta mbyllë derën me shtatë palë çelësa dhe të mos ia hapë derën askujt, se përpara artit që ai krijon, asgjë nuk ka vlerë. Por ç’ndodh brenda saj dhe në mendjen e artistit?, – shtrohet pyetja, si kryefjalë metaforike nga piktori Gazmend Leka, në ekspozitën titulluar “Lutja”, hapur në galerinë FAB. Cili është raporti i artistit me studion dhe me vetveten në procesin e krijimit? Ç’është në vetvete krijimi? Pyetje pa përgjigje. Sado që është kërkuar një e tillë, nuk është marrë. Rreket çdo krijues të dëshmojë lindjen e një vepre arti, por jo ngjizjen e saj. Autori ngulmon të tregojë dhe dëshmojë misterin e studios, pjesën më të fshehtë dhe më okulte, mundimin e madh të krijimit. Studioja e artistit, e kthyer në Tempull shpirtëror, mbarset me Lutjen. Lutja si fenomen vjen nga nevoja e brendshme e Njeriut. Ka lindur me të. Është shpirtërore. Ekspozita bën lidhjen.

Studio është një temë e rrahur nga shumë artistë si Rembrand, Velazquez, Vermeer, Courbet, Manet, Fantin – Latour, Sali Shijaku etj., por piktori i jep përmasë dhe domethënie të re. Nuk mbartet asgjë nga të tjerët. Origjinal dhe shprehës krejt i veçantë. Vendos studion ta nxjerrë jashtë, ta kthejë në vepër arti, t’ua tregojë të gjithëve, të shohin frymëmarrjen krijuese, atë botë të veçuar larg të tjerëve, po me një domethënie të lashtë e të madhe. Mbrujt në vetvete gjithë vetminë, gëzimin apo brengën e shpërfaqjes së krijimit. Si e tillë, ajo është tempulli i mendimit krijues. Është ankthi dhe gëzimi, pritja dhe ngurrimi, madhështia dhe lumturia, varri dhe parajsa e artistit, ku mbruhet dhe lind Arti. E frikshme dhe e bukur, joshëse dhe e pakapshme… Duket si trajtim fetar, por nuk është kështu. Është jeta e piktorit. Leximi i ekspozitës bëhet në disa rrafshe. Veprat e mëdha japin interpretime të ndryshme përtej asaj që shprehet autori. Një prej tyre vjen nga binomi lutje – studio. Artisti hyn brenda në një ritual të përditshëm. Gjendet i rrethuar nga vepra të ndryshme, të shpërndara nëpër rafte. Në mure. Të rreshtuara një mbi një. Në kavalete. Në tokë. Kudo e kudo. Janë me dhjetëra e dhjetëra. Në vetminë dhe qetësinë e saj, larg zhurmës së qytetit, i lind ideja të tregojë e dëshmojë intimitetin e studios. Në heshtjen e saj mbizotëron vetmia, lëngu që rrëshqet e mbruhet eterit të studios. Personazhi i vetëm është Leka i interpretuar. E bën jo për të treguar veten, sepse mund të kishte qenë çdokush tjetër artist real apo imagjinar. Sjellja në art nuk është sjellja në realitet. Ai interpreton. Kuptohet, lëvizjet dhe qëndrimet e piktorit nuk janë ato që vërtet ai bën në studio. Me forcën e abstragimit mendor Leka e risjell gjithë procesin e lutjes si shëmbëlltyrë të zbërthimit krijues. Aty vuan si në një lindje, ndaj i falet vetëm asaj, i lutet, i përgjërohet. Këtu fillon procesi i lindjes së krijimit. Vjen e shpërthen ngadalë e rrjedhshëm në cikle të ndryshme, sikur do të dëshmojë se një tablo e vetme nuk e mban atë çka do të shprehë. Cikël nën një temë të “copëtuar” në disa tablo, që të bashkuara përbëjnë ekspozitën, zbërthimin e idesë së autorit mbi semantikën e saj dhe të veçuara rrinë si tablo më vete.

gazmend leka

Jepet e larmishme. Kur hyn, ndihesh si Liza në botën e çudirave, sepse aty shikon kompozime nga më interesantet. Artistin e shikon të shfaqur në një profil ndryshe nga ç’je mësuar të shikosh në jetën e përditshme: i veshur me rroba të tjera, i bërë me njolla bojë, me flokë të shpupuritura, veshur me përparëse, skulptori që modelon me duar nëpër skulptura të ndryshme. Kumtohet dashuri e thellë, e fundme, e gjerë, ëndërrimtare, e plotë, në derdhje të njëpasnjëshme, spazmë vetëshkarkuese, bashkim të reales me përmbushjen e ëndrrës. Bashkim lëndor e mendor midis asaj që duket dhe asaj çka mendohet, ëndërrohet… Jeta lidhet me artin. Bashkohen nën përthyerjen e shpirtit. Ndizet nga pasioni. Bëhet gjakim. Derdhet në figura, ngjyra, linja, ballafaqime koloristike, volume, shkrirje si brymë mëngjesi apo sfumaturë tisi muzgu, të humbur në thellësi. Është Liria dhe Skllavëria. Besimi dhe zhgënjimi. Loti dhe buzëqeshja. Lavdia dhe harresa. Gjendet e Bukura e Dheut – Muza e Frymëzimit. Lidhja më e fortë. Pengu dhe dashuria e parë… ku ëndërroi dhe përmbushi, ndjeu forcën e krijimit dhe Pushtetin e Artit.

Përafrohet dhe njehsohet me krijuesin. Pranë nuk ka shenjtorë dhe personazhe biblikë, por kutitë e bojërave, penelat, telajot, që janë gjaku dhe mishi i tij. T’i falesh është kaq e bukur dhe hyjnore. Mëkat si blasfemi apo lutje për shprehje të qenies Njeri?Në fund na lë të kuptohet se studio është mitra artistike, ku mbrujtet dhe lind arti dhe për piktorin është edhe diçka më shumë: – Tempulli i Artit, të cilit ai i falet si të jetë në Tempullin e Zotit, të Lirisë dhe Forcës Krijuese, por edhe “burgosja” në fitimin e Vetmisë së Krijimit.

Në përhumbjen e thellë ndihet pesha e madhe e krijimit, artisti shikon vetveten. Kthimi në vetvete është njohja e saj, që vjen nga njohja e jetës, sepse tashmë jeta është mbledhur e shumuar brenda shpirtit të artistit, janë gjithë përvojat, vëzhgimet, përsiatjet që artisti ka bërë në jetë dhe tashmë ato kërkojnë të sillen në jetë, të jetësohen në telajo dhe si çdo lindje vjen me vuajtje, në falje të gjatë si meditim biblik. Në hyrjen e saj qëndron një Portë. Pragu ndarës. Është si Lumi i Bistricës, ku Karonti i shtrirjet, mbushjet në orë e orë të gjata, kur qenia artist humb kohën, veten dhe Artisti si magjistar barazohet me Krijuesin. Gazmend Leka është krijues i shqetësuar dhe punëtor i madh. Krijimin e sheh si një lindje, e cila gjithmonë bëhet vetëm. Studioja është magjia ku ngjizet vepra e artit, aty ku artisti është magjistar, krijues dhe barazohet me vetë krijuesin. Vallë, a është e vërtetë të barazohesh me krijuesin. Po artisti barazohet me krijuesin. Fillon haraçi i parë…

Gazmend Leka, gjatë një takimi me studentë në FAB
Gazmend Leka, gjatë një takimi me studentë në FAB

Ndërlikimet e krijimit i ka brenda shpirtit. Duhet të shohë thellë vetes dhe të kërkojë. Por që të kërkojë duhet të ketë. E që të ketë, duhet të jetë mbushur. Që të mbushet duhet të mësojë, studiojë, vëzhgojë, analizojë, sintetizojë dhe të ndiejë frymëzimin. Akt shumë i lartë dhe shumë i ndershëm. Nuk mund të gënjesh dhe të gënjehesh me krijimin. Është tmerrësisht i përgjegjshëm. Të arrish diçka do të thotë të gjesh vetveten, ajo çfarë je ti në një njollë boje, në një linjë, në një hapësirë apo objekt, në atë çka krijon në çdo milimetër katror të telajos. Leka e ka bërë dhe dëshmuar në krijimtarinë e tij të gjatë. Duke iu kthyer vetes, rreket të dëshmojë laboratorin krijues, sepse “Lutja” si metaforë e gjetur artistikisht është më e gjerë se kaq. Leka e shtrin në hapësirë dhe në kohë. Në mënyrë meditative e rimerr temën apo subjektin nga formimi i tij i thellë. E shohim piktorin në shfaqje të vetvetes pranë telajove të mëdha nga lashtësia në lutjet pagane, të krishtera apo myslimane, në përfytyrime figurative telajosh si në mure biblikë apo që të kujtojnë lutjen hebraike në murin e shenjtë në Jerusalem. Diku tjetër artisti ka përplasur kokën mbi tryezë. Më pas, i shtrirë lakuriq mbi dysheme në lutje (lutja duhet të jetë e pastër, e sinqertë, e drejtpërdrejtë, ndaj në të hyhet lakuriq). Më tej i futur në arkivol si një trup i mumifikuar. Befas në një përhumbje të thellë, me këmbët e përkulura e duart të kryqëzuara, si në një pelegrinazh mistik, ku e gjithë silueta e krijuar me një sfumaturë të çuditshme përtej tejdukshmërisë, si në një brymë mëngjesi, bërë me mjeshtëri të madhe, me elementë tejet të kursyer, sa e bën siluetën si të ngritur në ajër dhe nën një lente të hollë. Studio e piktorit dhe vetë piktori, në një përkulje adhurimi i të plotë, shteruese, përmbyllëse, i shtrirë në mes të studios, i përkulur mbi telajo, thyer në gjunjë etj., apo te berberi, ku shkon të bëjë ritualin e zakonshëm të rregullimit të mjekrës, para se sa të hyjë në shenjtërinë e studios, po “i falet” ikonës se artit: – një telajoje bosh, ku do të lindë kompozimi i ardhshëm. Ti je dhimbja dhe plaga ime. Pranë telajos së bardhë, i përkulur në lutje dhe mbi supe, drita të bardha si spermatozoid që zbresin nga qielli, duke nxituar të bëjnë mbarsjen. Leka e qendërzon veten në kuadrin që jep. I jep domethënie, por në nxjerrjen e idesë mund të ishte paraqitur edhe dikush tjetër. Jo, Leka parapëlqen vetveten. Kjo nuk e bën për të thënë shihmëni mua se ç’bëj në studio dhe të marrë qëndrime dëshmonjëse. Jo, Leka ka tjetër qëllim. Mbarsja e tij artistike shkon përtej vetvetes. Synon Artistin dhe më tej Njeriun si qenie para lutjes dhe ia del mbanë. Vërtet në tablo ndihet një notë si rekuiem mozartian, sjell meditimin e shikuesit, e grish të afrohet pranë artistit dhe të dy të bëjnë lutjen. Në dy–tri tablo piktori ka paraqitur pamjen përtej dritares së studios. Janë trajtuar gjithë dritë e ngjyra të gëzuara e dritë, përafron me dritën spektrale të vitrazheve, kur ti befas bie mbi altar. Dhe si për të rritur intimitetin e studios, janë paraqitur mjetet e punës, bojërat e tubetet e tyre dhe në dy kuadro të veçantë edhe këpucët e artistit. Këpucët në lutje lihen jashtë. Është metafora e jetës, ai rrugëtim i gjatë artistik për të arritur në cakun e mbramë. Gjendesh në procesin e krijimit.

Gjatë gjithë shkrimit është përdorur togfjalëshi “studio e artistit”, sepse studio si institucion krijimi i veçantë është e njëjtë me atë të muzikantit, shkrimtarit, arkitektit e të çdo krijuesi. Po ç’është studio e artistit dhe kjo jo vetëm për artistë të arteve plastike (pikturë e skulpturë), po më gjerë kompozitorë, shkrimtarë, instrumentistë, balerinë etj., etj., njerëz të kushtuar krijimit. Ajo është reale një dhomë apo një tavolinë, por më shumë është në mendjen e artistit krijues. Ecën apo rri, bisedon apo dëgjon dikë e mendja shkon diku gjetkë. Atë nuk e ke në dorë. Shpesh, për të mos thënë gjithmonë, është jashtë teje. Ti nuk e komandon dot. Si krijon ? Bëhet shpejt pyetja dhe gjithsecili jep përgjigje të ndryshme. Aq përgjigje sa krijues ka. Nuk ka rëndësi se ku gjendet studio. Ajo krijohet. Një poet mund t’i thurë vargjet edhe i ulur në gjunjë, një kompozitor mund të krijojë tingujt duke ecur nëpër qytet apo s’di se ku, një shkrimtar arrin të shikojë me dhjetëra e dhjetëra ngjarje në një udhëtim e një piktor apo skulptor e gjen figurën apo imazhin që do të shprehë në mendjen e tij. Pra, studio në kuptimin e thellë është vetë mendja e artistit, duke marrë “pjesë” nga çdo njeri që ndesh në jetë.

Ajo më së shumti është brenda krijuesit. Aty lind më parë vepra e artit. Nuk ka rëndësi në se është e madhe a e vogël, e ngrohtë a e ftohtë. Ky është edhe pushimi i truallit, gjetja e vetes, lënia e gjurmës në histori dhe Artisti e ka krijuar “truallin e pushtimit artistik”, truall me emrin GAZMENT LEKA.

Leka është nga grafistët e njohur shqiptarë. Si i tillë, ai luan bukur brenda së njëjtës ngjyrë. Vë të bardhën kundër të përhimes. Të zezën e ballafaqon me grinë. Një masë të madhe të zezë e bën mbështetëse të kompozimit të figurave në drejtpeshimin e tyre koloristik, harmoninë e tablosë dhe me disa “goditje” peneli të fortë derdh e vendos kolore të forta të kuqe, të verdhë indiane, jeshile…. të cilat rrisin emocionin viziv. I saktë në ndërtimet strukturore kompozimet qëndrojnë mirë, autori i vetëpikturuar vihet në pah si të jetë shpirti i tij dhe jo vetë ai. Kjo shkëputje iluzore u jep ngarkesë meditative të një të “dënuari” nga pasioni të krijojë deri sa ka frymë. Pasioni është sëmundje e pashërueshme. Të zë e nuk të lëshon deri në vdekje. Si një qenie me shumë tentakula të mbërthen shpirtin dhe të lëshon kur të duhet më pas ta nxjerrësh jashtë si krijim, për të rinisur sërish në një proces të gjatë deri në frymën e fundit. Krijimi është një ngasje e brendshme, shtytëse, gulçuese, ku artisti e sheh veprën e ardhshme, sepse para se të krijohet së jashtmi, vepra e artit ngjizet së brendshmi, gatuhet në magjen e mendjes dhe këtu nis procesi i gjatë i formësimit, që realizohet së jashtmi dhe mjafton një shkëndijë, një feksje si dritë rrufeje, thjesht një foto drite në mesnatë dhe gjithçka ka mbaruar. Errësira largohet, mendja ndriçohet dhe drita si mendim derdhet dhe shihet vepra e ardhshme. Pastaj gjithçka tjetër për piktorin është rutinë, ku ndjen gëzimin e nxjerrjes së jashtmi të gjithë asaj që ishte përbrenda, në formësime të njëpasnjëshme në orë e orë të gjata pune… dhe pret shkëndijën frymëzuese për veprën e ardhshme!

*Studiues arti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura