Studimi/ Pse marrja e masave bllokuese mund të ndalojë përhapjen e COVID-19, ja shembujt nga bota dhe grafikët

Mar 30, 2020 | 7:53
SHPËRNDAJE

Mbretëria e Bashkuar, SH.B.A-ja, BE-ja dhe shumë shtete të tjera kanë marrë aktualisht masa “bllokimi”, me restorante, bare, dyqane, shkolla dhe palestra të mbyllura.koronavirus4

Ndërkohë që qytetarëve u kërkohet herë pas herë që të mos dalin nga shtëpia pa një arsye të fortë, duke i inkurajuar se kjo është mënyra e vetme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19, sëmundjes respiratore të shkaktuar nga koronavirusi i ri, shkruan Forumi Ekonomik Global.

Studiuesit ndërkohë kanë filluar kërkimet e tyre për të krijuar vaksinën kundër këtij virusi, por edhe në skenarin më të mirë të mundshëm, kjo vaksinë nuk mund të realizohet brenda një periudhe më të shpejtë se 12-18 muajt e ardhshëm. Deri atëherë, mbajtja e distancës ekstreme sociale është ndërhyrja e vetme në dispozicion për të ndihmuar individët të qëndrojnë të shëndetshëm, dhe të thyejnë zinxhirin e transmetimit, duke u dhënë popullsisë më të prekshme mundësi më të larta për të luftuar dhe për t’i mbijetuar kësaj pandemie.

Por si funksionojnë ekzaktësisht këto masa “bllokimi”?

Dhe pse është e rëndësishme që edhe të rinjtë dhe ata që janë të shëndetshëm, të cilët përballen me një risk më të ulët infektimi, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre sa më shumë që të jetë e mundur?

Qëllimi i masave “bllokuese”, shpjegon një studim i ri i kryer nga grupi kërkimor në Imperial College London, është të zvogëlojë transmetimin – me fjalë të tjera, të zvogëlojë numrin e njerëzve që çdo rast i konfirmuar mund të infektojë. Qëllimi është që të arrihet të reduktohet në maksimum transmetimi dhe të arrihet të mbahen në një nivel të tillë ku secili rast i konfirmuar të prekë mesatarisht vetëm një person tjetër.

Autorët e studimit thonë se ekzistojnë dy mundësi për të arritur një gjë të tillë:

  • Masat lehtësuese, “duke ngadalësuar, por jo domosdoshmërisht ndalimin e përhapjes së epidemisë – zvogëlimin e pikut të kërkesës së kujdesit shëndetësor, ndërkohë duke mbrojtur ata që janë më të rrezikuar nga sëmundje të tjera të rënda”. Kjo mund të arrihet duke izoluar rastet e dyshuara dhe familjet e tyre, dhe distancimin shoqëror të të moshuarve dhe njerëzve të tjerë që rrezikohen më shumë nga ky virus.
  • Masat shtypëse, ose në thelb, bllokuese, që “synojnë të ndryshojnë rritjen e mëtejshme të përhapjes së kësaj epidemie, duke zvogëluar numrin e rasteve dhe duke e çuar atë në nivele sa më të ulëta”, nëpërmjet distancimit social të të gjithë popullatës, konkretisht duke mbyllur shkollat dhe universitetet.

Sipas këtij studimi, sado të vështira të jenë këto masa “bllokuese” ato kanë rezultuar të jenë efikase dhe që kanë funksionuar.

Nëse nuk ndërmerret asnjë masa bllokuese apo distancim social, ne mund të presim pa frikë që vdekshmëria të arrijë kulmin brenda tre muajve. Sipas këtij skenari, 81% e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SH.B.A do të infektohej, me rreth 510,000 persona që do të vdisnin në Mbretërinë e Bashkuar dhe 2.2 milionë në SH.B.A.

Në të kundërt, izolimi i rasteve të konfirmuara dhe të dyshuara dhe distancimi social i të moshuarve dhe njerëzve më të prekshëm “do të reduktonte pikun e kujdesit shëndetësor me dy të tretat dhe do të përgjysmonte numrin e vdekjeve”.

Për t’iu afruar sa më shumë qëllimit që të arrihet të mbahet në një nivel të tillë ku secili rast i konfirmuar të prekë mesatarisht vetëm një person tjetër (R<1), studiuesit e këtij kërkimi thonë se ideale do të ishte kombinimi i izolimit të rasteve të konfirmuara, distancimit social të të gjithë populatës, karantinës në shtëpi dhe mbylljes së shkollave dhe universiteteve.

Studimi zbulon se kjo politikë intensive parashikohet të rezultojë në një ulje të pikut të kërkesave për kujdesin shëndetësor, afërsisht tre javë pas prezantimit të këtyre masave.

Ndërsa fjala “në një periudhe kohore të papërcaktuar” nuk është ajo që duam të dëgjojmë këto ditë të vështira, masat bllokuese afatgjata janë aktualisht mënyra më e mirë për të zvogëluar infeksionet dhe vdekjet – të paktën derisa të prodhohet dhe të vihet në dispozicion për të gjithë popullsinë e botës vaksina.

Por, a kanë funksionuar masat bllokuese që janë marrë ndërkohë?

Duke filluar nga 23 janari 2020, qeveria kineze mbylli Provincën Hubei, duke përfshirë Wuhan, qytetin prej 11 milionë banorësh, ku edhe shpërtheu fillimisht virusi korona.

Ata ndaluan transportin brenda dhe jashtë qytetit dhe ndaluan dhjetëra miliona njerëz që të punojnë ose të shkojnë në shkollë dhe mbyllën të gjitha dyqanet, përveç atyre që shisnin produkte ushqimore dhe farmaceutike. Madje në disa zona, banorëve iu kufizua edhe dalja në dyqane për të blerë produkte ushqimore dhe t’i porosinin ato produkte që u nevojiteshin online.

Ky bllokim i dhjetëra miliona njerëzve u konsiderua një “eksperiment drastik”, por që rezultoi shumë efikas. Pas marrjes së masave bllokuese, numri i rasteve të infektuara filloi të shënonte rënie. Më 19 mars, Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë, nuk raportoi më raste të reja të infektuara në Hubei.

Italia dhe Spanja kanë marrë masa të ngjashme bllokuese në shkallë vendi, përkatësisht nga 9 marsi dhe 15 marsi, ku qytetarëve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, përveç atyre që duhet të shkojnë në punë, të blejnë ushqime apo produkte farmaceutike.

Në disa zona të Italisë ku masat bllokuese janë marrë me herët se datat e mësipërme, po shikojnë një ulje të kurbës së rasteve të prekura. Për shembull, Lodi u mbyll në 23 shkurt, por Bergamo nuk u mbyll deri në 8 Mars. Tani, rastet duket se po reduktohen gjithnjë e më shumë në Lodi./ Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura