Studentët dhe pabesia e udhëzimeve të pranimit në universitete

Dec 4, 2017 | 12:00
SHPËRNDAJE

MIRELA KARABINAauto_mirela_karabina1496335750

Pranimi në institucionet e arsimit të lartë përmes procesit të Maturës Shtetërore duhet të vendosë kandidatët në një proces transparent dhe në konkurrencë të barabartë, e realizuar sipas parimit meritë-preferencë. Por e ashtuquajtura Reformë në Arsimin e Lartë, procesi i pranimit për maturantët e vitit 2015-2016 dhe 2016-2017 me udhëzime të ministrit të Arsimit, jo në frymë të Ligjit të Arsimit të Lartë duke deformuar procesin e pranimit, do të mbahet mend si reforma e udhëzimeve tinëzare dhe të pabesa, të cilat vështirësuan pranimin në universitete të studentëve dhe i penalizuan duke sjellë zgjedhje të detyrueshme. Studentët e rinj u përballën me paligjshmërinë dhe absurdin e politikave qeverisëse në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e tyre. Procedura e pranimit në universitete u kthye në një periudhë stresi dhe ankthi për familjet shqiptare.

A u zbatua Ligji i Arsimit të Lartë për pranimin në universitete? Pse Ministria e Arsimit nxori udhëzimin nr.13, datë 22.07.2016 dhe nr.15, datë 19.05.2017, për pranimin në universitete jo në frymë të ligjit? Pse ky proces nuk u krye nga Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL)? A ishte transparent procesi? A u lejuan regjistrime jashtë afatit të përcaktuar në udhë- zim? A solli penalizim te studentët? A pati kosto për familjet shqiptare?

Matura 2016: Bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë për pranimet në universitete, neni 25, pika 8: “Departamenti propozon kriteret e pranimit të studentëve për secilin program studimi, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe të akteve nënligjore. Departamenti përzgjedh studentët fitues, të cilët miratohen nga drejtuesi i njësisë kryesore, sipas procedurave të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë”.

Po çfarë ndodhi? Udhëzimi nr.13, datë 22.07.2016, “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017”, jo në frymë të ligjit 80/2015 të arsimit të lartë, centralizoi plotësisht procesin e pranimit.

Matura 2016, që në fillimet e saj, u shoqërua me një sërë problematikash. Drejtoritë e shkollave nuk ishin të qarta se si do të realizoheshin ndryshimet e parashikuara në Ligjin e Arsimit të Lartë (LAL). Përmes demagogjisë së termave “reformë”, “sukses”, “cilë- si”, “arsim i gjeneratës tjetër”, maturantët u informuan gabim për peshën që do të kishin lëndët me zgjedhje dhe për llogaritjen e notës mesatare. Pra, një proces i paqartë dhe ndryshonte kriteret gjatë gjithë rrugës deri në pranimin në universitete, si p.sh., ndryshimi i formulës për llogaritjen e mesatares për maturën 2016, pasi kishte përfunduar procesi i vlerësimit të provimeve. Kjo solli paqartë- si dhe pasiguri te maturantët.

Po kështu, bazuar në Ligjin e Arsimit të Lartë për pranimet në universitete, bazuar në të drejtën ligjore, institucionet e arsimit të lartë nxorën kriteret e pranimit në universitete, të cilat u shoqëruan me pasaktësira. Gjatë periudhës prill-shtator 2016, senatet akademike të IAL-ve të ndryshme bënë disa ndryshime të kritereve të pranimit të vendosura më parë, ndryshime që ndodhën gjatë fazës së pranimit. Kjo e bëri procesin jotransparent dhe shumë të paqartë, solli konfuzion dhe pasiguri te maturantët.

Raundi i parë u shoqërua me problematika (10 preferenca), të gjithë maturantët më të mirë zunë të gjitha vendet e para në gjithë programet e studimit. Kjo solli që në këtë fazë të kishte numër shumë të vogël regjistrimesh, 20% të maturantëve ne institucionet publike dhe 5% në institucionet jopublike. Raundi i dytë, riaplikimi përsëri në 10 preferenca, zgjatja jonormale deri më 1 nëntor dhe i shoqëruar me pesë herë ndryshime në udhëzimin nr.13, datë 22.07.2016, solli konfuzion dhe paqartësi, duke detyruar studentët të shkojnë në degë jo të preferuara prej tyre. Kështu, mbas përfundimit të fazave të pranimit, rezultuan shumë vende vakante në: Farmaci, Financë, Stomatologji, etj. Kjo solli dhe problematika në universitete me sigurimin e të ardhurave financiare si rezultat i kuotave bosh.

Procesi i pranimit për vitin akademik 2016-2017 (i audituar dhe i vlerësuar me problematika ligjore dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit), u karakterizua nga: 1. Paligjshmëria, sepse (a) Ligji i Arsimit të Lartë ua njeh të drejtën ILA-ve për të realizuar një proces të decentralizuar (Ligji 80/2015, neni 25, pika 8), (b) u përfshinë institucione jo në bazë të ligjit (AKP) ose që ligji nuk i njeh në këtë proces (RASH), (c) u regjistruan aplikantë dhe jo aplikantë pas datës kufi, vetëm në IALtë jopublike në mënyrë jotransparente dhe duke shkelur udhëzimin e pranimit. 2. Ishte joefikas, centralizmi i procesit solli kuota të mbetura bosh në universitete publike. Kështu, rënia e numrit të studentëve solli problematika në realizmin e ngarkesës së normuar për pedagogët. Gjithashtu, i drejtoi studentët drejt universiteteve jopublike me kosto jo të vogël për familjet shqiptare, gjashtë deri në dhjetë herë më të lartë se në universitetet publike. 3. Ishte joefektiv, aplikantëve nuk iu dha mundësia e çregjistrimit dhe regjistrimit në degët e preferuara duke shkelur Kushtetutën, neni 54, pika 7; koha ndërmjet raundeve krijoi panik; kriteret e përcaktuara nga ILA-të nuk u mbështetën në kurrikulën e arsimit të mesëm të ulët duke penalizuar apo duke favorizuar një pjesë të maturantëve aplikues. 4. Ishte joekonomik, pati shpenzime financiare të panevojshme nga IAL-të gjatë procesit të pranimit të maturantëve për platformën dixhitale të procesit pranues në IAL-të publike dhe jopublike (të audituara nga KLSH), shuma monetare që mund të ishin përdorur në drejtime të tjera të nevojshme.

Matura 2017: Ministria e Arsimit (në kohën që ishte duke u konsultuar me KLSH-në mbi problematikat dhe kalimin e kompetencave të ministrisë me udhëzimin 13, datë 22.07.2016) me shpejtësi, nxori udhëzimin nr.15, datë 19.05.2017, “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, me kohë të plotë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2017- 2018”. Edhe ky udhëzim, pavarësisht shkeljeve të konstatuara nga KLSH, me disa ndryshime, ishte i njëjtë në thelb me atë të aplikuar një vit më parë, një proces i centralizuar dhe jotransparent.

Kështu, në udhëzimin nr.15, datë 19.05.2017, u rregullua: Qendra e Shërbimeve Arsimore, në të cilën bëhen aplikime, u legjitimua me akte nënligjore; procesi pranues dhe regjistrues në fazën e parë është i ndarë në 7 faza 48-orëshe për të shteruar sa më shpejt kohën e regjistrimit; udhëzimi është i detajuar për formulimin e mundësive të regjistrimit të kandidatëve që rezultojnë fitues në më shumë se një program studimi; i jep të drejtën e çregjistrimit vetëm në raundin e parë kandidatëve që duan, por nuk u jep të drejtën që të regjistrohen në të njëjtin raund, por në atë pasardhës; çregjistrimet dhe ankimimet do të bëhen elektronikisht tek U-Albania; procesi pranues regjistrues dhe në raundin e dytë është në 7 faza 48-orëshe dhe afati i regjistrimit për fazën e dytë është 1-14 tetor.

Sistemi i pranimit në universitete, edhe për Maturën 2017 u shoqërua me problematika dhe penalizime të studentëve. Kështu, pavarësisht se studentët kishin mundësinë e çregjistrimit në fazën e parë, në fazën e dytë kjo mundësi e munguar ishte e paqartë për aplikantët dhe me pasoja në zgjedhje të padëshiruara. Ashtu si dhe me udhezimin 13, gjate ketij procesi ministria ndryshoi dy herë udhëzimin e saj, shtyu afatet e regjistrimit, duke krijuar mundësinë e liberalizmit të kritereve, si pasojë pak studentë u regjistruan në universitetet publike, por më shumë në universitetet jopublike.

Edhe procesi i pranimit për vitin 2017-2018 u karakterizua nga :1) Paligjshmëria, sepse (a) Ligji i Arsimit të Lartë ua njeh të drejtën ILA-ve për të realizuar një proces të decentralizuar (neni 25, pika 8, Ligji 80/2015), (b) u përfshinë institucione që Ligji nuk i njeh në këtë proces (RASH). Ky institucion është ilegjitim, i nisur si projekt italian, ndërsa tani rimodelon faqen online të maturantëve të ndërtuar nga QSHA, pra, ilegjitim dhe i panevojshëm, (c) shtyrja e afateve të regjistrimit mbas fillimit të vitit akademik, ndryshim dy herë të udhëzimit nr.15 solli liberalizim të kritereve dhe pabarazi te studentët. 2) Ishte joefikas, centralizmi i procesit, shumë i gjatë procesi i aplikimit dhe regjistrimit (2 raunde me 7 faza të parashikuar në udhëzim, shtyrja e afatit të regjistrimit mbas fillimit të vitit), duke sjellë vonesë në fillimin e vitit akademik dhe mosplanifikim në kohën e duhur të mësimit dhe ngarkesës së normuar të pedagogëve. Shtyrja e afateve të regjistrimit solli liberalizim të kritereve, duke prishur rregullat e lojës, duke vendosur aplikantët në një garë jo të barabartë dhe drejtimit të një pjese të aplikantëve drejt universiteteve jopublike me kosto jo të vogël për familjet shqiptare. 3) Ishte joefektiv, aplikantëve nuk iu dha mundësia e çregjistrimit dhe regjistrimit në degët e preferuara në raundin e dytë, duke shkelur Kushtetutën, neni 54, pika 7: “Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie”. 4) jo ekonomik, sekretaritë mësimore kanë punuar pa pagesë gjatë kohës së lejes vjetore dhe pas orarit zyrtar, pasi raundet dhe fazat e regjistrimit kanë qenë shumë të gjata, pra, u shpërdorua koha dhe burimet njerëzore.

Pyetjet që lindin janë: Pse Ministria e Arsimit shkel Ligjin e Arsimit të Lartë? Pse ministria vazhdon të nxjerrë udhëzime jo në frymën e Ligjit të Arsimit të Lartë? Pse nuk i zbaton udhëzimet që nxjerr? Pse gjithë këto vështirësi e paqartësi, kur në fund të procesit të gjithë studentët janë të regjistruar? Por, a janë studentët në preferencat e tyre? Cili mban përgjegjësi për këtë proces jotransparent dhe me pasoja te studentët dhe familjet shqiptare?

E mira dhe e bukura në këtë rrugëtim pranimi është dëshira për arsimim e maturantëve dhe pranimi në universitetet publike dhe jopublike. Por ajo që duhet të analizohet është që Ministria e Arsimit duhet të mbajë përgjegjësinë dhe të sqarojë aplikantët e familjet shqiptare për:

a) mosnjohjen me kriteret e pranimit në universitete që në fillim të arsimit të mesëm të ulët.

b) prishjen e rregullave të lojës gjatë viteve të studimit dhe gjatë procesit të pranimit.

c) vendosja në një garë të pabarabartë të aplikantëve dhe duke mos respektuar parimin meritë-preferencë.

d) kufizimin në përzgjedhjen dhe çregjistrimin nga një program studimi duke shkelur Kushtetutën.

e) drejtimit të studentëve drejt zgjedhjeve që nuk janë në preferencën e tyre dhe një pjesë të detyruar drejt shkollave jopublike me kosto për familjet e tyre.

f) vonesa në fillim të vitit akademik në planifikimin e programeve mësimore dhe burimet njerëzore nga departamentet e institucioneve të arsimit të lartë për arsye të fillimit me vonesë të aplikimit dhe zgjatjes së panevojshme të raundeve dhe fazave të regjistrimit edhe mbas fillimit të mësimit.

g) regjistrime të shumta në Universitetin e Tiranës, duke nxjerrë në pah realitetin paradoksal dhe të hidhur ku ndodhemi, absurdin e akreditimit njëvjeçar të këtij universiteti. Rankimi i fundit në listë është shpërfillur nga studentët, duke tejmbushur auditoret dhe duke nxjerrë në pah: procesin e centralizuar të pranimit dhe mungesën e vizionit të politikave qeverisëse mbi ecurinë e universiteteve.

Rektoratet, senatet akademike është mirë që të veprojnë sipas ligjit të Arsimit të Lartë dhe të respektojnë fuqinë vepruese të tij, pavarësisht udhëzimeve, të cilat nuk janë në frymë të ligjit, duke qenë ata përgjegjësit kryesorë të institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim normalizimin dhe përmbushjen e detyrimeve të tyre.

Ky ishte modeli i aplikimit dhe për vitin shkollor 2016-2017 dhe 2017-2018 (të njëjtë në thelb dhe me pak ndryshim në fazat e aplikimit), ndërsa modeli i parashikuar në ligjin e Arsimit të Lartë këtë të drejtë ua jep institucioneve të arsimit të lartë (IAL). Pra, një proces i centralizuar duke u hequr mundësinë institucioneve të arsimit të lartë të mos përmbushin detyrat e tyre.

Absurdi që po ndodh me procesin e pranimit në universitete:

a) paligjshmëria: Ligji i Arsimit të Lartë, i kontestuar, i cili nuk zbatohet as nga nismëtarët e tij, Ministria e Arsimit,

b) udhëzime jo në frymë të ligjit që legjitimuan procesin e pranimit, të cilat ndryshojnë disa herë gjatë zbatimit të tyre,

c) institucione të arsimit të lartë që rrinë të stacionuar dhe presin akte nënligjore, duke mos pasur kurajë të veprojnë dhe vetë në frymë të ligjit,

d) studentë të keqinformuar dhe të futur në pabesinë e udhëzimeve të pranimit në kundërshtim me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Kushtetutës,

Modelet e pranimit që u aplikuan në vitin 2016 dhe 2017 nuk ishin të duhurit, sepse: modelet e pranimit në IAL-të duhet të ishin në frymë të Ligjit 80/2015, të thjeshta dhe transparente, në përputhje me parimin meritë-preferencë.

Kjo është një dëshmi e qartë e paligjshmërisë dhe kaosit, rrënimit që ka pësuar arsimi i lartë nga institucioni që e drejton, Ministria e Arsimit. Një proces i rëndësishëm për të ardhmen e maturantëve, pranimi në universitete ishte i paqartë dhe jotransparent që në fillimet e tij, i përdorur në mënyrë tinëzare dhe të pabesë ndaj studentëve. Arsimi meriton vëmendje të madhe. Demagogjia e ngritur në sistem po sjell çdo ditë rrënimin e gjithë sektorit të arsimit në tërësi: prekjen e thelbit, shoqërinë e së nesërmes.

Suksesi i demagogjisë është kalimtar, por dëmi i saj është afatgjatë. Dhe kjo po ndodh, në mënyrë paradoksale, mbështetur nga politikat qeverisëse…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura