Stisja e çështjes Himara me hartën qeveritare

Jul 31, 2014 | 12:30
SHPËRNDAJE

ARTAN HOXHA

  MINORITETI NE VARIANTET QEVERITARE TE HARTAVE
Vetëqeverisja vendore e minoritetit grek dhe atij maqedonas u trajtua nga qeveria që në fillim të procesit të përgatitjes së varianteve të ndarjes territoriale. Variantit të vet më ekstremist me 27 rrethet e komunizmit, të shndërruara në 27 superbashki e që zëvendësonin 65 bashkitë dhe 308 komunat e sotme, qeveria i shtoi dy bashki minoritare greke dhe një maqedonase.
Njëra bashki minoritare greke, ajo e Livadhjasë, krijohet si bashkim i komunave të sotme Mesopotam dhe Finiq të rrethit të sotëm Delvinë, me komunat e sotme Livadhja, Aliko, Dhivër të rrethit të sotëm Sarandë. Bashkia tjetër minoritare, ajo e Dropullit, krijohet si bashkim i komunave të sotme Dropull i Sipërm, Dropull i Poshtëm dhe Pogon.
Në rastin e bashkisë së re Livadhja bashkohen komuna që shtrihen në dy rrethe të ndryshme dhe ky kapërcim i kufijve të rretheve të sotme nuk gjendet as në variantin me 27+3 dhe as në variantet e tjera të qeverisë, përveçse në zonat ku ekziston realisht apo sajohet çështja minoritare.
Në rastin e bashkisë së re Dropull, bashkimi është edhe kundër natyrës, edhe kundër historisë, edhe kundër ligjësive administrative. Pogonit dhe Dropullit natyra i ka vënë mal e fushë në mes, ndërsa historia dhe tradita administrative i ka vënë qytetin e Libohovës dhe komunën Qendër-Libohovë në mes. Shihni hartën dhe do të konstatoni se bashkimi i Dropullit me Pogonin ka formën e “V”, baza pikësore e së cilës ndodhet mbi kufirin Shqipëri-Greqi, ndërsa në hapësirën mes dy brinjëve ndodhet Libohova dhe komuna Qendër-Libohovë. Për të udhëtuar brenda bashkisë së re Dropull banorëve të Pogonit do t’u duhet ose të kaptojnë malin përballë Dropullit e më pas të kalojnë përmes Libohovës dhe/ose komunës Qendër-Libohovë (përmes bashkisë së re Libohovë sipas variantit me 61 bashki të hartës qeveritare) dhe fushës mes tyre dhe Dropullit, ose të kalojnë në Greqi nga mali e të rifuten në Shqipëri nga Kakavija.
Kaq të çuditshme janë këto dy bashki të reja, sa po të zbatonim metodën qeveritare, fare lehtë mund të arrihej edhe në bashkimin tërësor Pogon&Dropull&Livadhja në një supernjësi të vetme minoritare greke. Në fakt, kur bashkon Pogonin me Dropullin që kanë mal, fushë dhe Libohovë në mes e vetëm një pikë gjeometrike takimi, aq më kuptim merr bashkimi i bashkisë së re Dropull me bashkinë e re Livadhja, pasi këto kanë kufi të gjatë tokësor mes tyre e ndodhen në dy anët e kundërta të të njëjtit mal, ndërsa fakti që janë në dy rrethe të ndryshme – Gjirokastër dhe Delvinë – nuk është fare problem, se ky nuk ishte problem në sajimin e bashkisë së re Livadhja, pjesët e së cilës shtrihen në rrethet Sarandë dhe Delvinë. Me këtë superbashkim arrihen edhe më mirë kuotat e popullsisë e të sipërfaqes, edhe ekonomia e shkallës, edhe funksionaliteti, edhe…, edhe…
Ndonëse në këtë variant qeveria i përmbledh shqiptarët në vetëm 27 rrethet e komunizmit (kohë në të cilën as që ekzistonin rrethet Delvinë, Kuçovë, Mallakastër, Devoll, Peqin, Kavajë, Kurbin, Bulqizë, Has) e iu thotë se nuk do t’i zgjedhin më drejtuesit e tyre vendorë në bashkitë dhe komunat e sotme me votë, por këto do t’ua emërojë kryetari i rrethit të shndërruar në superbashki e as do të kenë buxhet më vete, për minoritetin grek (edhe atë maqedonas) ofrohet vetëqeverisje më zgjedhje dhe buxhet më vete kur këto mund të jepeshin, përmes elementeve shtesë në statusin e tyre për komunat e sotme, pa i bashkuar anapulla dhe ndarë si njësi më vete nga rrethet e shndërruara në superbashki.
Meqë qeveria u tregua kaq bujare me minoritetin edhe në variantin me ekstrem të saj, atë 27+3=30 bashki, tri bashkitë e reja minoritare do të ekzistonin të këtilla edhe në variantet e tjera me 36+3=39, 44+3=47, 54+3=57 dhe 60+3=63 bashki të reja të qeverisë dhe natyrisht edhe në variantin përfundimtar me 58+3=61 bashki të reja që pritet të votohet këtë të enjte në Kuvend.
STISJA E ÇESHTJES HIMARA
Të pesë variantet qeveritare u deklaruan që në maj nga komisioni parlamentar dhe, pas mbledhjes me dyer të mbyllura të PS dhe LSI në fund të këtij muaji, dy variantet, njëri me 36+3 dhe tjetri me 44+3, u shpërndanë për mendim, ndërsa tri të tjerat u hodhën në kosh.
Në variantin 36+3 bashkia e sotme Himarë dhe komuna e sotme Vranisht janë në rrethin Vlorë të shndërruar në superbashki, ndërsa komuna Lukovë mbetet me rrethin e reduktuar Sarandë (për shkak të Livadhjasë së re) e që shndërrohet në bashki të madhe. Në variantin 44+3, komuna Vranisht dhe ajo Lukovë bashkohen me Himarën në një bashki më vete.
Me dy bashkitë e reja minoritare, Dropull dhe Livadhja, në xhep PBDNJ&OMONIA ngritën “çështjen Himara”. Për sa kohë po dukej se po fitonte terren varianti me 36+3 bashki kundrejt atij me 44+3 bashki e, ndërsa rezistenca ndaj hartës qeveritare ishte ende e dobët e në fillesë, zhurma për Himarën, e cila përfshihej në superbashkinë Vlorë, ishte e dobët – aq shumë zhurmë sa për të thënë që “jo vetëm s’po na jepni, por po humbasim” dhe aq pak zhurmë sa për të mos tërhequr vëmendjen mbi bashkitë e reja të Livadhjasë dhe Dropullit.
Një stisje me Himarën dhe një gjoja zhurmë nga PBDNJ&OMONIA i interesonte edhe qeverisë, e cila kishte rastin edhe të hiqej si patriote, edhe të mbulonte gomarllëkun e bërë në Livadhja e Dropull, edhe nuk rrezikonte as votat e PBDNJ e as presionin e Athinës zyrtare.
PDIU TURBULLON UJERAT
Nga fillimi i korrikut në ndarjen administrative u përfshi edhe PDIU, kryetari i së cilës, Shpëtim Idrizi, në dy mbledhjet e komisionit parlamentar në dhjetëditëshin e dytë të korrikut turbulloi ujërat me shqetësimet që ngriti për bashkimin e Dropullit me Pogonin apo me propozimet që disa fshatra shqiptare t’i bashkoheshin Delvinës dhe jo Livadhjasë, apo që të krijohej bashkia Konispol duke marrë edhe ndonjë fshat tjetër shqiptar nga Livadhjaja.
Ndërkaq, qeveria, që kishte filluar të përballej çdo ditë e më shumë me ftohtësinë dhe kundërshtinë masive ndaj të dyja varianteve të saj, me pretekstin e ardhjes së PDIU, votat e së cilës i volisin për shumë arsye, instrumentalizoi idenë që hodhi kjo parti për një hartë me 60-70 bashki, i braktisi të dyja variantet e preferuara të vetat dhe kapërceu te varianti maksimal i saj, ai me 60+3 njësi, nga i cili eliminoi pa shpjegime dy njësi – bashkinë Sukth dhe Fushë-Krujë – dhe e zyrtarizoi si variantin me 58+3=61 bashki, duke u shprehur se i miratonte propozimet e Shpëtim Indrizit për lëvizjet e hartës në zonën e Sarandës dhe Delvinës.
Kaq mjaftoi që në mbledhjen e komisionit parlamentar të 17 korrikut, deputeti Andrea Marto – faktikisht i PBDNJ dhe formalisht i PS – votoi kundër, ndërsa kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, të nesërmen në konferencë për shtyp deklaroi se reforma është bërë kaq keq, sa “jo vetëm nuk meriton të votohet, por as të pranohet”, duke iu referuar më kot Himarës, ndërsa në komision u debatuan ashpër çështjet e tjera.
Nga këtu nis zhurma e madhe e PBDNJ&OMONIA për Himarën që arriti deri në Athinë, zhurmë e cila është, në radhë të parë e kryesisht, sulm për të rimarrë ç’ishte arritur në Livadhja dhe Dropull, pa përjashtuar shpresën që, për shkak të rrethanave e si rezultat i presionit, vetëm Lukova dhe jo Vranishti t’i bashkohet Himarës, e nëse kjo do të rezultojë e pamundur, atëherë të paktën të marrin një farë garancie sot që kryetari i ardhshëm i Bashkisë së zmadhuar Himarë të jetë kandidat i tyre në emër të supermaxhorancës ose ai të emërojë të deleguarin e tij në Himarën e sotme apo ndonjë favor tjetër politik.
Qeverisë, pasi ka siguruar votat e PDIU, por edhe ngaqë po përballet çdo ditë e më shumë me kundërshti brenda dhe jashtë saj për hartën me 61 bashki, i intereson sa më shumë zhurmë për Himarën pasi me këtë mendon se edhe përforcon imazhin patriotik të saj, edhe komplekson kundërshtarët brenda apo jashtë kësaj maxhorance. Ndaj, qeveria po nxit e sponsorizon çdo rritje artificiale të tensionit në diskutimin publik të “çështjes Himara”.
PROBLEMET E VERTETA ME HARTEN QEVERITARE
Problemet e vërteta me hartën qeveritare me 58+3=61 bashki janë prezente në shumë zona të vendit. Komunitete të ndryshme, të majtë, të djathtë a pa orientim politik, po shprehen çdo ditë kundër kësaj harte e po dalin me propozime të cilat, si rregull, kanë ekuivalentët tyre në zona të tjera të vendit.
Me kalimin nga varianti me 39 apo 47 bashki tek ai me 61 bashki, qeveria supozohet se ka zbatuar kriterin e identitetit komunitar dhe të funksionalitetit respektivisht në 22 dhe 14 bashki të reja shtesë nga secili variant. Që me shikim e parë e jo më me analiza të detajuara rezulton se këto kritere mund të zbatohen edhe në afro 20 njësi të tjera mbi numrin 61. Qeveria nuk e bëri këtë, por preferoi t’i zbatojë kriteret vetëm aty ku kënaqen interesat e ngushta politike.
Por njerëzit sytë në ballë i kanë e mendjen në kokë dhe nuk e hanë kollaj sapunin për djathë. Ndaj, komunitetet filluan të lëvizin dhe lëvizja u bë ortek. Kuvendit i janë dërguar direkt  peticione propozuese për bashki të reja mbi numrin 61 nga secila lëvizje komunitare. Media njoftoi se Shoqata e Komunave i ka përmbledhur të gjitha propozimet, gjithsej 28, dhe ia ka dërguar Kuvendit, qeverisë, opozitës, ambasadave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Propozimet e reja nuk janë antireformë, siç i pëlqen t’i quajnë mbështetësit e hartës qeveritare. Edhe sikur të gjitha propozimet të pranoheshin – pa llogaritur se disa nga këto 28 propozime mund të filtrohen e ndonjë tjetër të shtohet – numri në total i bashkive të reja do të ishte maksimalisht 89 dhe ky do të ishte një hap shumë i madh koncentrues nga gjendja e sotme me 373 bashki&komuna. Të zhvendosesh nga 373 bashki&komuna në 89 apo 61, është një hap njësoj i madh reformues. Çështja tashmë nuk është numri, por zbatimi rigoroz dhe i barabartë i të njëjtave kritere, përndryshe një zbatim jo uniform i të njëjtave kritere dëmton rëndë reformën dhe demaskon qëllimet qeveritare.
Propozimet shtesë, që si rregull bazohen në po ato kritere në të cilat u bazua qeveria në kapërcimin nga 39/47 te 61, tregojnë se nismëtarët e këtyre propozimeve, ndonëse janë kundër hartës me 61 bashki të qeverisë, jo vetëm janë pro reformës, por edhe faktor për një reformë të bërë sa dhe si duhet. Propozimet ndreqin, për aq sa munden në këtë kohë të shkurtër, defektet e rënda të hartës qeveritare të shkaktuara nga mungesa e metodës, shkelja e parimeve dhe kënaqja e interesave të ngushta partiake nga qeveria.
Ndaj, në vend që të vazhdojë teatrin patriotik rreth Himarës dhe miratimin e hartës me 61 bashki – me kokëfortësi dhe pazare për të mbajtur bashkë 84 vota në plenaren e Kuvendit sot më 31 korrik – qeveria do të bënte mirë t’i studionte propozimet e reja. Për këtë i duhet ca kohë. Koha mundëson ndreqjen e gabimeve dhe kryerjen e reformës – decentralizim dhe hartë – me metodën e duhur dhe mbi parimet e duhura. Jo më kot thuhet se koha është ilaçi më i mirë. Nëse qeveria nuk shtyn vendimin vërteton për të disatën herë se nuk dëshiron të shërohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura