SPECIALE/ Steve Reeves, Herkuli që çmendi vajzat dhe djemtë në Shqipërinë e diktaturës

Feb 3, 2018 | 15:38
SHPËRNDAJE

UVIL ZAJMI

“Gratë dëshirojnë të qëndrojnë me mua, ndërsa djemtë të jenë si unë”. Kjo thënie e aktorit që çmendi vajza e djem, do të qarkullonte edhe mes të rinjve shqiptar, në ato vite kur liria ishte e kufizuar dhe e vetmja dritare drejt perëndimit ishte kinemaja. Nëse do të jetonte ende, këto ditë, ai do të ishte 92 vjeç.

Bëhet fjalë për Steve Reeves, aktorin pas të cilit një botë e tërë ka qenë e dashuruar. Role të suksesshëm, lidhje me aktore, fanse të çmendura pas tij dhe meshkuj që donin t’i ngjanin… Një histori kjo e aktorit amerikan, të parit “Mister” të muskujve në vitet ’50, Stephen Lester Reeves, me emrin artistik Steve Reeves, i lindur më 21 janar të vitit 1926, në Glazgou (Montana) në SHBA.

Fama e tij do të mbërrinte patjetër edhe në Shqipëri, ku kishte jo pak adhuruese femra, ndërsa djemtë e rinj stërviteshin fshehurazi nga frika e Sigurimit, me dëshirën për të pasur një fizik të ngjashëm me atë të Reeves.

0_EILzV9J0cs9qNwkm

Sa herë që një film i tij mbërrinte në Shqipëri, do të “thyheshin” dyert e kinemave. Si e rikthejnë protagonistët e kohës, “fenomenin Reeves”, dëshirën e një brezi të apasionuar pas filmave mitologjikë dhe të së bukurës që vinte nga shumë larg.

NGA KONKURSET E BUKURISË, NË KINEMA

Babai, Lester, një kultivues frutash, vdes në një aksident kur i biri ishte vetëm 2 vjeç. Në moshën dhjetëvjeçare, Steve bashkë me nënën Gildie, transferohen në Oakland (Kaliforni) ku fillon punë si shpërndarës gazetash. Shquhej në sportin e mundjes, kur në Oakland zbulon e angazhohet në një palestër bodybuilding-u. Pas diplomimit të shkollës së mesme, regjistrohet në ushtrinë amerikane, në Luftën e Dytë Botërore, duke shërbyer në Filipine.

Pas kthimit, rifillon stërvitjet dhe më 1946 shpallet Mr. Pacific Coast, më 1947 Mr. Western Amerika dhe në vitin 1947 Mr. Amerika, tituj që do t’i shërbenin si trampolinë drejt botës së kinemasë. I gjatë 1.85 m., në 1948 ai përzgjidhet nga regjisori Cecil B. DeMille për një rol modest, por që e këshillojnë të humbasë 15 kg, që të pranohej. Më 1948 fiton Mr. World dhe pas dy viteve, më 1950, Mr. Universi. Në vitin 1949 ai shfaqet në televizion në rolin e Tarzanit, dhe më 1954 e shohim në të parin rol te filmi “Athina dhe shtatë motrat”, pastaj të një polici te “Jail Bait”. Këto dy filma janë nga të vetmit që Reeves xhiroi në Shtetet e Bashkuara, pasi pjesa tjetër do të lidhej me ato të prodhuara në Itali.

FAMA QË VJEN NGA “CINECITA”.

Ishte një fotografi, që ra në duart e regjisorit italian Pietro Francisci, ndërsa po kërkonte një personazh për të luajtur heroin në filmat mitologjikë dhe pastaj një testim në Cinevita (Hollivudi pranë Teveres, kështu e kanë njohur pasi shumë aktorë amerikanë shkonin në Cinecita për të xhiruar filma), që do t’i siguronte rolin e Herkulit. Pas dy viteve punë, “Trimëritë e Herkulit” shfaqet me një sukses të jashtëzakonshëm në Amerikë në vitin 1959, me një bum të madh të shitjes së biletave, deri në 5 milionë dollarë.

Nga 1959 deri në vitin 1964, Reeves shfaqet sërish në rolin e Herkulit, të cilin ai e luajti vetëm dy herë: “Trimëritë e Herkulit”, “Herkuli dhe Mbretëreshë Lidia”. Janë vitet kur shpërthen dhe hapet epoka e trupave të bukur, muskulozë, që përfshiu jo vetëm aktorë e sportistë, por masa të gjëra njerëzish në të gjithë botën. Njeriu që i referoheshin si promovues dhe model ishte Steve Revees. Por periudha e artë e tij nuk zgjati shumë, vetëm dhjetë vjet. Ndryshojnë shijet, preferencat e publikut, kur të tjerë aktorë e personazhe janë firmat e reja të kinematografisë. Startojnë filmat Western, ato policorë, filmat aksion, ata erotikë, etj..

VETËM NË 18 FILMA

Filmat vijues “Romolo e Remolo”, “Legjenda e Eneas”, në rolin Randusit te “Biri i Spartakut”, Filipides te “Një ndodhi e lashtë”, “Ditët e fundit të Pompeit, “Beteja e Trojës”, “Sandokan”, etj. e transformuan Steve Reeves në një div absolut të kinematografisë. Në vitin 1960 ai refuzoi rolin e James Bondit, për shkak të rrogës së ulët të ofruar nga prodhuesit.

Po kështu edhe “Për një grusht dollarë” (1964), edhe për faktin se nuk besonte se regjisorët italianë mund të bënin filma “Western”. Para se të kthehej në SHBA, Reeves u shfaq si aktor për herë të fundit te “Të jetosh me vdekjen tënde”, me skenar të tij dhe regjisorit Camillo Branzoni. Karriera e tij profesionale u shoqërua edhe nga aksidente, si ajo gjatë filmimit “Ditës së fundit të Pompeit”, kur dëmtoi shpatullën, pasi karroca u përplas me një pemë. Pak më vonë në një lëvizje nënujore ai plagosi krahun, dëmtime që vite më vonë ndikuan edhe në largimin nga filmi dhe mbylljen e karrierës, gjatë së cilës ai luajti në 18 filma nga viti 1958 deri më 1969, thuajse të gjithë xhiruar në Itali.

JETA DHE VITET E FUNDIT

Kur u nda me kinemanë, Steve ra në humnerën e braktisjes, harresës duke u vendosur në jug të Kalifornisë, jashtë qytetit, kur ende nuk kishte mbushur 45 vjeç. U martua me Sandra Smith, por vetëm një vit, deri kur njohu Aline Czartjarwicz, me të cilën jetoi nga 1963 deri në vitin 1989, kur ajo u nda nga jeta. Gjatë viteve, Reeves u angazhua në luftën kundër dopingut, tejet i përdorur në botën e bodybulding, si dhe pasionin për kuajt me të cilët kaloi njëzet vitet e fundit të jetës.

Më 1 maj 2000, Reeves, 74-vjeç, vdes në Spitalin Palomar në Escondido të Kalifornisë, ku edhe gruaja e tij e dytë, Alinë, kishte vdekur. Gjithçka në tetë javë: I goditur nga kanceri ai iu nënshtrua një operacioni dhe dy ditë më pas nga një mpiksje gjaku, nuk mundi të rikuperohet, duke iu dorëzuar përfundimisht sëmundjes. Steve Reeves mbetet trupi më i bukur në kinematografi, por jo vetëm, edhe si Herkuli i paarritshëm.

Biografia e Reeves me titull “Për të pushtuar botët” nga Chris LeClaire, është botuar më 1999 ku është intervista e fundit me Reeves dhe ajo e vitit 2000, deri pak vdekjes që mbetet edhe dalja e fundit e tij në ekran.

TIRANA E KINEMAVE “PARTIZAN – 17 NËNTORI

” Pas viteve ’60, dy kanë qenë kinematë e frekuentuara ku shfaqeshin për herë të parë filmat, “Partizani” e “17 Nëntori”, të vendosura në vijë të drejtë, jo më shumë se 150 m larg njëra-tjetrës, në dy ekstremet e Rrugës së Barrikadave.

Elegante, moderne për kohën, madje me lozha siç ishte “Partizani”, ato kishin orare të diferencuara: Dita fillonte 09:00-11:00, 11:00-13:00 dhe 15:00- 17:00; 17:00-19:00 dhe 19:00-21:00 te “17 Nëntori” 10:00-12:00, 14:00-16:00, 16:00-18:00; 18:00- 20:00 dhe 20:00-22:00 te “Partizani”. Bobinat e filmit qarkullonin nga njëra kinema te tjetra. Pjesa që mbaronte, dërgohej tek kinemaja tjetër nga një punonjës i kinemave, që në shi e diell, mbi një biçikletë, në një çantë lëkure vendoste ato, shkonte te kinemaja tjetër. Ishte një ritual i përditshëm.

Për këtë arsye kinematë e kryeqytetit kishin ndryshime në orar. Pasi shfaqej gjerë- sisht në kryeqytet, filmi dërgohej në Durrës, Shkodër, Vlorë, Korçe, Elbasan, etj..

TË GJITHË ME SYTË TE REKLAMAT

Reklamat e kinemave, ajo në krah të Komitetit Ekzekutiv në qendër dhe tjetra në Rrugën e Barrikadave, përballë Muzeut të Luftës, ishin madhështore për nga përmasat (e tillë ajo te Rruga e Barrikadave)rreth 10-20 metra shtrirje, të mbyllura me xham, dhe në qendër të atij blloku vendoseshin filmat e dy kinemave kryesore, ndërsa përbri të “Kinema Republikës”, “Ali Demit”, “Dajtit” etj..

Fillimisht, filmi për një ose dy javë shfaqej te “Partizan – 17 Nëntori”, pastaj hiqej ose çohej edhe tek të tjerat, kryesisht “Republika” dhe “Ali Demi”. Për disa filma të huaj vendoseshin posterat origjinalë që shoqëronin filmin kur vinte, ndërsa për të tjerë, realizoheshin nga piktorët e Kinostudios, që ishin edhe përgjegjësit për vendosjen e tyre.

Steve Reeves është parë në Shqipëri në pak filma të gjithë me ngjyra, ekran të gjerë, nga i pari “Kali i Trojës”, “Trimëritë e Herkulit”, “Legjenda e Eneas”, “Biri Spartakut”, “Një ndodhi e lashtë” (i vetmi bardhezi).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura