STATISTIKAT/ Nga prezenca tek golat, ja rekordet e Premier Ligës

Aug 14, 2021 | 15:20
SHPËRNDAJE

Topi nisi të rrotullohet në Premier Ligë dhe sezoni i ri garanton spektakël, gola dhe drama përpara stadiumeve ku do të rikthehen tifozët. Por 2021-‘22 mund të jetë edhe sezoni i rekordeve që thyen. Megjithatë, ka disa rekorde që pritet të mbeten të pandryshuara edhe këtë vit. Shejn Long mban medaljen e artë për golin më të shpejtë të Premier Ligës (shënoi për Sauthemptonin kundër Uotfordit në prill 2019 pas vetëm 7.69 sekondash).

Premier Liga trofeu

Mirëpo, edhe rekordi i golave që mbahet nga Alan Shirer (260) duket i sigurt të paktën edhe për këtë sezon, ashtu siç është edhe ai i një lojtari me një klub të vetëm: mbahet nga Serxho Aguero (184). Golashënuesi më i mirë i historisë së Sitit, i cili u transferua në Barcelonë këtë verë, mban gjithashtu edhe rekordin e numrit më të madh të trigolëshave (12), por ai i rrezikohet nga Herri Kejn (8 tripleta), ndërsa i treti në listë është Rahim Sterling (4).

123 kartonët e verdhë që ka koleksionuar Garet Berri në 653 ndeshje janë gjithashtu një rekord i pathyeshëm, ashtu siç është edhe ai i prezencave të Rajan Gigsit për një klub të vetëm (632 ndeshje me Mançester Junajtidin) dhe asisteve (162). Peter Çeh do të mbetet portieri me më shumë ndeshje pa pësuar (202), të paktën deri në sezonin 2022-’23, edhe në rast se De Gea nuk pëson gol në 38 javët e kampionatit për dy vitet e ardhshme, spanjolli do të jetë sërish pas çekut.

Por, do të ishte diçka spektakolare edhe thyerja e golit më të vonë (101 minuta e 48 sekonda vendosur nga Dirk Kajt), 100 pikët e Mançester Sitit dhe 53 golat me kokë të Peter Krauçit. Markus Bent mbetet lojtari që ka mbajtur fanellën e më shumë klubeve të ndryshme të Premier Ligës (8), ndërsa rekordi i spektatorëve u vendos me “Wembley”-n që priti derbin e Londrës TotenhemArsenal në shkurt 2018 (83.222).

Mes rekordeve që pritet të përditësohen është ai i skuadrës me më shumë fitore dhe golave për një klub, që të dyja mbajtur nga Junajtid (687 dhe 1.415). Evertoni është skuadra që ka regjistruar më shumë barazime (314) dhe më shumë gola të pësuar (1.415). Xhejms Milner është lojtari që ka hyrë më shumë në fushë si zëvendësues (161), ndërsa lojtari më i zëvendësuar është Tio Uollkot (152 herë).

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura