Starova kërkon titullin e Skënderbeut: FSHF duhet të vendosë

Jul 25, 2016 | 10:36
SHPËRNDAJE

“Shqipërinë si kampione e përfaqëson Partizani në Champions. Nuk ka asnjë dyshim, Federata Shqiptare e Futbollit duhet të marrë shpejt një vendim. Titulli është i yni, kjo nuk do as mend dhe as kalem. Nëse do të ishte Skënderbeu kampion, atëherë do të merrte pjesë në Champions”. Kjo është deklarata e Sulejman Starovës dhënë dje në mbrëmje në emisionin “Rubrika Sportive” në TVSH.

starova partizani

Ish-trajneri i Partizanit, në rolin e këshilltarit të presidentit Gazmend Demi, por që njihet si një person me shumë pushtet në klubin e kuq, i ka bërë apel institucionit të futbollit që të marrë një vendim për çështjen e titullit. “Kjo është një çështje që të gjithë e kuptojnë. UEFA ka marrë një vendim dhe ne jemi kampionët, prandaj dhe marrim pjesë në Champions”, theksoi Sulejman Starova, i cili ka qenë për disa vite edhe në detyrën e sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së. Sipas “Bobit”, Partizani llogarit 16 tituj dhe ky vendim duhet zyrtarizuar sa më shpejt.

Histori në Champions

Duke folur për ndeshjen ndaj Salzburgut, Starova bëri të ditur se Partizani synon të kalojë edhe turin e tretë. “E kemi studiuar kundërshtarin. Nuk është më ai Salzburg i disa viteve më parë, por megjithatë nga ndeshja e fundit që pamë, kuptuam se mendjen e ka vetëm te takimi kundër nesh. Humbi në kampionat, pasi ka si synim madhor të kapë grupet e Ligës së Kampioneve. Nuk kemi frikë, skuadra është gati për të tentuar kalimin e turit. Me mbështetjen e tifozëve, besojmë se mund të bëjmë sërish historinë”, është shprehur ish-trajneri.

starova partizani

Huazimet e Kukësit

“Nuk ndodh në asnjë vend të botës që, pasi merr tre lojtarë të huazuar nga Skënderbeu, e cilëson si arritje. Ishte diçka e shëmtuar. Personalisht m’u duk një sharlatanizëm ajo që bëri Kukësi. Megjithatë, e kuptoi pas ndeshjes që kishte gabuar. Pastaj ajo që ndodhi me Hasan Likën ishte më e shëmtuar”, deklaroi Starova, teksa u pyet për eliminimin e Kukësit dhe pendesën e presidentit Gjici për huazimet.

Arbnor-Fejzullahu-flet

Çështja “Fejzullahu”

Ish-trajneri ka mohuar kategorikisht kalimin e mbrojtësit te Skënderbeu, madje ka zbuluar se kosovari do të nisë këto ditë stërvitjen me të kuqtë. “Fejzullahu nuk shkon askund, përveç Partizanit. Lojtari do t’i bashkohet skuadrës këto ditë në stërvitje për të kapur shpejt ritmin e grupit, në mënyrë që të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar. Me shumë mundësi niset që nesër (sot) drejt Tiranës. Mendoj se ka rënë pre e mashtrimeve dhe premtimeve të menaxherëve të ndryshëm. Tifozët tanë kanë njëfarë pakënaqësie për sjelljen e tij, por ai do të kthehet”, përfundoi Starova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura