ZYRTARE / Edon Zhegrova bën hapin e madh të karrierës, firmos për klubin që theu diktatin e PSG-së e tani sfidon Çelsin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2022 | 21:05

ZYRTARE / Edon Zhegrova bën hapin e madh të karrierës, firmos për klubin që theu diktatin e PSG-së e tani sfidon Çelsin

Edon Zhegrova i ka dhënë lamtumirën kampionatit zviceran të futbollit, duke bërë hapin e madh të karrierës. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, sot ka firmosur kontratën me skuadrën kampione në fuqi të Francës, Lilën, duke u bërë pjesë e ekipit që theu hegjemoninë e titujve të PSG-së.

edon zxhegriova

Zhegrova kishte shkëlqyer me Bazelin në vitet e fundit dhe për të kishin shfaqur interes disa klube jashtë Zvicrës. Por ai ka pranuar menjëherë ofertën e Lilës, që ka krijuar emër në këto vite edhe në arenën ndërkombëtare dhe aktualisht është në garë në Ligën e Kampioneve, ku në fazën me eliminim direkt do të ndeshet me Çelsin.

“Një përforcim për të ardhmen”, e ka shpjeguar vetë klubi francez firmën deri në vitin 2026 me futbollistin e Kosovës, i cili pritet të jetë protagonist që në javët në vijim me klubin. “Jam krenar që jam këtu. Është një ditë e madhe për mua, një etapë e madhe në karrierën time, në një kampionat të madh, në një klub me lojtarë të mëdhenj falë të cilëve do të mund të bëj progres. Dëshiroja shumë të vija këtu, ndaj jam shumë i lumtur. Do të jap maksimumin tim për Lilën”, ishin fjalët e para të Zhegrovës si futbollisti më i ri i klubit francez.


PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"