“Zhduket” lojtari i Skënderbeut, iku në Francë për terapi, por ka shtyrë kthimin. Daja me dhimbje koke

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2020 | 0:23

“Zhduket” lojtari i Skënderbeut, iku në Francë për terapi, por ka shtyrë kthimin. Daja me dhimbje koke

Skënderbeu shkon në Shkodër me një “mal” me probleme. Në një kohë që korçarët janë në kërkim të fitores së dytë radhazi dhe ngjitjes së mëtejshme në klasifikim, duhet t’u bëjnë ballë edhe mungesave. Burime të sigurta për “Panorama Sport” bëjnë me dije se trajneri Ilir Daja po vuan jo vetëm pezullimet prej kartonëve, por edhe prej rikuperimit të vonuar të disa lojtarëve. Për ndeshjen e fundjavës kundër Vllaznisë, bardhekuqtë nuk kanë të disponueshëm Artim Pollozhanin dhe Eni Imamin. 

Skenderbeu

Mbrojtësi “veteran” duhet të qëndrojë jashtë për këtë takim si pasojë e kartonit të kuq që mori ndaj Teutës, ndërsa tiranasi ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë. E megjithatë, ky mund të konsiderohet si shqetësimi më i vogël. Me rikthimin pas 740 ditëve të Bajram Jashanicës, janë qetësuar ujërat.

GRIPI DHE DËMTIMET

Dilemat e trajnerit janë prezente për repartet e tjera. Kjo, për shkak të një viroze që ka prekur dy prej lojtarëve bardhekuq. Agon Elezi dhe Beli Lukaj kanë kaluar gripin dhe për pasojë po stërviten veçmas mes ushtrimeve të thjeshta dhe terapisë. Elezi rrjedhimisht mban peng mesfushën, pasi emergjenca në mbrojtje mund ta detyrojë Bruno Ditën të spostohet në prapavijë.

Agon Elezi

Gjendja e shkupjanit do të vlerësohet sot, për të parë se si do të ndërtohet më pas reparti i mesfushës. Pezull është edhe sulmi, atje ku duket se Bregu dhe Gripshi presin të njohin se kush do të jetë shoku i tyre i repartit. Blerim Krasniqi ende nuk e ka kaluar në masën 100% dëmtimin e pësuar kundër Flamurtarit dhe pavarësisht minutave të marra ndaj Tiranës dhe Teutës, duket qartë se lojtari nuk është ende gati për të qenë titullar. Tërheqja e pësuar para disa javësh jep ende shenja shqetësuese dhe kavajasi me shumë mundësi do ta nisë nga stoli. Tashmë do t’i takojë Ilir Dajës që të vendosë nëse do të jetë shkodrani Belajdi Pusi që do të luajë në majë të sulmit apo ganezi Alfred Mensah.

Ndeki55

ÇËSHTJA “NDEKI” 

Problemet e Skënderbeut nuk kanë të përfunduar. Dihej që Zhan Ndeki i mungon ekipit në fushë prej 4 ndeshjesh (3 kampionat dhe 1 Kupë) dhe shkak është bërë ai dëmtim që ka pësuar në rrëzë të kofshëve. Për të fundit herë ka luajtur me Laçin më 3 shkurt, ndërsa me Bylisin qëndroi vetëm në stol në sfidën pasardhëse të 8 shkurtit. Senegalezi ka afro dy javë që është larguar drejt Francës për të zhvilluar terapi riaftësuese dhe duhet të kthehej para pesë ditëve në Korçë, por nuk ka ndodhur kështu. 23-vjeçari ka njoftuar drejtuesit e klubit se ndien ende shqetësime, ndaj ka kërkuar që ta shtyjë kthimin për në Shqipëri edhe për disa ditë të tjera, pasi do t’i duhet që të kryejë edhe disa seanca të tjera terapi. Pavarësisht se justifikimi deri diku mund të qëndrojë, “zhdukja” lë hije dyshimi. Ai konsiderohet një lojtar tejet i rëndësishëm për bardhekuqtë në sulmin korçar, ndaj edhe mungesa e tij ka shtuar stresin.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"