Zbulohet buxheti te Flamurtari, lojtarët morën kesh 30% të kontratës. Bonus 5 mijë euro për Europën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 4, 2018 | 21:20

Zbulohet buxheti te Flamurtari, lojtarët morën kesh 30% të kontratës. Bonus 5 mijë euro për Europën

Flamurtari me super buxhet për sezonin futbollistik 2018- 2019. “Panorama Sport” zbulon se kompanitë turke, të cilat kanë në administrim Flamurtarin, kanë vendosur në dispozicion 1.2 milionë euro për klubin. I gjithë ky buxhet përfshin kontratat e lojtarëve dhe stafit teknik, si dhe sigurimet shoqërore. Një pjesë e këtij buxheti prej 1.2 milionë eurosh shkon edhe për trajtimin e hotelerisë dhe ushqimor të lojtarëve, si dhe gjithçka tjetër që lidhet me shpenzimet e ekipit.

flamurtari festa

Kujtojmë se edhe një sezon më parë, buxheti ka qenë në shifrën 1 milion eurove, ndërsa këtë vit ka pasur një rritje. Por, për t’u thekuar është fakti se, edhe pse buxheti gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë “i majmë”, rezultatet kanë munguar. Shpresohet që këtë sezon të bëhet maksimumi për të arritur Kupat e Europës, por pse jo për të fituar titullin, pasi në Vlorë e kërkojnë prej kohësh një trofe.

BONUSET

Te Flamurtari nuk ka vetëm buxhet milionerësh, por edhe bonuse. Ato vijë si risi në kontratat për sezonin e ri. Kontratat kanë disa klauzola, të cilat ndikojnë te lojtarët në varësi të arritjeve në kampionat. Sipas kontratës, lojtarët sapo firmosin marrëveshjen me klubin marrin 30 për qind të shumës në dorë. Kushti kryesor janë Kupat e Europës. Nëse skuadra kap Europën në fund të sezonit, lojtarëve do t’u jepet secilit nga 5 mijë euro premio.

flamurtari

Mirëpo, klubi ka parashikuar ndëshkime në rast se nuk arrihen objektivat. Kështu, nëse Flamurtari nuk merr pjesë në Europë, atëherë futbollistëve do t’u mbahet 10 për qind e kontratës, që do të thotë paga e fundit, e cila llogaritet të merret në muajin maj të vitit 2019.

INVESTIMET

Flamurtari këtë vit nuk do të ketë vetëm një buxhet A, por edhe një buxhet B. Risi është se do të ketë edhe një buxhet investimesh. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për “Panorama Sport” se javën e ardhshme do të prezantohet buxheti i investimeve. Gjithçka lidhet me investimet që klubi do të zhvillojë në infrastrukturën sportive. Në këto investime parashikohet rehabilitimi i fushës sportive në Pyllin e Sodës ku parashikohet ndërtimi i tribunave dhe dhomave të zhveshjes, ndërsa investime do të ketë edhe në ndërtimin e terreneve sportive të tjera në qytet.

flamurtari fusha4

Nuk dihet nëse në këtë buxhet përfshihet edhe stadiumi i ri, i cili me sa thuhet do të jetë një bashkëfinancim mes qeverisë dhe kompanive turke dhe që do të ndërtohet në Skelë tek impianti ekzistues. Kujtojmë se Bashkia e Vlorës, prej katër vitesh, e ka zero buxhetin për Flamurtarin, pasi gjithçka financohet nga kompanitë turke.

Ato morën në administrim klubin kuqezi edhe për dy vite, teksa në fund të korrikut Këshilli Bashkiak miratoi shtyrjen e afatit. Mirëpo, privatizimi i klubit duket ende një mision i pamundur. Disa herë administratori aktual ka bërë thirrje për lëvizje të bashkisë, duke gjetur rrugën ligjore për të privatizuar klubin, por edhe pse kanë kaluar katër vite, Flamurtari nuk mund të quhet ende… privat.

ERMAL SIKA





www.minuta90.com