Xhonatan, braziliani që premton gola për Flamurtarin: Jam në një klub të madh, gjithçka për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 21:41

Xhonatan, braziliani që premton gola për Flamurtarin: Jam në një klub të madh, gjithçka për Superioren

Xhonatan Silveira da Silva u bë protagonist absolut në fitoren e parë të Flamurtarit këtë sezon, pikërisht me shifrat 0-3 në stadiumin e Cërrikut ndaj Turbinës. Sulmuesi brazilian bëri dopietë, duke i dhënë tri pikë shumë të rëndësishme skuadrës.

Xhonathan

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Xhonatan thekson se ndihet shumë mirë me ambientin në Vlorë, por edhe me nisjen pozitive në aspektin personal.

Si sulmues që është, ai dëshiron të shënojë sa më shumë gola. 26-vjeçari që vjen pas eksperiencës në Brazil me ekipin Novoperario, si dhe më pas klubet nga Malta, Qrendi dhe Zebug, është i bindur se Flamurtari do të luftojë deri në fund për ta arritur ngjitjen në elitë.

Xhonatan, shënuat dy gola në ndeshjen e parë si titullar. Si po ju duket aventura te Flamurtari?

Ndihem shumë mirë. Kam gjetur djem që më respektojnë dhe më mbajnë afër. Po ashtu jam shumë i kënaqur edhe nga drejtuesit e klubit. Edhe ata janë shumë korrektë dhe dashamirës. Menaxhimi i klubit duket shumë i mirë. Kam ardhur në një klub të madh dhe profesionist. Jam i lumtur për këtë fakt. Ky grup që kam gjetur ta bën edhe më të lehtë punën.

Keni vështirësi në përshtatje me pjesën tjetër të skuadrës?

Jo, jo. Ne jemi profesionistë dhe dimë të reagojmë në të gjitha situatat që kemi në fushë. Jemi duke u përshtatur me skuadrën. Nuk e kam aspak të vështirë. Kam gjetur një grup shumë të mirë dhe shkojmë si një familje. Është hera e parë që luaj në Shqipëri, por po më pëlqen shumë.

Si ju duket kampionati i Kategorisë së Parë?

Të paktën në këto tri ndeshje të para, po më duket i bukur dhe me shumë rivalitet. Është një kampionat interesant.

Ndaj Turbinës jo vetëm shënuat, por edhe asistuat për golin e Metanit…

Jam shumë i kënaqur për golat që realizova në ndeshjen e fundit me Turbinën. Po ashtu edhe me shërbimin që bëra te goli i parë me asistin që dhashë. Shpresoj që të bëj maksimumin në vijim dhe të ndihmoj skuadrën sa më shumë për të arritur objektivin që kemi.

Besoj e dini që objektivi është Superiorja…?

Patjetër që po. Unë e di që Superiorja është objektivi ynë dhe ne do të luftojmë të gjithë për ta arritur atë. Kështu që nuk kam asnjë dyshim për këtë. Jemi të angazhuar maksimalisht për ta arritur këtë objektiv madhor që kemi.

Çfarë premtoni personalisht se do të jepni për Flamurtarin?

Ajo që unë premtoj është se do të bëj gjithmonë më të mirën në fushë, që të arrijmë objektivin që kemi, ngjitjen në elitë. Sigurisht që do të bëj gjithçka duke dhënë maksimumin tim edhe për të shënuar sa më shumë gola, për të ndihmuar skuadrën që të shkojë aty ku duhet.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"