Xhekson “tremb” Luftëtarin, Aleksi pret fitoren në rikthim: 3 pikët janë detyrim ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2018 | 21:22

Xhekson “tremb” Luftëtarin, Aleksi pret fitoren në rikthim: 3 pikët janë detyrim ndaj Laçit

Në një kohë që pritej një Luftëtar i gjithi i gatshëm në dispozicion të trajnerit Gentian Mezani, dëmtimi i brazilianit Xhekson në kaviljen e djathtë në përballjen me Kastriotin e mban pezull aktivizimin e mbrojtësit. Edhe pse Xhekson u duk se nuk do të kishte pasoja serioze në kavilje, nën kujdesin e drejtuesve të Luftëtarit, dje braziliani ka udhëtuar drejt Janinës për të konstatuar sa më mirë shkallën e dëmtimit.

Burime brenda stafit mjekësor bëjnë të ditur për “Panorama Sport”, se mbetet për t’u parë gjendja e mbrojtësit të djathtë, ku pas konsultës së përbashkët trajneri Mezani do të vendosë për aktivizimin. Për vetë cilësitë që ka braziliani, dëshira është që Xhekson të jetë titullar, ndonëse trajneri Mezani do të mundohet të gjejë alternativën e duhur, nëse ai nuk ia del që të rikuperohet në kohë.

xhekson

Albano Aleksi- Mesfushori fierak i ka munguar Luftëtarit prej gjashtë javësh. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në gjurin e djathtë, Aleksi e ka “hedhur” pas krahëve dëmtimin dhe pritet që ndaj Laçit të rikthehet në fushën e blertë. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, 26-vjeçari i Luftëtarit u shpreh i lumtur për rikthimin në fushë. “Me futbollin kam lidhur jetën time, ky fakt më ka bërë të vuaj mungesën në fushën e gjelbër.

Dëmtimi më penalizoi për të mos dhënë kontributin tim në dobi të skuadrës, pavarësisht rezultateve që kemi arritur në këto javë të luajtura. Me mbështetjen e shokëve, stafit teknik dhe mjekësor, pa nënvlerësuar aspak vullnetin dhe këmbënguljen time për t’u rikuperuar në kohë, ia dola të jem i gatshëm për ndeshjen me Laçin. S’mund t’ju them nëse do ta nis ndeshjen e nesërme si titullar apo nga stoli. Për mua si lojtar profesionist, ka rëndësi kontributi dhe gatishmëria për të ndihmuar ekipin drejt rezultateve pozitive, pavarësisht minutave që do të kem në dispozicion.

Në përballjen me Laçin, të gjithë duhet të synojmë vetëm fitoren, përndryshe trepikëshi i marrë ndaj Kastriotit do të venitej. Do të na mungojnë tifozët, por jo dëshira dhe grinta në fushë për të triumfuar ndaj Laçit. Me shpirt dhe karakter, besoj se do t’ia dalim në fushën tonë për të qenë sa më afër tifozëve tanë në ndeshjet pasardhëse. Rezultati pozitiv ndaj Laçit është detyrë shtëpie për t’u përmbushur nga ana jonë”, u shpreh Aleksi për “Panorama Sport”.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"