“Vllaznia të rregullojë mbrojtjen”, Hysen Zmijani: “Sëmundje”, zhgënjimi me të voglat! Ekipi duhet të thyejë tabunë e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 22:00

“Vllaznia të rregullojë mbrojtjen”, Hysen Zmijani: “Sëmundje”, zhgënjimi me të voglat! Ekipi duhet të thyejë tabunë e…

“Mjeshtri i Madh”, Hysen Zmijani, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ka bërë një analizë përmbledhëse të tri javëve të para të Vllaznisë në sezonin e ri.

hysen zmijani

Sipas ish-mbrojtësit, skuadra ka arritur me shumë meritë që të triumfojë përballë dy rivalëve direktë për titull, por nuk duket tërësisht i kënaqur me lojën që kanë paraqitur shkodranët në start.

Gjithsesi, pikët e marra, pa diskutim kanë vlerën e tyre. Zmijani pohon se ekipi duhet të ketë kujdes në mbrojtje, reparti që vuajti edhe ndaj Tiranës në pjesën e dytë. Ai ka folur për “sëmundjen e vjetër” të Vllaznisë, duke hasur vështirësi në përballjet me kundërshtarët e ashtuquajtur inferiorë. Ish-lojtari i Kombëtares apelon që Vllaznia duhet të përkushtohet më shume te lojtarët që dalin nga akademia saj.

Hysen, si i vlerësoni tri përballjet e para të Vllaznisë?

Mendoj se ecuria është pozitive. Të mundësh dy kundërshtarë direktë dhe me shumë peshë, si Kukësi e Tirana, nuk është gjë e lehtë. Megjithëse kemi arritur të fitojmë dhe fituesi nuk gjykohet, sërish nga çfarë kemi parë, loja ka shumë luhatje. Me Tiranën bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por në të dytën nuk ishim të tillë. Zgjohemi sërish dhe kjo nuk të lejon që të bësh një vlerësim të drejtë. Megjithatë, them se nisja është pozitive.

Fitorja ndaj Tiranës në disa raste ishte në rrezik, çfarë nuk shkoi?

Ndoshta mungesat në takimin e fundit me Tiranën ndikuan që të mos ishte më shumë bindëse në pjesën e dytë dhe të vërë në dyshim rezultatin. Pavarësisht se Latifi nuk është ai që ne presim, ka vlerën e tij. Ndërsa u pa dukshëm mungesa e Hakajt në mbrojtje. Ky repart nuk shkoi siç duhet, pikërisht nga ata lojtarë që pritet prej tyre. Mbrojtja si repart apo loja e ekipit në mbrojtje shfaqin probleme. Në këtë drejtim duhet punuar.

Por, Vllaznia humbet ndaj ekipeve “të vogla” në letër…

Kjo nuk është një gjë e tanishme. Kjo është një “sëmundje”, që historikisht ne e kemi vuajtur. Ndaj rivalëve në dukje të lehtë, ndër vite Vllaznia ka çaluar. Nuk e di dhe nuk mund ta vë arsyen tani.

ZMIJANI

Mund të themi se është nënvlerësim?

Në dukje kështu i bie të jetë, por nuk mund të them tamam kështu. Vllaznia ndaj rivalëve historikë apo skuadrave që kanë më shumë emër luan përherë më mirë, por një gjë të tillë nuk e bën me skuadrat që në dukje janë nën nivelin e saj.

Të shtunën luajnë në Rrogozhinë ndaj Egnatias, një fushë që nuk ka fituar asnjë përballje. Si e shikoni këtë takim të radhës?

Egnatia ka një ekip simpatik. Pavarësisht dy rezultateve të para, ajo e tregoi se është një skuadër e mirë me fitoren në Laç. Mendoj se ka një skuadër që do të kërkojë maksimumin në këtë përballje.

Vllaznia do ta ketë sërish të vështirë nisur edhe nga “emri”?

Nuk mendoj se ka skuadër në Superiore që mund ta nënvlerësosh. E tillë është edhe Egnatia. Vllaznia e di këtë gjë, pasi në Rrogozhinë nuk ka arritur të fitojë asnjë takim. Por këtë do të tentojë ta bëjë kësaj here edhe pse jam i bindur se nuk do ta ketë të lehtë. Vllaznia ka treguar se di të fitojë. Shpresoj të marrë maksimumin, por për të shkuar deri aty, duhet që të djersijë shumë.

Keni qenë pro dhe vazhdoni të jeni i tillë për praninë e elementit shkodran në ekipin e parë…

E kam thënë dhe po e përsëris, te Vllaznia duhen më shumë lojtarë që janë prodhim i saj. Nuk mungojnë këto emra dhe drejtuesit duhet të bëjmë shumë për t’i fituar ata. Nuk kam gjë me afrimet e lojtarëve të gatshëm dhe me blerjet e shumta, por duhet të bëjmë edhe më shumë për elementin tonë që del nga akademia. Të kenë edhe ata hapësirën e tyre, në mënyrë që të shikojmë një Vllazni me sa më shumë shkodranë, të cilët të jenë baza për disa sezone.

Ku e shikoni Vllazninë në fund të këtij sezoni?

Me tri ndeshje është vështirë të thuhet se ku do të jetë Vllaznia apo çdo ekip tjetër. Është herët të flitet për titull. Është një rrugëtim i gjatë. Nëse skuadra do të kërkojë titullin, duhet që medoemos të arrijë një seri fitoresh dhe të tregojë stabilitet në lojë. Megjithatë, më mirë skuadra të mos shikojë larg, por ta ketë mendjen vetëm te takimi i radhës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"