Vllaznia po vuan për sulmues, Djarmati: Leku nuk bën më punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 18:53

Vllaznia po vuan për sulmues, Djarmati: Leku nuk bën më punë

Vllaznia po vuan për të gjetur një “bomber”. Drejtuesit vazhdojnë kërkimet, e megjithatë nuk po e gjejnë dot të duhurin. Edhe pse klubi është gati që të “hapë thesin”, çështja nuk qëndron më te paratë. Futbollistët e piketuar nuk binden që të vijnë në Shqipëri. Këtë shqetësim e ka ngritur edhe vetë drejtori teknik i kuqebluve gjatë daljes më të fundit për mediat.

marko-djarmati

Në mbyllje të miqësores me Pogradecin, Matko Djarmati shprehej se në këtë fazë nuk po i bëjnë punë as lekët. “Ne jemi në pritje të një sulmuesi, por kemi problem për ta sjellë atë pranë Vllaznisë. Leku nuk është problem në këto momente, për ta bindur këtë sulmues për të ardhur në Shkodër. Problemi qëndron për ta sjellë këtë sulmues në Shqipëri, prandaj kemi mbetur në këtë situatë”, ka thënë mes të tjerash kroati.

NGËRÇI – Pesë miqësore dhe po aq gola ka shënuar Vllaznia gjatë miqësoreve të verës. Edhe pse për ofensivën kanë afruar në këtë merkato emra si Ismael Dunga, Ardit Hoxha, Mehdi Çoba, Ardit Hoxhaj dhe Kristofer Mandiangu, skuadra po has vështirësi në gjetjen e rrjetës. Është kjo arsyeja që po kërkojnë me ngulm një lojtar potent për vijën e parë, pasi vetëm kështu do të ishin të qetë. Duke parë edhe kundërshtarët me të cilët kuqeblutë janë përballur në këto miqësore, është kthyer në domosdoshmëri afrimi i një “pyke”.

VLLAZNIAAA

Ishte edhe trajneri Tomas Brdariç që e theksoi një gjë të tillë pas testit me Erzenin. Ai kërkonte edhe dy sulmues, që ta quante skuadrën të kompletuar. Klubi mori direkt Ismael Dungën, por të dytin nuk po e gjen dot. Ashtu si edhe një sezon më parë, sulmi mund të jetë “thembra e Akilit” për Vllazninë. Megjithatë, drejtuesit nuk kanë në plan të dorëzohen. Me merkaton që mbyllet më 20 shtator, ata do vazhdojnë të këmbëngulin për të marrë një sulmues cilësor.

BRAZILIANËT – U përfol se Viktor da Silva Matos do të largohej nga Vllaznia, por nuk do të ndodhë kështu. Nuk është mesfushori me tipare sulmuese ai që nuk ka bindur, por braziliani tjetër. Bëhet fjalë për Kasius Vinicius Koelho, i cili ka ardhur mbipeshë.

Kjo gjë ka zhgënjyer stafin, në një kohë që ata e kishin llogaritur qendërmbrojtësin si titullar. Klubi ka menduar “divorcin” e parakohshëm me të, por një gjë e tillë nuk mund të realizohet. Çështja qëndron te kontrata, ndaj shkodranët nuk kanë ndërmend që të marrin asnjë lloj hapi pa konsensus.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"