Vllaznia mendon të konfirmojë Krajën, sot vendoset e ardhmja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2018 | 11:00

Vllaznia mendon të konfirmojë Krajën, sot vendoset e ardhmja

Vllaznia e re nis sot kur dhe është përcaktuar të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e klubit. Organi më i lartë vendimmarrës i klubit shkodran do të zhvillojë sot mbledhjen e tij të radhës ku në rendin e ditës është miratimi i planit financiar. Por, pritet që të ketë diskutime, ide që do të hidhen, ndërsa pritet me shumë interes që të mësohen vendimet që do të marrë kjo asamble.

elvis kraja

TRAJNERI Një prej çështjeve më të diskutueshme së fundmi në kampin shkodran është ajo e trajnerit të ri. Aktualisht, dy janë emrat më të përfolur për të drejtuar ekipin në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Më shumë mundësi për të drejtuar Vllazninë ka Ervis Kraja. Tekniku, që u ul në stolin e kuqebluve në dy ndeshjet e sezonit të kaluar në Superiore, mund të qëndrojë sërish për të udhëhequr ekipin drejt rikthimit në elitë. Një emër tjetër është edhe ai i Edi Martinit. Në mbledhjen e sotme pritet që të qartësohen shumë gjëra në lidhje me këtë çështje.

Vllaznia-lojteret

ADMINISTRATORI I RI Gjithashtu, një tjetër post shumë i rëndësishëm që ka mbetur vakant është ai i administratorit të klubit. Astrit Gjyrezi u dorëhoq pak ditë pas rënies së skuadrës në Kategorinë e Parë. Disa javë më parë, dy ishin kandidaturat për postin e administratorit, Lazër Matia dhe Agim Medja. Mësohet se ky i fundit është tërhequr dhe, sipas të gjitha gjasave, Matija do të jetë administratori i ri i Vllaznisë. Ai ka një eksperiencë të gjatë me Adën dhe futbollin e femrave, ndaj shihet si një zgjedhje shumë e mirë. Pritet që asambleja të vendosë që sot për administratorin e ri, çka do t’i hapte rrugë nisjes së punës për ndërtimin e Vllaznisë që do të garojë në Kategorinë e Parë me synimin për t’u kthyer në elitë. Admir Uruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"