“Vllaznia e synon Europën edhe nga Kupa”, flet Gurishta: Me Tiranën ruajmë ritmin, por të kalojmë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2020 | 23:45

“Vllaznia e synon Europën edhe nga Kupa”, flet Gurishta: Me Tiranën ruajmë ritmin, por të kalojmë…

Vllaznia e ka nisur mbarë sezonin, duke fituar dy ndeshjet e para të kampionatit dhe ka kaluar turin e parë të Kupës. Objektivi më i afërt për shkodranët, për të cilin ka nisur edhe puna dje është kalimi i turit të dytë të Kupës dhe suksesi me Tiranën në kampionat. Të dyja takimet luhen në Shkodër dhe vetëm fitorja pritet në kampin kuqeblu. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Erdenis Gurishta tregon momentin e mirë të ekipit, punën që po bëhet, si dhe pritshmëritë e Vllaznisë në sezonin e ri, ku synohet pjesëmarrja në Kupat e Europës.

Gurishta Batha

Gurishta, sa kanë ndikuar në ekip fitoret e marra në turin e parë të Kupës dhe në dy javët e para kampionat, e fundit ndaj Skënderbeut?

Skuadra ka bërë shumë mirë deri në këto momente punën e vet. Fitoret e arritura kanë rritur edhe më shumë optimizmin dhe besimin për takimet që kemi përpara. Mendoj se Vllaznia këto takime i ka fituar jo vetëm me rezultat, por edhe me një lojë bindëse.

Donatori Xhaferri akordoi një premio para takimit ndaj Skënderbeut, sa ndikimi pati ky stimul te rezultati?

Normalisht që premio është motivuese për çdo lojtarë, por ne të jemi të sinqertë nuk e kemi patur mendjen te premio e akorduar, por për të bërë më të mirën që ta fitonim takimin. Kur futemi në fushë, nuk e kemi mendjen te shpërblimi, por për të marrë trepikëshin.

Tani vëmendja duket se është spostuar te sfida ndaj Tiranës kampione?

Para se të mendojmë për Tiranën duhet të bëjmë detyrën nesër në Kupë Elbasanit, një përballje që duhet kaluar me sukses. Më pas do të fokusohemi te Tirana, që do luhet pas ndeshjeve të kombëtareve. Gjithsesi, kjo përballje po pritet me shumë interes nga ana jonë.

Mendoni që Vllaznia do të vijojë ecurinë pozitive edhe ndaj kampionëve?

Ne e kemi parë, por do ta studiojmë e shikojmë në vijim edhe më mirë Tiranën. Te bardheblutë nuk kemi parë gjëra për të na frikësuar që të mos kërkojmë maksimumin edhe ndaj tyre. Jam i bindur se kemi forca për t’ia dalë edhe ndaj Tiranës. Ne kemi luajtur një miqësore me ata dhe pavarësisht se kemi humbur, luajtëm si të barabartë me kampionët.

Ju vjen keq që në këtë klasike do të mungojnë tifozët?

Normalisht që është për të ardhur keq që në këto momente të mira të Vllaznisë, nuk do të kemi pranë tifozët tanë të zjarrtë. Ato janë një shtysë për ne, e veçanërisht në takime të tilla, ku rivaliteti është përherë i pranishëm. Mbështetja e tifozit do të ishte një plus edhe për klubin në aspektin financiar. Megjithatë, këto janë kushtet dhe duhet vazhduar me këto rregulla të reja.

erdenis gurishta

Vllaznia duket e plotë dhe fatmirësisht gjatë bojkotit kaloi edhe një valë infektimesh nga Koronavirusi…

Mendoj se ishte një fat për ne një gjë e tillë. Nëse kampionati do të niste në ato momente ne mund edhe të ishim ndëshkuar. Tani gjithçka është normalizuar dhe të gjithë lojtarët gëzojnë një formë shumë të mirë fizike. Kjo është një plus edhe për faktin se kalendari i ndeshjeve është i ngjeshura. Megjithatë, mund të them se Vllaznia ka një skuadër jo me 11 lojtarë, por me 25 të tillë dhe për më tepër me përgatitje mjaft të mirë.

Drejtuesit theksojnë se objektivi i Vllaznisë janë Kupat e Europës, a ua kanë kërkuar edhe lojtarëve një gjë të tillë?

Me të vërtetë ato mund ta kenë theksuar një gjë të tillë, por ne si lojtarë nuk na e kanë kërkuar dhe nuk na kanë thënë se ky do të jetë një detyrim. Ajo që na kanë thënë neve, është që të fokusohemi vetëm te takimet e radhës dhe pastaj të shikojmë sesi do ta marrim gjërat. Rrugës do të shikojmë si do të shkojë ecuria.

Në kontratat tuaja ka klauzola për sa i përket ndonjë objektivi, siç mund të jenë Kupat e Europës?

Jo nuk kemi një klauzolë të tillë, por kemi një gjë tjetër: Nëse arrijmë një gjë të tillë do të kemi bonuse. Ne nuk jemi nën presionin e rezultateve të domosdoshme. Do të thoja se në skuadër nuk ka as presion, por nuk ka vend as për të kaluar në eufori. Te një futbollist ekziston presioni, kjo është më se e natyrshme. E rëndësishme është që t’i marrim takimet një e nga një. Edhe Kupa nga ana tjetër mbetet një objektiv. Tani që luhet me një takim, them se mundësitë ekzistojnë. Besoj se do të kalojmë Elbasanin dhe me dy takime mund të jemi në finale. Europa mund të arrihet edhe përmes Kupës.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"