“Viti i titullit për Kukësin, afrimet duan kohë”, Hallaçi: Ende nuk jemi aty ku duhet, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 20, 2020 | 21:56


“Viti i titullit për Kukësin, afrimet duan kohë”, Hallaçi: Ende nuk jemi aty ku duhet, por…

Kukësi ka bërë “revolucion” në këtë merkato, e megjithatë objektivat as këtë vit nuk do të ndryshojnë. Do të tentohet titulli dhe Rraman Hallaçi është i bindur se verilindorët do t’ia dalin. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” krahu i djathtë i Skënder Gegës, që drejton njëherësh edhe ekipin U-21, analizon hyrje-daljet në ekip dhe strategjinë që duhet të ndiqet tani e tutje. “Situata është më e mira. Gjithçka po rregullohet çdo ditë e më shumë. Është normale që duhet pak kohë të gjesh veten kur largohen 8-9 lojtarë direkt, por unë jam optimist. Prurjet e reja janë me nivel, megjithatë ata e dinë mirë se Kukësi ka objektiva madhore çdo sezon. Ne do t’i presim, po jo pafund. Kohë duhet, por ajo nuk premton.
hALLACI

Gjithsesi, mendoj që kemi bërë një merkato të mirëstudiuar. Jemi në rrugën e duhur, por tashme u mbetet lojtarët kryesorë që të marrin përsipër më shumë se të tjerët dhe të na udhëheqin te kreu i renditjes. A jemi për kampion? Sigurisht që jemi, mbetemi kandidatët kryesorë për titull. Por këtë duhet ta tregojmë në fushë dhe që gjithçka të shkojmë më mirë, do ishte zgjedhje e duhur që të shmangim presion te lojtarët. E dimë mirë të gjithë se çfarë kërkohet nga drejtuesit e lartë të klubit, kreu i renditjes”, nënvizoi fillimisht Hallaçi.

LARGIMET – Një pjesë e mirë e titullarëve të sezonit të shkuar janë larguar, megjithatë zv.trajneri nuk e quan dramë. Ai u uron suksese ishfutbollistëve dhe jep një mesazh të prerë: “U urojmë suksese të gjithë lojtarëve që ishin pjesë e organikës së ekipit. Tani fokusi është te prurjet, të cilët janë vërtetë të talentuar dhe me vlera. Historia do vazhdojë dhe Kukësi gjithmonë është pretendenti kryesor, dhe ky është fakt”.
auto_rrahman-hallaci1558722771
STRATEGJIA – Ish-kapiteni legjendar i bluve nuk kishte si mos fliste edhe për Kukësin U-21. Një skuadër e ndërtuar rishtas dhe ambicie të mëdha. Pak ditë më parë grupi i drejtuar nga Skënder Gega mati forcat me atë të Rraman Hallaçit. “Miqësorja Kukësi-Kukësi U-21 ishte e gjitha në shërbim të ekipit A. Mendoj se na ndihmoi, duke ditur që skuadra vjen pas kaq shumë lëvizjesh. E megjithatë, u besoj se do jemi si gjithmonë pretendentë. Kemi krijuar U-21 dhe objektivat janë të qartë. Ka ardhur koha që jo vetëm të marrim elementë nga tregu i huaj, por t’i rrisim vetë talentet dhe të na shërbejnë në të ardhmen. Ende nuk jemi gati aty ku duhet, por shumë shpejt do të konsolidohemi dhe do kërkojmë titullin edhe nga të rinjtë”, shtoi trajneri i Kukësit U-21.

Ai po mban dy poste momentalisht, por kjo gjë nuk e bezdis dhe lodh assesi. “Nuk ka ndonjë siklet se jam te të dyja skuadrat. Presidenti më ka dhënë këto detyra dhe jam i gatshëm që t’i shërbej klubit 24 orë. Kjo është skuadra e vendlindjes sime dhe këtu bëra kampion dhe tani mu dha mundësia e artë që të jem edhe trajner”, përfundoi kuksiani.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com