Vila: Kam vënë bast me veten, do jetë sezoni im

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 30, 2016 | 23:06

Vila: Kam vënë bast me veten, do jetë sezoni im

Emiljano Vila tregoi dje një formë të shkëlqyer, duke u prezantuar më së miri në këtë rikthim te Partizani. Mesfushori durrsak ishte një nga më të mirët në fushë, në një kohë që pas ndeshjes deklaroi se ka vënë bast me veten se ky do të jetë sezoni i tij dhe Partizanit.VILA“Jam shumë i kënaqur për fitoren, duke ditur që Skënderbeu bëri një hap fals. Goli që shënova do të më japë më shumë besim për lojëra më të mira në vazhdimësi. Rikthehem për herë të dytë te Partizani, pasi shkova në Azerbajxhan, por që për arsye të ndryshme jam prapë këtu.

Kam vënë një bast me veten, teksa do të rikthehem më i fortë se kurrë. Kam gjetur një ambient shumë të mirë dhe skuadra më duket më e karikuar se vjet. Ka një konkurrencë shumë të fortë në çdo repart dhe mendoj se kjo është arma plus drejt titullit kampion”, deklaroi Vila pas ndeshjes.

I pyetur për rivalitetin që ekziston në repartin e sulmit, durrsaku theksoi se nuk ka frikë, pasi, sipas tij, kjo u bën mirë lojtarëve dhe për më tepër skuadrës. “E di trajneri kush do të luajë titullar. Këtë do ta tregojë fusha. Unë e thashë, që gjeta një rivalitet të madh dhe kjo është diçka e mirë për skuadrën”.

Tifozët – I pyetur për praninë e paktë të tifozëve në ndeshjen ndaj Laçit, Vila beson se ata do të vijnë duke u shtuar. “Nuk besoj se kemi më pak tifozë se viti i kaluar. Megjithatë, duhet të kemi më shumë në stadium, por unë jam i bindur se tifozët e Partizanit nuk do të reshtin duke na ndjekur jashtë dhe brenda fushës, në të mirë dhe në të keq.

Kemi tifozë të mrekullueshëm”, shtoi mesfushori që u rikthye te Partizani pas aktivizimit në pjesën e parë të sezonit me Inter Baku në Azerbajxhan. Në fund, i pyetur nëse Partizani mund ta përmbysë Laçin në Kupë, Vila u shpreh: “2-0 është një rezultat i keq, por ne do të luajmë për ta përmbysur. Jemi të destinuar për të dyja trofetë. Do të luajmë të gjitha kartat, asgjë nuk është e pamundur për Partizanin”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"