Vijon telenovela, Alaba thyen heshtjen: Akuzat më kanë lënduar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 23:49

Vijon telenovela, Alaba thyen heshtjen: Akuzat më kanë lënduar…

Telenovela rreth të ardhmes së David Alabës vazhdon. Mbrojtësi i majtë i Bajernit ka thyer më në fund heshtjen për akuzat e ditëve të fundit se kërkon një rrogë të çmendur për të rinovuar kontratën me bavarezët. “Do të më pëlqente që situata ime kontraktuale të mos shndërrohet në objekt bisede në publik.

alaba

Disa prej deklaratave të javëve të fundit na kanë surprizuar dhe lënduar. Shumë gjëra të thëna dhe të shkruara nuk janë të vërteta. Jam optimist në gjetjen e një zgjidhjeje sa më shpejt që të jetë e mundur për klubin, shokët e skuadrës dhe tifozët”, tha për “Bild” 28- vjeçari në skadencë kontrate me kampionët e Europës në verën e 2021.

AKUZAT E HËNESIT

Të dielën, ish-presidenti i Bajernit, Uli Hënes, e akuzoi menaxherin e mbrojtësit austriak, Pini Zahavi, si një piranjë të babëzitur gjatë një interviste për “Sport 1”, duke qenë se ai po pengon firmën në kontratën e re me mbrojtësin. Sipas presidentit të nderit të rekordmenëve të Gjermanisë, 28- vjeçari po kërkon një rrogë prej 20 milionë eurosh që ai të firmosë kontratën e re (aktualisht Alaba fiton 11 milionë euro në sezon dhe klubi i ofron 17 bashkë me bonuset). “Menaxheri i tij është një piranjë e babëzitur.

csportfoto33151214-0-image-a-8_1600068430840

Në fakt, është e gjitha çështje parash. Ai luan për klubin më të madh në botë, ku tjetër do të donte të shkonte? Ne duam ta mbajmë Davidin, por për shkak të Pini Zahavit nuk ka ende një marrëveshje. Në çdo rast, është vetë Alaba ai që duhet të marrë një vendim. Te Bajerni nuk ka lojtarë që paguhen 20 milionë euro”, tha Hënes. Por Alabat e mohojnë një gjë të tillë. Babai i futbollistit, Xhorxh Alaba, iu përgjigj për “Sky”:

“Gjatë viteve kam pasur shumë mundësi për ta transferuar Davidin në një tjetër klub, por ne ishim besnikë dhe kemi zgjedhur gjithnjë që të qëndrojmë. Nuk e prisja nga Bajerni që të përhapte këto gënjeshtra të ndyra në publik për rrogën dhe komisionin. Të pretendosh se ne nuk mund të arrijmë një marrëveshje për shkak të rrogës, është një nga këto akuza të pavërteta. Dhe e gjitha kjo ndodh sepse ne nuk pranojmë shifrat që ata na kanë propozuar”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"