Vijnë tre talente nga Afrika, Apolonia firmos edhe me Branicën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2019 | 17:58

Vijnë tre talente nga Afrika, Apolonia firmos edhe me Branicën

Ka qenë ditë e mbarë e enjtja për Apoloninë. Në Fier kanë mbërritur dje futbollistët e premtuar dhe të paralajmëruar nga gazeta. Plot 4 të tillë kanë qenë për herë të parë nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi në seancën stërvitore të pasdites së djeshme: sulmuesi Klejdis Branica, tashmë zyrtarisht pjesë e Apolonisë, pasi ka nënshkruar kontratën, por edhe tre afrikanët që i kemi përmendur në shkrime të mëparshme.

Apolonia2

Konkretisht, bëhet fjalë për Abraham Xhon Ekeleme, 19 vjeç, nigerian, luan në të majtë të mbrojtjes dhe, sipas agjentëve të tij, është një futbollist perspektive, i përfshirë edhe në përfaqësueset e moshave të Nigerisë. I dyti është Frank Valeri Boni Elat, kamerunasi po 19-vjeçar që luan në linjën e djathtë të mbrojtjes dhe të mesfushës. I treti është Abdulxhabar Oiarazi Etudaije, nigerian, 21 vjeç, me pozicion natyral mesfushor qendre, por që mund të përshtatet edhe si qendërmbrojtës.

Apolonia afrikanet

Të tre këta futbollistë do të jenë në provë disaditore për të kaluar në “filtrin” e testimeve të trajnerit Mërgjyshi dhe më pas do të merret vendimi, nëse do të jenë të vlefshëm për Apoloninë. Ndërkohë, nga tregu i huaj do të ketë të tjera prurje ditët e ardhshme, ku pistat kryesore të deklaruara janë Ekuadori dhe Brazili. Tek Apolonia gjërat kanë filluar të ecin me ritëm, siç kanë deklaruar vetë drejtuesit fierakë, duke dëshmuar seriozitetin e ndërtimit të një skuadre cilësore dhe me pretendime të qarta drejt elitës.

BRANICA – Pas firmës, sulmuesi Klejdis Branica ka dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport” opinionin e tij të parë nga Fieri, ku tregon pse bëri këtë zgjedhje. “Kam bërë zgjedhjen më të mirë, pasi e kam deklaruar edhe më parë për gazetën tuaj që Apoloninë e kam vlerësuar me projektin më serioz. Ka synime të qarta për në Superligë, kushte nga më  optimalet dhe e shoh si një mundësi të mirë të karrierës sime të mëtejshme.

klejdis branica

Vonesa në nënshkrim ka qenë për arsye objektive, por tanimë jam futbollist i Apolonisë, për të cilën do të luftoj fort që të arrijmë Superligën dhe në aspektin personal do të kërkoj sërish të jem kryeshënuesi i kampionatit, më së shumti për të ndihmuar ekipin drejt objektivit madhor”, thotë në deklarimin e tij të parë me fanellën bardhejeshile lojtari më i ri i Apolonisë, sulmuesi i mirënjohur, Klejdis Branica.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"