Video / Spektakël në turneun ICC. Fitojnë Juventus dhe Barcelona, Mançester Siti shkatërron Realin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2017 | 9:35

Video / Spektakël në turneun ICC. Fitojnë Juventus dhe Barcelona, Mançester Siti shkatërron Realin

Janë luajtur në orët e para të mëngjesit të ditës të sotme tre supersfida të vlefshme për turneun ICC që është duke u zhvilluar në Amerikë.

Manchester Siti

Barcelona e ngriti siparin e spektaklit duke mposhtur Mançester Junajtidin me rezultatin 1-0, falë golit të yllit brazilian Nejmar në minutën e 31-të. Kjo ishte fitorja e dytë e katalanasve në këtë turne pas triumfit me Juventusin disa ditë më parë.

Një tjetër sfidë për t’u shijuar ishte edhe ajo mes PSG dhe Juves ku italianët arritën të fitonin me rezultatin 3-2. Higuain dhe dy herë Markizio ishin autorët e golave për juventinët, ndërsa për francezët golat u shënuan nga Guedes dhe argjentinasi Havier Pastore.

Për të vijuar me rezultatin surprizë të supersfidës tjetër mes Mançester Sitit dhe kampionëve të Europës, Real Madrid. Skuadra e Guardiolës shkatërroi madrilenët me rezultatin 4-1 në një takim që foli i gjithi për “qytetarët”. Otamendi hapi serinë e golave në minutën e 52-të ndërsa 7 minuta më vonë Stërling dyfishoi rezultatin.

Siti ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë dhe nuk ka munguar edhe goli i tretë, me autor një tjetër mbrojtës, Xhon Stons. Për golin e “knockout”-it mendoi talenti i ri Brahim Diaz, i cili në minutën e 82-të katërfishoi rezultatin. Duhet të shkonte minuta e 90-të që madrilenët të shënonin golin e nderit, me autor 19-vjeçarin, Oskar Arnaiz.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"