VIDEO / Një penallti eviton dramën, Shqipëria mbyll me fitore kualifikueset historike të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 1:00

VIDEO / Një penallti eviton dramën, Shqipëria mbyll me fitore kualifikueset historike të Botërorit

Një penallti e Endri Çekiçit në minutën e 73-të ndaj Andorrës i ka siguruar Shqipërisë bilancin më të mirë në historinë e kualifikueseve të Botërorit.

Kombëtarja festa

Fitorja 1-0 ndaj Andorrës, në një ndeshje me shumë vuajtje për shkak të gabimeve të shumta para portës të kuqezinjve, bëri që Shqipëria të mbyllë në kuotën e 18 pikëve, si asnjëherë më parë, kualifikueset e Botërorit dhe në vendin e tretë, duke lënë pas 3 skuadra.

statistikat

SHQIPËRI-ANDORRA 1-0
73′ Çekiçi

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Shqipërisë.

90’+1’ Roshi ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli në mesfushë.

90’ Jepen 4 minuta shtesë.

90’ Në fushë Lenjani në vend të Hoxhallarit.

87’ Asnjë rrezik në këto minuta, në të dy anët e fushës me topin që kalon nga një mbrojtje në tjetrën.

82’ Kuqezinjtë ulin pak ritmin, duke mos sulmuar me shumë forca, për të mos rrezikuar më hapësira mbrapa në një moment kur skuadra është e çekuilibruar me shumë forca ofensive.

76’ Bajrami merr topin mirë në të majtë dhe nis një kundërsulm të shpejtë. Në momentin e fundit ai gabon gjithçka duke gjuajtur mbi traversë, në vend që të dërgonte sferën te Roshi me portën e boshatisur.

73’ Më në fund vjen goli kuqezi, Çekiçi shënon nga pika e bardhë e penalltisë.


71’ Penallti për kuqezinjtë. Pas një goditje nga këndi Uzuni pengohet në zonë dhe gjyqtaria bën shenjë nga pika e bardhë.

70’ Uzuni humb një rast të pabesueshëm para portës, kur gjuajtja e tij me kokë ndalet nga portieri.

67’ Çekiçi gabon një pasim për Dermakun duke ia dhuruar Alaez në gjysmëfushën tonë me mesfushorin i cili arrin në fundore në të djathtën, për gjuajtja e tij kalon pasqyrën e portës.

61’ Roshi nga e djathta nis topin në qendër për Bajramin i cili gabon gjithçka dhe pak hapa larg portës gjuan jashtë.

61’ Berto ndëshkohet me karton të verdhë pas një provokimi ndaj Dermakut.

58’ Pas një goditje dënimi nga e majta të Çekiçit, topi shkon te Laçi i cili gjuan, por nuk gjen katërkëndorin me një predhë nga jashtë zonës.

56′ Dy zëvendësime në radhët e Kombëtares, largohet Ramadani dhe Seferi, në fushë Ernest Muçi dhe Nedim Bajrami.

50’ Top nga thellësia për Seferin i cili ka mundësi të shfaqet para portës, por nuk kontrollon sferën dhe ajo del jashtë në fundore.

47’ Martinez sulmon menjëherë me shpejtësi dhe gjuan nga e majta, por duke fluturuar topin mbi traversë.

46’ Asnjë ndryshim në fillimin e pjesës së dytë, skuadrat përsëri në fushë.

45’+2′ Mbyllet pa gola pjesa e parë. 

45’+2’ I papërmbajtshëm Roshi në krahun e djathtë, ai kalon lojtarët kundërshtarë që i dalin para por gjuajtja e tij ndalet këtë herë nga portieri kundërshtar.

45’+1’ I pafat Roshi! Pas një harkimi të Hoxhallarit, Roshi në shtyllën e dytë devijon sferën, por godet shtyllën e portës kundërshtare.


45’ Jepen 2 minuta shtesë.

43’ Rosas del me shpejtësi para në kundërsulm në të djathtën dhe detyron Strakoshën të bëjë një ndërhyrje shpëtimtare për të evituar golin.

40’ Rast i pabesueshëm i humbur nga Uzuni, Laçi me kokë gjuan para portierit dhe ky i fundit lë topin para zonës, Uzuni vjen por nuk kalon përsëri sferën në rrjetë.

37’ Aksion me shumë pasime i kuqezinjve, Uzuni devijon në zonë por bllokohet nga mbrojtësit e Andorrës të cilët janë kthyer në barrierë të mirëfilltë para zonës.

30’ Pas një goditje dënimi të Andorrës, Jovera me kokë vë në provë reflekset e Strakoshës.

27’ Mundësi e artë e Seferit, gjuajtja e tij është shumë e lehtë dhe portieri kontrollon me lehtësi.

25’ Alaez provon një gjuajtje diagonale nga e djathta, por nuk gjen katërkëndorin.

21’ Tjetër tentativë e Çekiçit nga jashtë zonës, gjuajtja është ballore dhe kontrollohet nga portieri.

18’ Dy harkime të Roshit nga krahu i djathtë, fillimisht Mihaj rrëzohet në zonë e pastaj askush nuk arrin të gjuajë.

15’ Kundërsulm i shpejtë i kuqezinjve, me Uzunin, Laçin e Seferin kundër dy lojtarëve miq. Por në fund pasimi për Seferin është më i gjatë se duhet dhe rrezikshmëria e aksionit humbet.

14’ Ramadani gabon gjithçka para zonës duke i dhuruar topin Martinez, ky i fundit gjuan menjëherë drejt portës dhe Strakosha detyrohet të bëjë një devijim spektakolar për të shpëtuar Shqipërinë nga goli i parë.

10’ Hysaj vjedh topin në krahun e majtë dhe nis pasimin në zonë, askush nga kuqezinjtë nuk është në shtyllën e parë dhe sfera largohet nga mbrojtja.

6’ Çekiçi provon të gjuajë në pozicion ballor, sfera largohet nga mbrojtja mike.

3’ Një goditje nga këndi harkohet te Hoxhallari, por ky i fundit prek topin me dorë dhe shkakton faull.

1’ Nis ndeshja në “Air Albania” me shkelmimin nga qendra të miqve.

FORMACIONET ZYRTARE

Shqipëria: Strakosha, Hysaj, Mihaj, Dermaku, Hoxhallari, Roshi, Ramadani, Laçi, Çekiçi, Uzuni, Seferi.
Trajner: Edi Reja

Andorra: Gomes, San Nikolas, Garsia, Alavedra, Cervos, Vieira, Martinez, Puzhol, Alaez, Rosas.
Trajner: Koldo Alvarez

shqiperi andorra

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"