VIDEO/ Mazrekaj bën “mentorin” e Laçit kundër Teutës, kurbinasit e Duros rizgjojnë “ëndrrën” për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2021 | 23:55

VIDEO/ Mazrekaj bën “mentorin” e Laçit kundër Teutës, kurbinasit e Duros rizgjojnë “ëndrrën” për titullin kampion

Super Laçi marshon me Mentor Mazrekajn. Fan tazisti nga Prishtina i ka dhuruar ekipit kurbinas një tjetër trepikësh dhe pikërisht ndaj Teutës, skuadrës që deri dje kishte pësuar vetëm një humbje nga Vllaznia kryesuese. Bardhezinjtë e Shpëtim Duros mund të kishin shënuar edhe më tepër gola, por portieri Stivi Frashëri priti një penallti të ekzekutuar nga Kirian Nuabueze dhe mbajti përkohësisht në lojë durrsakët për të shpresuar te barazimi.

Laci

Teuta është mbrojtja më e mirë e kampionatit, por këtë herë e katranosi me një gafë që nisi nga Arapi dhe u vulos nga Hoxha. Dje trajneri Edi Martini la në stol Lorenco Vilën, ndërsa e nisi me tre mesfushorë nga minuta e parë si Aleksi, Karabeci dhe Avdyli, duke shpresuar se qarkullimi i topit do t’i jepte përparësi. Ky variant nuk rezultoi efikas, pasi mesfushorët e Laçit: Shehu, Deliu dhe Lushkja, fituan më shumë duele. Pas kësaj fitoreje Laçi ndërroi pozicionet me Teutën, duke kapur vendin e tretë.

Laci-Teuta

 

PJESA E PARË – Në mungesë të Albion Markut prej kartonëve, Duro i kishte dhënë mundësinë Klejdi Rapos në krahun e djathtë të mesfushës. Sërish Xhixha dhe Harmon e nisën nga stoli, ndërsa Nuabueze ishte në majën e sulmit, i ndihmuar nga Mazrekaj. Starti është i ekuilibruar, madje durrsakët bëhen më të rrezikshëm me daljet e shpejta të Bregut në krahun e majtë. Rastin e parë e krijon Shehu për Laçin, por Frashëri i thotë “jo” golit.

Krasniqi dhe Emiljano Vila janë rrezik konstant, veçanërisht pas krosimeve në zonë nga goditjet e dënimit. Megjithatë, në momentin kur loja ishte e barabartë, një episod krejt naiv ndëshkon Teutën. Arapi nuk kuptohet me Karabecin e më pas është Hoxha që ia dhuron topin Mazrekajt, i cili nuk fal përballë Frashërit. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me fitoren 1-0 të kurbinasve.

PJESA E DYTË – Martini hedh në fushë Plakun, ndërsa nxjerr Karabecin. Emiljano Vila ka rastin e ndeshjes, por portieri Sherri shpëton Laçin. Teuta bën presion, por është disi kaotike në momentin kur afrohet në zonë. As inkursionet e shpejta të Bregut nuk mjaftojnë, ndërsa skuadra lë hapësira të mjaftueshme mbrapa.

Mazrekaj është pa dyshim më i miri, duke krijuar panik sa herë ka topin në këmbë. Nuabueze humbet mundësinë për të dyfishuar rezultatin pas një goditjeje brenda zone. Më pas sulmuesi nigerian fiton një 11- metërsh, por edhe këtë herë shpërdoron fatalisht, pavarësisht se meritë të madhe ka Frashëri. 6 minutat shtesë nuk ndryshojnë asgjë, pasi Laçi administron mirë lojën.

FT: LAÇI-TEUTA 1-0

Mazrekaj 35′

KOMENTI LIVE: 

Përfundon takimi! 

90+4′ Tjetër zëvendësim te Laçi, largohet Regi Lushkja, vendin e tij e merr Lukas Ramos.

90+1′ Zëvendësim te Laçi, largohet Mazrekaj vendin e tij e merr Turkaj.

90′ Akordohen 6 minuta shtesë.

87′ Tjetër zëvendësim te Teuta, largohet Kuros, vendin e tij e merr Iran Gonçalves.

83′ Zëvendësim i parë te Laçi, largohet nga fusha e lojës Nuabueze, vendin e tij e merr sulmuesi tjetër Harmon Van Dejv.

80′ Teuta merr zemër  nga penalltia e pritur e Frashërit dhe hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit.

73’ Nuabueze gabon nga 11 metra. Gjuajtja e tij u ndal nga gardiani Stivi Frashëri! Goditja e sulmuesit ishte qendrore. Mjaft i bukur reagimi i portierit korçar.

72’ Gjyqtari Xhaja akordon penallti për Laçin, pas duelit brenda zonës mes Nuabuezes dhe Arapit. Nuk janë dakord futbollistët e Teutës, që protestojnë për këtë vendim.

69′ Emiljano Vila është i ndëshkuari i katërt me karton të verdhë te Teuta.

67′ Mentor Mazrekaj ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar dhe humbet sfidën ndaj Vllaznisë.

60′ Pranë golit të dytë Laçi me Nuabuezen, tentativa e sulmuesit shkon ngjitur me shtyllën.

58′ Zëvendësim te Teuta, largohet nga fusha Avdyli, vendin e tij e merr Lorenco Vila.

58′ Tjetër tentativë e rrezikshme e Emiljano Vilës, gjuajtja e mesfushorit me kokë shkon mbi traun e portierit Sherri.

51′ Pranë golit të dytë Laçi me Ignjatoviç që provon me kokë brenda zonës pas asistit të Mazrekajt, por topi shkoi ngjitur me shtyllën.

47′ Pranë golit Teuta me Emiljano Vilën, i cili provon me një gjuajtje të rrezikshme drejt portës pas asistit të Bregut, por topi ndalet nga Sherri.

46′ Zëvendësim te Teuta, largohet nga fusha Karabeci, vendin e tij e merr Sebino Plaku që bën debutimin me durrsakët!

Mbyllet pjesa e parë! 

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

43′ Teuta kërkon penallti pas duelit brenda zonës mes Krasniqit dhe Mustës, por për gjyqtarin Xhaja gjithçka e rregullt. Pretestojnë futbollistët durrsakë.

40′ Florent Avdyli është futbollisti i tretë i ndëshkuar me karton të verdhë për skuadrën e Teutës.

37′ Ndizet sfida, Kuros është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë.

35’ GOOOOL LAÇI 1-0/ Zhbllokohet sfida! Vendasit e Shpëtim Duros në avantazh. Mentor Mazrekaj gjen rrugën e rrjetës! Mesfushori shfrytëzon në mënyrën më të mirë të mundshëm një dhuratë të mbrojtjes durrsake duke mposhtur portierin Frashëri.

24′ Stivi Frashëri për pak sa nuk i dhuron një gol skuadrës kurbnasve. Portieri korçar gabon në pasim dhe ia dorëzon topin Nuabuezes, por gjuajtja e tij u ndal nga Arapi.

21′ Goditje dënimi për Teutën, harkon Dejvi Bregu në zonë për Emiljano Vilën, i cili provon me kokë, por gjuajtja e tij shkon jashtë kuadratit.

18′ Deliu është futbollisti i radhës i ndëshkuar me karton të verdhë.

15′ Karabeci ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të ashpër ndah Shehut.

13′ Pranë golit Teuta me Krasniqin, pas krosimit të Bregut, sulmuesi i skuadrës durrsake provon me një gjuajtje fluturimthi, por tentativa e tij shkon në rrjetën e jashtme.

12′ Reagon edhe Teuta, durrsakët fitojnë goditjen e parë nga këndi, pas topit të larguar nga Ignjatoviç.

8′ Juljan Shehu depërton bukur brenda zonës, por në momentet e fundit ndalet nga portieri Frashëri. Ende asnjë zbritje e Teutës në portën e Laçit.

5′ Provon Lushkja me një gjuajtje nga distanca, por topi devijohet nga mbrojtësit e Teutës.

3′ Kurbinasit janë më kërkues në këto minuta të para, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën e Teutës, por mungojnë rastet e rrezikshme. Të vendosur mjaft mirë durrsakët.

1′ Ka startuar sfida!

FORMACIONET ZYRTARE:

Laçi (3-5-2): Sherri; Selmani, Ignjatoviç, Obanor; Rapo, Deliu, Lushkja, Musta; Nuabueze, Mazrekaj. Trajner: Shpëtim Duro.
Teuta (4-2-3-1): 
Frashëri; Todorovski, Hoxha, Arapi, Kuro; Aleksi, Karabeci; E. Vila, Avdyli, Bregu; Krasniqi. Trajner: Edi Martini11 112

144401318_3581926411862975_1933386922077032864_n144306231_757594341535765_3988792597931242570_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"