VIDEO/ Lushnja zgjohet pas 60 ditësh, shikoni perlën e Maganit që vendosi sfidën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2022 | 11:32

VIDEO/ Lushnja zgjohet pas 60 ditësh, shikoni perlën e Maganit që vendosi sfidën

Lushnja “zgjohet” pas 60 ditësh. Lushnja e mbylli vitin 2022 me fitore. Skuadra e drejtuar nga Blerim Hasalla mundi 1-0 Orikun, në stadiumin “Roza Haxhiu” duke i kaluar bregdetarët edhe në tabelën e renditjes.

2c251472-5c7f-4875-ae62-e256accff6a7

Kur takimi u duk se po shkonte drejt mbylljes pa gola, një goditje spektakolare e Endrien Maganit tundi rrjetën dhe entuziazmoi 300 të pranishmit. Mjaftoi ky trepikësh që verdhejeshilët të kapin vendin e 10-të, duke dalë nga zona e rënies.

PJESA E PARË Takimi nis i ekuilibruar dhe kështu vijoi për disa minuta. Goditja e parë serioze drejt portës vjen në të 19-ën. Canka gjuan në hyrje të zonës dhe topi kalon pak mbi tra. Pesë minuta më vonë, kapiteni godet në kuadrat, por Muho zhytet dhe devijon. Në minutën e 33-të, Basha kthen pa forcë topin te Kaloshi, që bën mbrojtësin e lirë për të larguar topin me këmbë jashtë zonës dhe shmang rrezikun nga Barbosa. Një minutë më vonë Oriku është pranë golit. Disa kombinime nxjerrin të lirë në zonë Barbosën, që godet dobët. Topi pritet nga Kaloshi. Pjesa e parë mbyllet me një trajektore të Cankës, por topi prek rrjetën e jashtme.

PJESA E DYTË Lushnja pas pushimit ka epërsi dhe është më shumë në kontroll të topit. Dominimi bëhet i dukshëm në gjysmën e dytë të kësaj pjese. Në minutën e 70-të Pepa është përballë Muhos dhe portieri i Orikut ndalon goditjen. Në minutën e 72-të, Pepa tenton nga një goditje dënimi dhe topi prek shtyllën e djathtë të portës. Në minutën e 80-të Muho pret edhe një goditje të Cankës. Tre minuta para fundit, Lushnja kalon në avantazh. Goditje dënimi nga e majta, por topi i krosuar largohet. Në krahun e kundërt vjen Magani që godet me forcë në një pozicion diagonal. Topi kalon mbi portierin Muho, pak centimetra poshtë traut dhe tund rrjetën, 1-0.

Minutat e mbetura janë shumë pak për të ndryshuar. Lushnja fiton dhe buzëqesh në prag të festave. Ndeshja nuk pati tension gjatë lojës, por pas saj po. Në tunel pati një të kuq, pasi Shkreli debatoi me gjyqtarin dhe Kuka nuk e kurseu.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"