VIDEO / Kryevepër e Hysenbelliut, Prestige “shemb” Vilën L në Sunday League

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 18:07

VIDEO / Kryevepër e Hysenbelliut, Prestige “shemb” Vilën L në Sunday League

Vit i ri, zakon i vjetër. Prestige e nis 2022-shin ashtu siç i ka hije, teksa ka marrë një fitore të pastër në Sunday League, duke mundur një kundërshtar të fortë si Vila L me rezultatin 2-0. Ndeshja e sotme u zgjidh në pjesën e dytë, teksa një perlë e kapitenit Fatmir Hysenbelliu, 7 minuta nga fundi, dhe një gol i Muçës shembën Vilën L, pas një loje shumë të luftuar nga të dyja kampet.

prestige

Kështu, Prestige ka futur në kasafortë 3 pikët e radhës në Grupin B, duke vazhduar me paraqitjet bindëse në futbollin me 9 lojtarë, ndërsa edhe në edicionin e tretë të këtij kompeticioni vijon të mos njohë asnjë humbje në kohë të rregullt, duke e thelluar edhe më tej këtë rekord të jashtëzakonshëm.

NDESHJA – Takimi i zhvilluar në fushën “Skënder Halili” nisi menjëherë me luftë të fortë sportive, ku nuk munguan as ndërhyrjet e ashpra. Që në fillim Prestige pati epërsi territoriale, ndërsa Vila L mendonte më tepër për mbrojtjen, duke provuar kryesisht me anë të kundërsulmeve. Në fundin e pjesës së parë Vila L shfaqi rritje në lojën e saj, por gjithsesi portieri i Prestige, Cara, ishte në lartësinë e duhur në çdo rast. Fraksioni i dytë i lojës startoi me disa tentativa të Prestige, por pa sukses, ndërsa Vila L pati rastin me të mirë, por ishte pa fat në të 44-ën, teksa traversa i mohoi golin.

Për të zhbllokuar një ndeshje të tillë do të duhej një magji, dhe ashtu ndodhi. Fatmir Hysenbelliu ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore një goditje standarde në një pozicion ballor, nga rreth 20 metra. Me një gjuajtje të hidhur tokazi, kapiteni e ndali topin në cepin e portës, duke kaluar në avantazh skuadrën Prestige në minutën e 53-të.

Katër minuta më vonë, Prestige goditi sërish e këtë herë pas një skeme të shkëlqyer nga këndorja. Shima gjeti bukur në hyrje të zonës Muçën, me këtë të fundit që finalizoi në mënyrë perfekte për golin e dytë.

Më tej, Prestige kontrolloi gjithçka, ku madje krijoi edhe disa raste për golin e tretë, ndërsa Vila L ishte tërësisht e trullosur nga dy golat e shpejtë. Kështu, gjithçka u mbyll me triumfin bindës të Prestige, që edhe një herë tjetër tregoi një lojë me efikasitet të lartë në të dyja fazat, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.

PRESTIGE – VILA L 2-0
GOLAT:
Hysenbelliu 53’, Muça 57’

FORMACIONI I PRESTIGE: Cara, Antoni, Mërtiri, Hysko, Muça, Hysenbelliu, Shaqe, Karati, Vasha.
U aktivizuan: Biba, Kurpali, Shima. Trajner: Ergys Neziri

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"